18 Maj, 2024 - 2:00 pm
Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë është mbajtur një mbrëmje dedikim për valltaren e njohur Lili Cingu, mbrëmje që u shënua me këngë dhe valle popullore, shkruan KultPlus.
Mbretëresha e valles shqiptare, Lili Cingu, “Nderi i Kombit”, “zbriti” nga qielli për t’u bashkuar në valle e këngë me Ansamblin Popullor, aty ku lindi dhe nuk do të shuhet kurrë.
Lili Cingu ishte po ajo shtojzovalle e bukur që vuloste historinë e artit shqiptar me gjerdanin e artë në Dijon të Francës.
Lili soditi në luginat e gjelbra me çobanin e saj dhe mbushi ujë në burimin çam, teksa hodhi valle me sorkadhet e saj.
“Sepse artistët janë të bekuar, largohen fizikisht, por jetojnë në vepra përjetësisht. “Nderi i Kombit”, Lili Cingu, i ngriti zemrat peshë dhe sot në skenën e teatrit të saj”, shkruan Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit popullor. / KultPlus.com