13 Mars, 2025 - 1:15 pm
Mbi 1000 të pranishëm kanë duartrokitur gjatë paraqitjen e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në Casino Bern, të mërkurën mbrëma.
Nën drejtimin e Antoine Marguier, koncerti, i cili u mbajt në kuadër të festimeve të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nisi me intonimin e himneve të Kosovës, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit, për të vijuar më pas me “Bareshën” e Rexho Mulliqit.
Orkestra solli traditën muzikore kosovare përpara publikut në kryeqytetin zviceran me Koncertin për saksofon, harqe dhe perkusione të Valton Beqirit, me solist saksofonistin Vitaly Vatulya. Sopranoja Besa Llugiqi mbizotëroi skenën me interpretimin e saj, duke filluar me arien “Un bel dì vedremo” nga opera Madama Butterfly dhe “È strano… Sempre libera” nga La Traviata e G. Verdit, ku iu bashkua tenori Oscar Esmerode. Në bis, Llugiqi interpretoi “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.
Në pjesën e parë të koncertit, orkestra interpretoi gjithashtu uverturën e operës Nabucco të G. Verdit.
Ndërsa në pjesën e dytë, Orkestra u rikthye në skenë me interpretimin e Simfonisë nr. 2 të kompozitorit Kreshnik Aliçkajt dhe e mbylli mbrëmjen me suitën nr. 2 nga “The Three-Cornered Hat” e kompozitorit Manuel de Fallas.
Të pranishëm në koncert, përveç personaliteteve nga jeta kulturore zvicerane, diplomatëve, numrit të madh të diasporës shqiptare, qe edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Filharmonia e Kosovës do të rikthehet me koncerte në Kosovë gjatë muajit mars, fillimisht me koncertin e Korit të Filharmonisë dhe ansamblit harkor nën drejtimin e Hajrullah Sylës në Rahovec (26.03.2025), si dhe me koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo, me solistë Liza Kerob dhe Altin Tafilaj, në mbyllje të Javës së Frankofonisë në Prishtinë. (28.03.2025).
Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com