25 Tetor, 2023 - 1:25 pm
Rreth komedisë më të re të Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, “Masë për masë” nga Altin Basha.
Shkruan: Blerim Valla
Komedia “Masë për masë” e Uiliam Shekspirit ndonëse e shkruar në shekullin e 17 – të, shumë bukur arrin të ndërlidhet me gjendjen aktuale të shoqërisë shqiptare – keqpërdorimin e pushtetit për interesa personale dhe për t’u hakmarrë kundërshtarëve qoftë atyre politikë apo edhe atyre në dashuri.
Është tekst politik dhe i takon teatrit politik e ndërthurur bukur me elemente të komedisë qoftë me situatat por edhe me karakteret e personazheve. Është komedi e zezë e cila, edhe pse e shkruar shume kohe më parë nga Shekspiri prapëseprapë është shumë aktuale pasi dihet vlera e veprave te Shekspirit te cilat kurdo herë që luhen zgjojnë interesim të madh tek publiku anembanë botës.
Shfaqja është komedi e zezë që trajton abuzimin nga njerëzit e pushtetshëm dhe përmban lojë fjalësh dhe ironi thërresë sikurse edhe elemente tragjike.
“Masë për masë” paraqet rrëfimin për protagonistin Dukën Vincentio (luajtur nga Xhevdet Doda) të Vjenës, që udhëheq punët e qytetit nën qeverisjen e zëvendësit të tij, Angelos (luajtur nga Besfort Berberi) i cili abuzon dhe keqpërdoron me pushtetin e dhënë nga Duka. Ai shfrytëzon fuqinë dhe pushtetin për interesa personale, për të abuzuar me femra të ndryshme që gjenden në vështirësi, pastaj për t’ju hakmarrë kundërshtarëve të tij dhe për të siguruar të mira personale. Temat kryesore të shfaqjes përfshijnë drejtësinë, moralin por edhe mëshirën në Vjenë pasi shfaqja ka të bëjë edhe me korrupsionin dhe punët e ndyra. Mirëpo si në jetë ashtu edhe në këtë shfaqje, fiton e vërteta dhe drejtësia, mirësia dhe virtyti mbizotërojnë mbi të keqen, intrigat, shpifjet, gënjeshtrat dhe lakmia për pozitë e për pushtet. Dhe shfaqja për ironi nuk ka përfundim tragjik!
Komedia “Masë për masë” kalon nëpër disa nga masat kryesore mes masave të tjera duke përfshirë: pushtetin, prostitucionin, amoralitetin, martesën, fenë, rolin e femrës në mesjetë, gjykimin dhe ndëshkimin.
Shfaqja “Masë për Masë” na sygjeron se si dhe deri në ç’masë një person mund të gjykojë një tjetër vetëm pse ka pushtet dhe është në pozitë të lartë në pushtet. Vetëm për shkak se dikush mban një pozitë të pushtetit nuk tregon se ata janë moralisht superior! Shumica e komedive të Shekspirit mbarojnë (festohen) me një martesë (ashtu si në përralla), pra kanë një fund të lumtur. Megjithatë, në këtë shfaqje martesa përdoret si dënim: Angelo detyrohet të martohet me Marianën dhe Lucio detyrohet të martohet me zonjën Overdone. Ky cinizëm me martesën si dënim është i pazakontë në një komedi! Ironikisht, në këtë shfaqje, martesa përdoret për të rregulluar dhe për të ndëshkuar sjelljen e keqe të disa personazheve. Temat kryesore të kësaj shfaqjeje janë pra ato që lidhen me fenë; moralin, virtytin, mëkatin, dënimin, vdekjen dhe shlyerjes të të keqes bërë ndaj dikujt tjetër. Karakteri kryesor i shfaqjes është murgesha Isabella, interpretuar jashtëzakonisht mirë, nga njëra prej aktoreve më të mira që ka për momentin Teatri i Gjakovës, nga aktorja Vlera Pylla, e cila në shfaqje është e obsesionuar me virtytin e dëlirësinë dhe udhëtimin e saj shpirtëror drejt së vërtetës dhe drejtësisë!
Me lojë të mirë, ndonëse në rol dytësor është dalluar edhe kësaj here, aktori fenomenal Edmond Hafizademi, por edhe aktorët e tjerë të shfaqjes. Komedia “Masë për Masë” është shfaqje që bashkoi dy teatro.
Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës dhe ai “Bekim Fehmiu” i Prizren janë bashkuar për realizimin e kësaj komedie që është edhe premiera e dytë për këtë vit e teatrit gjakovarë. Pasi në mars të këtij viti ishte dhënë premiera e parë, shfaqja “Antigonat”.
Shfaqja është bashkëprodhim mes Teatrit të Gjakovës dhe atij të Prizrenit ku interpretojnë 14 aktorë si: Vlera Pylla, Besfort Berberi , Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Altina Kusari, Edi Gjakova, pastaj Xhevdet Doda , Butrint Lumi, Edona Sopaj, Alban Çela, Alban Krasniqi, Valmira Lumi e Valmir Krasniqi.
Skenografinë e shfaqjes e punoi Petrit Bakalli, kostumografinë Iliriana Loxha, koreografinë Robert Nuha, kompozitor është Memli Kelmendi, Me regji tejet interesante dhe të guximshme të regjisorit të njohur Altin Basha, ashtu siç din vetëm ai me realizimin e shfaqjeve masive (me shume aktorë), pastaj me një koreografi mjeshtërore, skenografi statike por shume funksionale, dhe me muzikë brilante që moti nuk është përjetuar ne skenën teatrore të Gjakovës, por edhe me kostumet që përshtaten shumë bukur me situatat dhe ngjarjen e shfaqjes.
Mbase duhet cekur se Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës tashmë ka një kastë aktorësh të rinj shumë të mirë e të talentuar, të afirmuar dhe të shpërblyer nëpër shumë skena teatrore brenda dhe jashtë Kosovës, si Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Edmond Hafizademi, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Altina Kusari, Arbies Komoni, Yllka Lota etj. /KultPlus.com