16 Shtator, 2017 - 2:06 pm
Një mbrëmje gala, e organizuar në nder të 60 vjetorit të krijimit të Shkollës së Baletit, bëri bashkë breza të ndryshëm të këtij institucioni.
Gjatë kësaj mbrëmje ishin të pranishëm nxënës, mësues, balerinë të njohur të skenës shqiptare, si dhe ish-nxënës dhe mësues.
Nxënës të klasave të ndryshme interpretuan për të pranishmit pjesë koreografike moderne dhe klasike. Ndërsa u ndanë edhe medalje mirënjohje për ish-profesorët e kësaj shkolle dhe balerinë.
Me fillimin e këtij viti të ri shkollor, 230 artistët e rinj, nxënës të Shkollës së Baletit në Tiranë, po studiojnë në një godinë moderne dhe me mjedise të rikonstruktuara. Investimi i bashkisë së Tiranës e ka transformuar Shkollën e Baletit në një godinë moderne.
Shkolla koreografike e Tiranës u hap më 1957 dhe që prej atij viti e deri më sot ka vënë në skenë kryevepra të baletit botëror, si dhe është vlerësuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Shumë prej balerinëve që kanë studiuar në këtë shkollë janë emra të njohur edhe jashtë vendit si Ilir Kerni, Kledi Kadiu, Ambeta Toromani, Ilir Shaqiri, Leon Cino, Klajdi Selimi, etj
E hapur në fillim me cikël mësimor 6-vjeçar pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, më pas u zgjat me një afat 8-vjeçar. Në fillim përgatiste valltarë për këtë institucion dhe për institucione të tjera artistike. Më 1972 kaloi në varësi të shkollës së mesme artistike “Jordan Misja”, ku pranoheshin nxënës nga klasa e IV e shkollës 8-vjeçare.
Para ‘90-s ishte institucioni bazë për përgatitjen e valltarëve për institucionet profesioniste, për shtëpitë e kulturës në rrethe dhe në përgjithësi për lëvizjen artistike amatore. Përveç lëndëve themelore të shkollës së mesme të përgjithshme, jepeshin njohuri për artin koreografik botëror, historinë e baletit shqiptar etj. / KultPlus.com