25 Maj, 2019 - 7:00 pm
Për herë të shtatë, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt – Festivali Rajonal për Artiste, që do të mbahet në Prishtinë gjatë datave 10-16 Qershor, 2019 (7 ditë).
Moto e festivalit këtë vit është ‘Me Liri kundër Marres’ (ang: Freedom vs Shame) duke i inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime. Duke qenë të gjykuara dhe të turpëruara nga shoqëria patriarkale në vazhdimësi, moto e festivalit FemArt ka për qëllim të rrisë vetëdijen dhe të fuqizojë gratë pa marrë parasysh përkatësinë etnike, sociale, raciale apo preferencave seksuale.
Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali do t’i angazhojë 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave.
Festivali Femart është pjesë e iniciativës së 20 aktiviteteve për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me komunën e Prishtinës.
Grand Hapja e Festivalit FemArt 2019, do të bëhet në objektin shumë të vlerësuar para luftës në Kosovë, ku krerët më të mëdhenj të qeverisë së asaj kohe kanë gjetë shërbimin dhe akomodimin e klasit botëror, ndërsa tani i lënë pas dore, i shkatërruar, i përfolur si dhe bartës i historisë së trishtuar, i krimeve gjatë konfliktit në Kosovë, në Hotel Grand. Jo rastësisht festivali do të hapet në po këtë hotel, përmes ekspozitës shumë të veçantë të artistes së shquar, pjesëmarrëse në Bienalja e Venecias 2018 – Eliza Hoxha, të titulluar “Bëhu fytyra ime” dhe më pas e përcjellur me performancën “E asaj…” nga artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci.
FemArt ka sjellë disa performanca dhe shfaqje teatrale që do të organizohen në lokacione të ndryshme, në Prishtinë. Në Teatrin Oda prezantohet Drag Mbretëreshat “Queendom” nga Hungaria, një performancë interseksionale e performancave bashkëkohore, teatrit fizik dhe performancave “drag”; Në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqet performanca e një trupe artistësh “Etymos”, nga Italia, me një koreografi të veçantë, prodhim i kompanisë Motus; Regjisorja Arlinda Morina, prezanton performancën premierë “Kanuni i gruas”, produksion i Artpolis-it dhe performuar nga artistet profesioniste të Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare; Ndërkaq performanca artistike e Uresa Ahmetit e quajtur “Vagina viktimë” përcjellur me Slam Poetry do të luhet në Teatrin ODA; Shfaqja teatrale e shumë pritur “Le Grand Cahier” nga Japonia, do të jepet në teatrin ODA, ku tema zhvillohet mbi binjakët të evakuar në shtëpinë e gjyshes gjatë luftës, e cila i abozon duke i përdorur si fuqi punëtore. Si i mbijetojnë makthit dhe si do të veprojnë kur ta takojnë babain e tyre?, do ta kuptojmë pasi ta përcjellim shfaqjen.
Nuk do të mungojë mbrëmja artistike tashmë tradicionale “Poezi për Fuqi” që do të mbahet në “Menza Ramiz Sadiku” me emra të shquar të poezisë feministe, autore shqiptare të njohura nga Greqia, Franca, Maqedonia Veriore, Shqipëria e Kosova duke u shoqëruar me muzikë të zgjedhur. Ndërkaq edhe Murali, poashtu tradicional në kuadër të festivalit, do të inaugurohet në Qendrën e Studentëve, me temën #Epathyer në bashkëpunim me MuralFest nga Ferizaji, që për temë do të ketë fuqizimin dhe promovimin e të Drejtave të Grave.
Një ekspozitë shitëse e titulluar “Zambaku i Luginës”, e kuruar nga Njomëza Luci, do të organizohet në Teatrin Oda, ku do të prezantohen punimet e viktimave të trafikimit dhe viktimave potenciale të trafikimit, e gjithë kjo nën përcjelljen e muzikës të ekzekutuar nga Vala Mulliqi. Fjalë hyrëse do të ketë nga përfaqësues të BE-së.
Punëtoritë do të jenë të shumta dhe të ndryshme, nisur nga bendi portugez “Yemadas” që do të japin punëtori në rrugë “Bëhu ritmi”, për vallëzime dhe këndim afrikan, në sheshin e Prishtinës dhe në Fushë Kosovë; në Teatrin Oda do të mbahet punëtoria e dizajnit “Krijimi i posterave feminist” të udhëhequr nga Blerta Hoçia, Shqipëri dhe Silvia Basso, Itali; Do të pasojë pastaj prezantim nga Silvia Basso “Bisedë me Silvia Basso: Ilustrimi, gjuha dhe Inovacioni”; Masterklasë me Rina Zhubin në po ashtu në Teatrin Oda “Gratë në Wikipedia Shqip” + edit – a – thon, ku pjesëmarrëset do të informohen dhe trajnohen rreth redaktimit për të vendosur dhe përditësuar të dhëna në Wikipedia Shqip, me tema për gratë; dhe në ditën e pestë pjesëmarrësit/et e festivalit do të shkojnë në Etno fshati Kukaj, ku përmes “Kyçu + Angazhohu + Frymëzohu” do të diskutojnë, relaksohen dhe njëkohësisht të inspirohen me shkëmbimin e përvojave.
Edicioni i 7-të i festivalit FemArt do të përmbajë disa panele diskutimi me temat nga më të ndryshmet, si: “Gratë artiste në vendimmarrje”; “Promovueset e reja të paqes nga rajoni ” e po ashtu edhe në kuadër të promovimit të librit të autores Vjollca Krasniqi, do të hapet paneli “Dialogu ndërgjenerata i aktivizmit feminist në ish-Jugosllavi”; Ndërkaq konferenca me titull: #Epathyer / Vendi i gabuar, koha e gabuar – 20 vjet pas i përfshin dy panele që trajtojnë temën e të mbijetuarave të dhunës seksuale – 20 vjet pas, si dhe rolin e shtetit në njohjen dhe trajtimin e tyre. Konferenca e dytë #Epathyer/Shfuqizimi i marrës, do të trajtojë dhe prezantojë promovimin e shëndetit seksual dhe riprodhues të grave. Disa nga panelistet që do të kontribuojnë në diskutime janë: Feride Rushiti, Vjollca Krasniqi, Vjosa Berisha, Antigona Dajakaj, Besa Luzha, Dijana Milošević, Ilirjana Banjska, Arijana Qosaj Mustafa, Arta Bunjaku Agani, etj.
FemArt do të jetë i pasur me koncerte të larmishme ku gjeneratat e ndryshme do ta gjejnë veten dhe ti shijojnë mbrëmjet, si: në Teatrin ODA, nën tingujt e bukur të muzikës së këngëtares së talentuar LUCIBELA, që vjen nga Cabo-Verdean-e, të São Nicolau, (një nga ishujt Barlavento), e cila me ritmin dhe energjinë e pashterur do të këndojë në “Nderim të Cesaria Evora-së”; në natën e tretë të festivalit do të vallëzohet me tingujt hip-hop të formës alternative & techno, të performur nga artistja amerikane LiKWUiD, e paraprirë “warmup” nga LILAC ndërsa Gërmia Finale do të përmbyllë edicionin e shtatë të festivalit FemArt, me një koncert madhështor, në Amfiteatrin në Gërmi, ku për fillim ‘warmup’ do të performojnë Evolution Dance,më pastaj Marsela Çibukaj & Vitmar Basha do të performojnë këngët më të reja nga albumi i tyre dhe në fund mysafirët specialë, bendi “Yemadas” nga Portugalia.
Donatorët e festivalit FemArt janë: Bashkimi Europian, Kvinna till Kvinna, Austrian Development Cooperation, UNFPA, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, UNWOMEN, Cfd, Unë e Du Kosovën, IPKO Foundation, Koalicioni K10, Hotel International Prishtina.
Përkrahësit Institucional dhe medial: Biblioteka Kombëtare e Kosovës- “Pjetër Bogdani”, Teatri Dodona, Muzeu i Kosovës, Teatri Oda, KultPlus./KultPlus.com