Me magjinë e arieve dhe fragmenteve nga operat shqiptare, shënohet një vjetori i inaugurimit të Operës së Kosovës

5 Nëntor, 2022 - 3:02 pm

Era Berisha

Interpretimi i ansambleve si: “Okteti Plus”, “Zanat (sopranot: Adelina Thaqi, Elida Kryeziu; mezzosopranet: Diellza Sylejmani, Arstina Kadiu; alto: Albana Piperku)”, “Okarina” nën dirigjimin e Elikonë Hysaj-Shala dhe “Prishtina Brass” (Avni Krasniqi dhe Ardit Pira në trumbetë, Betim Krasniqi në trombon, Fitim Halimi në korno, Meriton Ferati në tubë), solistëve si: sopranoja Selvije Marteti, sopranoja Kaltrina Miftari, tenori Liridon Sadriu, sopranoja Urta Haziraj, mezzosopranoja Fjolla Krasniqi, baritoni Arbër Maliqi, mezzosopranoja Elona Sadiku dhe baritoni Hekuran Bllaca, pianistët si: Melos Buza dhe Lekë Salihu, mbrëmë mahnitshëm kanë sjell magjinë e arieve dhe fragmenteve nga operat shqiptare, në shënim të Ditës Botërore të Operës, 1 vjetorit të koncertit të inaugurimit të institucionit të Operës së Kosovës dhe festave të muajit nëntor, shkruan KultPlus.

Prej momentit që ora shënoi fiks 20:05 e deri në përfundim të koncertit, është dëshmuar që Opera e Kosovës, ndonëse pa një institucion të sajën, në brendësi e ka një dashuri të pashuar ndaj muzikës klasike, dhe performimi për audiencën kosovare, për të, do të mbetet gjithmonë e pa zbehtë.

Ky koncert ka portretizuar një literaturë operistike që fillimisht nisi nga interpretimi i “Oktetit Plus” (tenorët: Liridon Sadriu, Rizah Jahaj, Artan Baruti, Sokol Latifi; bas baritonët: Safet Berisha, Arlind Gjyshinca, Denk Prizreni, Arbër Maliqi, Nikoll Gjini) me veprën e njohur “Të falemi o dhe” nga kompozitori Rauf Dhomi, për të vazhduar me interpretimin e veprave të kompozitorëve tjerë si: Prenk Jakova, Nikolla Zoraqi dhe Georges Bizet. Krahas veprave të këtyre kompozitorëve të mrekullueshëm, qenë zërat e fuqishëm të solistëve, ata që krijuan një mbrëmje që kaloi përtej limiteve.

Fillimisht, muzikologja Rreze Kryeziu-Breznica, ka hapur mbrëmjen, duke i uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve.

“Mirëserdhët në mbrëmjen në të cilën ne po shënojmë Ditën Botërore të Operës, njëherësh edhe një vjetorin nga koncerti i inaugurimit të institucionit të Operës së Kosovës. Koncerti zhvillohet me prezencën e artistëve tanë të cilët edhe në rrethana të tilla, arrijnë të dëshmojnë edhe veprimtarinë artistike në vazhdimësi. Në fund të shekullit të kaluar, prodhuam artistë që tash janë padyshim pjesë e pandashme e skenave. Ajo se çfarë është e rëndësishme është se ata janë disa nga emrat më të dëshiruar në botë”, thotë ajo.

Sipas saj, në Kosovë as sot nuk ekziston një shtëpi kombëtare e Operës, as skena adekuate për realizmin e shfaqjeve operistike.

“Mosekzistimi i kushteve, e një salle të cilën ne vazhdimisht po e kërkojmë, shpesh ka rezultuar që ne si komunitet të jemi kreativ nga përkujdesja e hapësirave. Por, si duket edhe ky kreativitet shteron. Ne vazhdojmë të kërkojmë shtëpinë tonë”, ka thënë Kryeziu-Breznica.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se institucioni i Operës së Kosovës, vetëm një muaj më vonë, do të mirëpresë të gjithë në premierën e Operës më të dëshiruar në literaturën operistike botërore, “La traviata” nga Giuseppe Verdi.

Para se koncerti të gjente fillimin, të pranishmit tashmë veçse kishin mbushur të gjitha karriget e vendosura në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe ato të shtuarat. Ndonëse, hapësira nuk ishte më e duhura për të shijuar lirshëm këtë koncert, audienca i qëndroi besnike këtij organizmi gjerë në fund të tij. Shumica të ulur e pakica në këmbë, sytë e të pranishmëve binin direkt ndaj vendit ku performuesit dilnin për të dhënë shpirtin e tyre, krejt lehtazi.

Dy reflektorë të ngrohtë të vendosura sipër katit mbi “skenë”, qenë ato që i kanë dhënë një ngrohtësi këtij ambienti, dhe e kanë bërë më të afërt për publikun. Ndërkaq, pianoja e vendosur mu në mes, ishte ajo që ka shoqëruar këndshëm secilën vepër, dhe e gjitha kjo nga magjia e gishtërinjve të pianistit Melos Buza dhe pianistit Lekë Salihu. Heshtja, elementi kyç në mesin e publikut, ka krijuar një atmosferë ku muzika klasike është nderuar më së miri.

Ndërlidhja e katër ansambleve, tetë solistëve dhe dy pianistëve, ishte diçka tejet e nevojshme, në mënyrë që të përthekohej perfeksionimi që Opera e Kosovës duhet ta posedojë. Arti operistik ka qenë kryevepra e mbrëmjes së djeshme me ç’rast secili njeri i pranishëm ka gjetur veten brenda vorbullës së pakrahasueshme që vijat melodike të veprave shqiptare, kanë poseduar.

Secili interpretues, me veshjen e tyre në ngjyra të bukura për t’u parë, ka performuar me një pasion që është vërejtur në shprehjet e fytyrës. Mbyllja e syve, lëvizja e duarve, në ndërveprim me zërin unik të gjithsecilit, ka plotësuar mbrëmjen në mënyrë të zjarrtë.

Në anën tjetër, veprat si: “Aria e Marës – Opera Mrika”, “Aria e Almës – Opera Komisari”, “Aria e Plakut – Opera Skëndërbeu”, “Dielli ka prendue – Opera Mrika”, “Aria e Marlulës – Opera Dasma Arbëreshe”, “Aria e Françeskut – Opera Skëndërbeu”, “Dueti i Mrikës dhe Dodës – Opera Mrika”, “Habanera – Toreador (Opera Carmen)”, “Trio – Opera Goca e Kaçanikut”, “O xhaxhi, o xhaxhi”, “Ardhmërinë na e keni borxh”, “Fluturoi pëllumb i bardhë – Opera Skënderbeu”, mbrëmë kanë pushtuar atmosferën si asnjëherë më parë. Secila vepër ka rrëmbyer dukshëm shpirtin e të pranishmëve, me ç’rast duartrokitjet, brohoritjet, buzëqeshjet, fotografitë e videot e shumta kanë gjetur vendin e tyre, në mënyrë të tillë që të falënderojnë pjesëmarrësit për një mbrëmje sa të veçantë, aq edhe të paharrueshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme