Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ‘Prizrenfest’

1 Gusht, 2022 - 3:19 pm

Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur në Kosovë, Prizrenfest,  në Kino Lumbardhi, përcjellë KultPlus.

Nën brohoritjet dhe duartrokitjet e pafund të publikut në natën e parë u prezantua Teatri Kombëtar i Sarajevës me shfaqjen “To Nikad Nigdje Nije Bilo”, (Kjo kurrë s’ka ndodhë)  nga regjisori i njohur Dino Mustafic.

Me këtë shfaqje, Teatri Kombëtar  i Sarajevës, të krijuar për njëqindvjetorin e ekzistencës së tij, kujton shumë nga ditët e tij të lumtura dhe jo të lumtura, njerëzit dhe fatet e panumërta që e shënuan gjatë gjithë asaj kohe dhe që u shënuan prej tij… dhe kujton atë që kurrë, askund, nuk ndodhi.

Ndërkaq në natën e dytë, me 1 gusht në Prizrenfest, do të prezantohen tri shfaqje.

“PPP Ti Presento L’Albania (ITA )”, me regji nga Klaus Martini, në Muzeun Arkeologjik duke filluar nga ora 20:00h.

Në ora 21:00h, tek Burgu i Qytetit, do të prezantohet shfaqja nga Kosova “Ora e vdekjes” (RKS )”, me regji nga Ilir Bokshi.

Duke mos lënë anash as më të vegjlit, në skenën e Abi Çarshisë duke filluar nga ora 19:00h, jepet shfaqja për fëmijë.

Të nderuar me praninë e shumë artistëve dhe artdashësve, organizatorët e Prizrenfest ju ftojnë që të vazhdoni të jeni pjesë e festivalit deri më datën 4 gusht, kur do të jetë edhe nata përmbyllëse. / KultPlus.com

Të ngjajshme