15 Maj, 2024 - 11:31 am
Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë do të mbahet një mbrëmje dedikim për valltaret e njohur Lili Cingu, mbrëmje që do të shënohet me këngë dhe valle popullore, shkruan KultPlus.
Për këtë organizim që do të mbahet më 17 maj është bërë e ditur nga drejtoresha e këtij institucioni Abigeila Voshtina, e cila ka njoftuar edhe për detajet shtesë të kësaj mbrëmje.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin mbi këtë ngjarje kulturore.
Kujtimi i mbretëreshës së valles shqipe, Lili Cingu, do të nderohet me një buqetë këngësh e vallesh popullore, të cilat do të interpretohen nga emra të njohur dhe artistë të rinj të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, të premten, më 17 maj ora 20:00.
Duke e hapur me “Vallen e Rexhës”, për të vijuar me “Dueti i Tiranës”, vallen “Nën hijen e mollës”, “Vallen e Logut”, “Vallen e Çobanit”, atë me motive çame, kolazh i veriut e të tjera, si dhe me korale e këngë, si “Trëndafilin kur ta dhashë”, “Kur perëndon dielli” e shumë të tjera. Biletat mund t’i merrni çdo ditë pranë biletarisë së TKOB-së nga ora 10:00-14:00 dhe 16:00-19:30./ KultPlus.com