Mbi dramat e Naser Shatrollit

3 Nëntor, 2024 - 12:30 pm

(Nga përmbledhja me gjashtë drama “Qiell” – Naser Shatrolli, botoi Artini)

Ballsor Hoxha

Në dramën “Frigoriferi” të Shatrollit ka dy personazhe në një skenë në tërësinë e dramës. Po ashtu edhe në përgjithësi, të tri dramat në shyqrtim, dhe shumë nga të tjera të Shatrollit gjejmë një, e më së shumti dy personazhe. Shatrolli është minimalist i obsesionuar me intenstitetin, dramën dhe frymëmarrjen që jehon në këtë minimale. Ajo, minimalja në këto drama të Shatrollit është kryesisht psikologjike. Me personazhe që nuk arrijnë të dalin nga bota e tyre e traumës që i ka shituar në të prëhershmen e jetës së tyre.

Kryesisht janë dy karakteristika të dramës së Shatrollit që e bëjnë atë të veçantë dhe unik në kontekstin kosovar të dramës: tema dhe temat e dramave të tij, tejet unike dhe tejet të thella në kondensimin e komplekseve të traumës sonë kolektive, dhe (siç u cek më lartë) minimalistika e dramës së tij, që e intensifikon, frymëmarrjen e bartësve të këtyre temave.

Ndërtimi i dramës së Shatrollit nisë nga emrat e personazheve, si në dramën Frigoriferi, ku janë dy persona të njohur e të panjohur ndaj njëri tjetrit të gjendur spontanisht bashkë, e që janë Liria dhe Atdheu, dhe atë në kohë të luftës në Kosovë. Pastaj personazhja Karameli, në dramën me po të njëjtin emër, dhe Shkumësi personi i cili ka kaluar në këtë gjë, pra vetë personazhi i cili bartë traumën e tij personale të kaluar në deluzion total ndaj tërë kontekstit të tij.

Në këtë ndërtim pastaj vjen zbërthimi i tyre, shtjellimi dhe zhvillimi i tyre në skenë, duke e rrotulluar tërë këtë kondensim të – urrejtjes, të zemërimit, të traumës dhe të përkuljes së njeriut të drejtë ndaj dhembjes ardhur prej jashtë kontekstit të tij/saj – kondensimi duke u rrotulluar si një rubikon, por pa zgjidhje.

Më tutje në këtë ndërtim, sa më shumë që hyjmë brenda tij, shfaqet njëlloj loje unike e Shatrollit, ku personazhet shndërrohen, sikur persona me personalitete të shumfishta (si në dramën Shkumësi, P.sh.), dhe në këtë minimalizëm të intensifikimit të frymëmarrjes së dramës dhe personazheve, përmes vetëm dy personazheve merr pjesë i tërë konteksti.

Në këtë ndërtim të dramës së Shatrollit, sikur në dramën Shkumësi, hetuesi/psikologu/përkrahësi shnëdrrohet në vetë antagonistin e personazhit tjetër që vuan traumën e tij, që është një kondensim i urrejtjes përbrenda traumës në të cilën ai është i mishëruar. Ndërsa personazhi Shkumësi është duke u rrëfyer para këtij hetuesi dhe psikologu (thënë kushtimisht) vetë ky i fundit kalon në veprim të dhunshëm ndaj Shkumësit duke e marrë rolin e vetë antagonistit të tij.

Dhe në fund, të renditjes së këtij ndërtimi të dramës së Shatrollit, kemi njëlloj zbërthimi të këtij kondensimi të përfshirjes së traumës kolektive të një konteksti në një Shkumës të vetëm, kështu në dramën gjegjëse duke u luajtur vetë ky kondensim, si që u tha më lartë, si një rubikon i pa zgjidhje.

Duke i lexuar në radhë dramat Frigoriferi, Karameli, dhe Shkumësi, në të gjitha, para se të shohim se jemi përballë këtij rubikoni, në frymëmarrjen e dramës dhe personazheve të goditura nga fatkeqësia e patejkalueshme, përnjëherë gjendemi në një zhvendosje tejet mirë të luajtur në tekst, dhe aq më shumë të metaforizuar, si që është rrëfimi i personazhes Liria, në dramën Frigoriferi, ku ajo rrëfen të qenit e dhunuar personalisht përmes projektimit të zhvendosur në një plakë të vjetër, të dhunuar në mënyrën më banale dhe më brutale të mundshme.

Pastaj në dramën Karameli, që ka një temë tejet tejet të rëndë, si që është jeta e një ish-“shijuesi” të jetës jugsollave, me tërë dhunën e kryer ndaj shqiptarëve, që jeton me vajzën e tij Meli, adoleshente, gjë që është një jetë krejtësisht e çorientuar, e dezintegruar dhe e degjeneruar deri në pakthim. Mirëpo, prapë, si në lojën e dramave të tjera të Shatrollit, zhvendoset dhe projektohet e tërë dhembja e të qenit tradhtar në një kujtim të një shisheje vene (dhuruar nga vetë Titoja kryetari i ish Jugosllavisë) ndërsa çdo gjë ka shkuar në pakthim.

Pastaj në dramën, një prej më të realizuarave të Shatrollit, që është Shkumësi, zhvendosja është e projektuar në një obsesion të personazhit kryesor për të mbajtur panumër shkumësa në xhepat e tij, dhe për të mbishkruar në çdo gjë, jo ndonjë mençuri apo përvojë, por vetëm për të shkarkuar dramat që luhen në traumën e tij fiziisht dhe psikologjikisht.

E në të tri (dhe shumë të tjera të Shatrollit) drama, është e kondensuar urrejtja, si kyç dhe rubikon i pa zgjidhje, që duhet rrotulluar në të gjitha perspektivat e mundshme për të ruajtur së paku një njerëzi brenda traumës kolektive të panumër plagëve. Sigurisht duke kujtuar, në të gjitha këto drama, atë që ka mbetur jashtë kufijve të traumës edhe personale edhe kolektive.

Për fund, si metaforë, në dramën Shkumësi, shtjellohet një metaforë e një të riu hebre i lindur me frikën e pabartshme, por që në të vërtetë e din për secilën luftë e dhunë e cila ka ndodhur në historinë e botës. Në të vërtetë kjo ndodhë derisa po ky person brenda kësaj metafore gjendet brenda një muzeu, gjë që do të thotë është një muze që ecën brenda një muzeu përkujtues të Holokaustit ndaj hebreve. E në të vërtetë po ai rubikon që u cek disa herë këtu, i pa zgjidhje, i urrejtjes, në dramat e Shatrollit, është vetë obsesioni artistik i tij për ta parë atë ashtu si që është, dhe si është e mundshme të trajtohet, aq më shumë kjo lloj loje, dhe ky muze, është metafora artistike e Shatrollit, përpjekje për të krijuar një muze, të të gjitha perspektivave të traumës kolektive të kontekstit tonë, për të ruajtur dhe trajtuar, por pa e emëruar asnjërën nga këto trauma, dhe pa e pas marrë rolin e zgjidhjes së saj. Sikur ajo ka një zgjidhje, së paku, në këtë perspektivë aq të shkurtë kohore! E me kaq pak përpjekje nga të tjerët për të ndihumar të njëjtit.  / KultPlus.com

Të ngjajshme