17 Maj, 2018 - 8:31 pm
Foto: Boubkar BENZABAT
Silvia Graubaldi ka angazhuar disa aktorë për një shfaqje të radhës.
Aktorja Maylinda Kosumoviq është pjesë e këtij projekti. Ajo ka treguar se në Lecce të Italisë po mbahet punëtoria e parë ndërsa më vonë do të pasojnë punëtoritë tjera.
“Tema e shfaqjes ka të bëjë me Qytetin e Materës, i cili ka qenë dikur ‘turpi i Italisë’ ndërsa sot konsiderohet si vendi më kulturor brenda shtetit” tregon Kosumoviq.
Punëtoria e parë për projektin teatral ‘The poetics of shame’ po mbahet me regjisorin Italian Massimiliano Civica ndërsa në nëntor do të vazhdohet me punëtori në Matera me regjisorin Maja Kleczewska. Në Shkup do të pasojnë punëtoria e radhës dhe më pas edhe një tjetër workshop do të mbahet me Jeton Nezirajn.
“Më pas nga janari deri në mars do të jemi prapë në Matera ku do të kemi prova 45 ditë me koreografen dhe regjisoren Gribaudi, dhe këtu do të jetë edhe premiera e shfaqjes” tregon Maylinda Kosumoviq.
Gribaudi ka lindur në Torina ndërsa ajo fokusohet sidomos në hulumtimin e trupit dhe raportit të tij me audiencën.
Në vitin 2009 ajo fitoi në garën Giovane Danza d’Autore ndërsa puna ‘A corpo libero’ u prezantua më pas edhe në Festivalin e Vallëzimit në Dublin dhe në Bienalen e Venecias. Që nga viti 2011-të rreth 60 pjesëmarrës kanë qenë pjesë e punëtorive të saj, shkruan KultPlus.
Kosumoviq në anën tjetër është ndër aktoret më aktive momentalisht në vend. Ajo ka qenë pjesë e shfaqjes Bordel Ballkan ndërsa është pjesë edhe e leximit të radio-dramës ‘On Kosovo Field’ – fituese e çmimeve për radio-dramë në BBC, mes projekteve tjera ku merr pjesë. / KultPlus.com