2 Nëntor, 2019 - 1:13 pm
Xhemile Hysenaj
Me leximin e ”Inkuizitori i madh” nga vepra e famshme ”Vëllezërit Karamazov” e shkrimtarit të madh rus, Dostojevskit, nën interpretimin e aktorit të njohur shqiptar Rexhep Mitrovica, filloi ngjarja e sotme që zinte vend në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ngjarje kjo që mbahej në kuadër të Kosovo Theater ShowCase.
Pas leximit të ”Inkuizitori i madh”, pjesa e dytë, vazhdoi me bashkëbisedimin në mes të Rexhep Mitrovicës dhe aktorit tjetër të njohur shqiptar, Arben Bajraktaraj, shkruan KultPlus.
Rexhep Mitrovica, aktori shqiptar që lindi dhe jeton në Francë, në karrieren e tij numëron më shumë se 80-të role, ku ndër to ka interpretuar edhe role mjaft të rëndësishme në teatër si Hamletin, Orestin tek “Elektra”, “Mbreti Lir”, “Devocioni dhe kryqi”, “Don Zhuanin” etj.
Ndërsa fokusi i diskutimit të sotëm, ishte mbi karrierën e Rexhep Mitrovicës, kurse Arben Bajraktaraj ishte në rolin e intervistuesit. Rexhep Mitrovica fliste për eksperiencat e tij si aktor teatri. Tregonte për vështirësitë e kënaqësitë që vijnë si pasojë e të qenurit aktor. Ndër të tjerash, ai tregoi edhe për takimet me mjeshtërit e mëdhenj të skenës franceze si: Antoine Vitez, Claude Regis, George Lavaudant, Daniel Mesguich si dhe për shfaqjet Lorenzaccio. Për të cilat tregonte mundin e përkushtimin e madh kushtuar rolit të tij në këto shfaqje.
Kjo nuk është hera e tij e parë në Kosovë, ai për KultPlus dekalroi se para publikut shqiptarë ndjehet shumë më mirë se para atij francez. ”Unë jam aktor dhe gjithmonë e kam problem kur para publikut dal në formë të debatuesit dhe jo aktorit, mirëpo jam shumë i lumtur saherë që vi këtu, në Kosovë”, potencoi ai.
”Jam shumë i lumtur sepse publiku francez nuk më jep afinitetin sikurse publiku shqiptarë. Tek ju është një traditë e teatrit e cila është shumë e bukur”, vazhdoi tutje ai.
Arben Bajraktaraj, aktori shqiptar që ka qenë pjesë e filmave të huaj, kryesisht atyre francezë dhe amerikanë, për KultPlus tregoi se është thellësisht i prekur që kishte rastin të bashkëbisedonte me aktorin që ai e çmonte më së shumti. ”Isha shumë i prekur që isha para një aktori të tillë, si bashkëbisedues. Konsideroj veten me fat, pasiqë Rexhep Mitrovica është aktori të cilin e dua më së shumti. është një begatshmëri shumë e madhe e lojës dhe përjetimeve të Rexhepit, prej një roli në tjetrin, duke punuar me regjisorët më të mëdhenj që ka pasur Franca”, deklaroi ai për KultPlus.
Jeton Neziraj, i cili është edhe njëri prej organizatorëve të këtij ShowCase-i, u deklarua shumë i kënaqur me prezencën e mysafirëve të festivalit, duke pohuar që këta të fundit po ndahen të kënaqur nga shfaqjet dhe aktivitetet e këtij edicioni.
Ndërsa diskutimin e sotëm në mes të dy aktorëve e konsideronte si një mundësi të jashtëzakonshme për publikun. ”Të kesh Rexhep Mitrovicën para publikut për një diskutim, është një mundësi e rrallë dhe e jashtëzakonshme dhe për ata që ishin prezent ishte një mundësi shumë e mirë të dëgjonin një aktor fantasik si Rexhepi. ”, deklaroi ai për KultPlus.
Kjo ngjarje ishte e organizuar në bashkëpunim me kompaninë teatrore ”Lira” nga Parisi, ndërsa për kurator kishte Simon Pitaqaj. /KultPlus.com