30 Dhjetor, 2024 - 7:00 pm
Ardianë Pajaziti
Pothuajse nuk ka teatër të operave nëpër botë që nuk është prezantuar, dhe pothuajse secili prezantim ka rrumbullakuar copëza shkëlqimi në karrierën e tij prej tenori, dhe çdo prezantim po në ato skena të mëdha ka rritë edhe më njeriun brenda shpirtit të Saimir Pirgut.
Jeta e tij nuk ishte në fillimet e karrierës me po këtë shkëlqimin e viteve të fundit. Të bënte një copë vend në teatrot më të mëdha të botës, kishte përjetuar në lëkurën e tij jo vetëm të bukurat e skenës, sepse jo gjithçka kishte filluar me xixat e magjisë së operave, pasi që për ta ndërtuar mozaikun prej artisti, jo krejt jeta ishte art.
Saimir Pirgu kishte ndarë kohën mes studimeve dhe larjes së pjatave në një prej restauranteve të Italisë, ndryshe, do të ishte e pamundur të ndiqte ëndrrën.
Dhe erën e gjellës duket se edhe sot e ndjen në trupin e tij, pasi që po atë erë kishte në flokët e tij të zezë kur e kishin lajmëruar se mund ta takonte tenorin e famshëm botëror Luciano Pavarotin, takim që edhe ia ndryshoi botën.
Pak erë gjelle në trupin e një djaloshit të ri veç sa i kishte dhënë më shumë shije ëndrrës së tij prej tenori, e që për ta luftuar realitetin e asaj kohe, mes larjes së pjatave dhe ëndrrave të operave, rrugët e Italisë ai po i qante me ndihmën e Shekspirit dhe Gëtes….
Po këto detaje ndërtojnë artistin, dhe tash kur ka 20 vjet karrierë skenike, ai edhe më tutje kujton ballakumet dhe bugaçet e Elbasanit.
Dhe po ky vrapi maratonik që të gravonte emrin e tij diku nëpër teatro të botës, po kjo përpjekja që të dëshmonte se ai meriton një copë vëmendje te njerëzit me shije të hollë, e larguan Saimirin prej paraqitjeve në vendin e tij, aty ku kishte nisur gjithçka. 13 vjet janë bërë që Saimir Pirgu nuk ishte rikthyer në skenën e Teatrit dhe Operës së Baletit, dhe 43 vjet jetë iu deshën që më në fund të prekte tokën e Kosovës dhe të përqafonte dashurinë që i dha audienca e Prishtinës.
Dy paraqitje të njëpasnjëshme për publikun shqiptar, para atij të Tiranës dhe pastaj të Prishtinës, ishin më shumë se sa një dehje, një dehje e bukur.
Kur e takova, qysh në fillim më premtoi se nuk do ta bënte më gabimin e njëjtë. “Do të vij më shpesh në Kosovë, në Prishtinë” më tha artisti Pirgu. Ai kishte parë shkëlqimin e syve më të bukur të një audience, dhe reflektimin e këtij shkëlqimi e shihja tani unë, në sytë e tij. Përderisa fliste me mua, më dukej si përmbushja e ëndrrës së një fëmije, i lumtur, shumë i lumtur.
“E kam përjetuar çuditërisht me shumë emocion, isha mësuar të këndoj para çdo lloj publiku, por publiku i vendit tim, i gjuhës time, ka një peshë tjetër, ka një rëndësi tjetër, më të madhe, mendoj unë, dhe isha goxha i emocionuar. Dhe jam ndjerë shumë, shumë mirë. Duke parë ata sy të njerëzve që shkëlqenin, dhe që po këndonin bashkë me mua, më bën që ta përjetoj një mbrëmje me të vërtetë shumë të mirë, me mbresa shumë të forta, dhe përfundimisht ishte një koncert i arritur artistikisht” fliste Saimir Pirgu për ngrohtësinë prishtinase në njërën prej mbrëmjeve të dhjetorit.
Koncerti me tenorin Saimir Pirgun ishte mbajt në ambientet e Sallës së Kuqe, një sallë e improvizuar për evente të tilla, dhe si e tillë, artistit shqiptar i kishte marr një emocion që se kishte përjetuar askund.
Mungesa e një salle koncertale në Prishtinë, për këtë mbrëmje kishte anën tjetër të medaljes. Tenori Pirgu asnjëherë se kishte pas audiencën kaq afër, kaq ngushtë. Dhe kjo ngushti atij nuk i kishte sjell ngufatje, përkundrazi. I kishte dhënë mundësinë që të vërente sytë e audiencës, lumturinë e tyre, dhe shijimin më të bukur të jetës së tij.
“Ishte e qartë dashuria që ata më përcillnin, edhe ndoshta pse pata publikun kaq afër. Nuk e kisha ndonjëherë publikun kaq afër. Për mua ishte me rëndësi që të vija, kësaj here pa sallë, e ndonjëherë tjetër me sallë” shpjegonte Pirgu i cili kishte krijuar një spektakël të vërtetë në këtë mbrëmje artistike, pasi që, nuk e dëshironte magjinë vetëm për vete, xixat e kësaj mbrëmje ai dëshironte ti ndante edhe me artistët prezent që ishin në audiencë, dhe duke shkelë marrëveshjen me Operën e Kosovës, ai futi aty për aty në skenë edhe artistët kosovarë, që poashtu janë duke ngjitë drejt suksesit të teatrove evropiane.
“Në këtë mbrëmje ne ishim bijtë e Kosovës, dhe bashkë me artistët e Kosovës që çdo ditë po hedhin nga një tullë për artin e këtij vendi e kënduam këngën “Unë, biri yt, Kosovë”, ishte moment që nuk ishte planifikuar, por që ngriti audiencën në këmbë.
Se kishte mirëprite një prezantim të tillë në kryeqytetin e Kosovës, ai edhe më tutje e vërteton se nuk erdhi këtu që të kërkoj maksimumin e kushteve por gjetjen e një zemre të bardhe, zemër që tashmë e gjeti brenda prishtinasve. “Me të vërtetë jam shumë i përmbushur” thotë Pirgu, i cili edhe përkundër faktit që nuk kishte qenë asnjëherë, ai ishte në dijeni për mungesën e një salle.
Ndërkohë, mungesën për 13 vjet në Shqipëri, dhe mungesën për gjithë jetën në Kosovë, Pirgu e arsyeton edhe me një fakt tjetër. Ai ishte në kërkim të pjekurisë artistike.
“Kur të rikthehesh, duhet të arsyetosh mungesën tënde me punë dhe pjekuri profesionale. Rikthimi në skenën e Teatrit të Shqipërisë ishte sikur një bashkëbisedim me prindërit, ndihesh i vogël. Pasi që kthehesh pas shumë titujve të mëdhenj, dhe kjo pjekuri pastaj do edhe satisfaksion ndaj publikut, por edhe ndaj vetes, në mënyrë që të japësh më të mirën” vijon Pirgu.
Tenori Pirgu kujton se prej vitit 2012 e këndej karriera e tij kishte marr një hov të madh dhe kërkesat për paraqitje në shumë shtete të botës kishin pamundësuar ardhjen në vendin prej nga edhe ka rrënjët, pastaj kujton edhe kohën e restaurimit të objektit të Teatrit të Operës në Tiranë, sikurse më pas edhe periudha e pandemisë. Të gjitha këto kanë krijuar një distancë me Tiranën, përderisa prenotimet për vendet e tjera tashmë kishin zënë vend në kalendarin e tenorit shqiptar.
Dhe këtë mungesë të gjatë, Saimir Pirgu e arsyetoi edhe me projektin “Saimir”. Në dy kryeqytetet shqiptare ai ka sjell edhe albumin e tij me opera të përzgjedhura, dhe është më se i lumtur që për herë të parë ka arrit ta regjistrojë në një shtëpi diskografike “Arien e Lekës” nga Opera e Skënderbeut, dhe sipas tij, nuk është i lumtur vetëm për faktin se ka përfshirë një arie shqiptare, porse është përshtatë jashtëzakonisht edhe me ariet e tjera të përfshira në album.
“Unë do të isha i kënaqur nëse edhe njëherë do të këndoja në një opera në gjuhën shqipe, por duke parë se vështirë është të punojmë në krijimtarinë e dikurshme, ideja më e mirë ishte që ta prezantoja në albumin tim”, ka thënë Pirgu i cili është lumturuar edhe më shumë kur kritika botërore i ka dedikuar një vend të posaçëm pikërisht Aries së Lekës, po kësaj arie që është në mesin e 20 arieve të albumit “Saimir”, që tashmë është albumi i tretë i Saimir Pirgut.
Për publikimin e albumeve tenori Pirgu ka një mendim, pasi që sipas tij bota diskografike është një perëndim, por, sipas tij këto publikime i bën për adhuruesit në moshë të madhe, që edhe më tutje kanë nostalgji për dëgjimin e albumeve në format tjetër, edhe pse, të gjitha këto materiale i ka edhe në platformat e kohës së fundit, atij online.
Saimir Pirgu vazhdon edhe më tutje të jetojë në Itali, po në atë shtet ku i dha shkëndijat e shpresës së botës artistike, por pyetjes së nëse e ndjen vetën qytetar të një vendi apo të krejt botës, ai edhe më tutje këtë ndjesi e ka të shpërndarë.
“Vazhdoj të jem qytetar i Italisë, jam një qytetar nostalgjik, nuk parapëlqej të ndërroj vende. Unë mbusha tashmë 43 vjet, ndërkohë më janë bërë dy dekada që këndoj nëpër botë dhe e kam të vështirë të them se ku jam në shpi. Instinktivisht mund të ndihem si në shtëpi në Itali apo në Vjenë, por zemrën e kam në Shqipëri. Vështirë ta them, mbase edhe qytetar i botës dhe i artit po. Mund të jem edhe ambasador i kësaj gjëje, por mendoj se është një pyetje shumë e vështirë për të dhënë një përgjigje kaq direkte dhe konkrete, por mendoj se këtu kanë rol edhe periudhat nëpër të cilat kalon, varet sa emocionalisht mund të ndihesh prej një periudhe në periudhën tjetër”, shprehet Pirgu, i cili edhe pse kapërcen prej një teatri në teatrin tjetrin, prej shtetit në shtetin tjetër, ai nuk harron vitet që ka kaluar si fëmijë në Elbasan e më pas edhe në Tiranë.
“Më merr malli për bugaçet e Elbasanit, nuk është puna se s’po gjen njeriu miell e s’po gjen gjalpë ti bësh edhe në Itali, dy peta më, por siç i bëjnë bugaçet dhe ballakumet ata në Elbasan, nuk mund ti bëjnë askund”, shprehet me nostalgji Pirgu.
Dhe një artist kaq i arrirë, me realizim të roleve kaq të mëdha, me prekjen e teatrove më të mëdha të botës ma thotë atë që më së paku pritet. Ai edhe pas 20 viteve në skenë krejt këtë periudhë e konsideron vetëm fillim.
Së fundi është prezantuar me rolin e Cavarados së Pucinit, dhe pikërisht këtë rol të këtij niveli, ai e konsideron fillim, por fillim të një niveli tjetër, atë të pjekurisë artistike.
“Unë jam në fillim, shumë në fillim, edhe pse nuk ka teatër që nuk kam performuar, nuk kisha qenë në Kosovë, dhe këtë e shijova si përjetim, po teatrot kryesore të botës tashmë i kam përjetuar” vijon Pirgu, i cili është një ndër tenorët më të famshëm në botë që pati fatin të jetë kaq afër me tenorin e famshëm botëror Luciano Pavarotin.
Të kesh një figurë afër sikurse ishte Pavaroti është një dritare që mund të shërbejë gjithë jetën, dhe si të tillë e sheh edhe Pirgu.
Ai çdo periudhë të vështirë, edhe atëherë kur mund të jetë i dërmuar nga puna, hapë po atë dritare të leksioneve të Pavarotit, dhe herë pas here zhytet në to. “Janë dritare që i hapi dhe i mbylli sa herë që kam nevojë për to, për aq sa më kanë ngelë në kujtimet e mia”, thotë Pirgu, i cili ka një peng edhe me këtë çështje, sepse në kohën kur kishte takuar Pavarotin, përpos që ishte i ri në moshë, ishte i ri edhe në karrierë, dhe sipas tij, kur je i ri nuk i kupton me të vërtetë leksionet e një gjigandi të skenës.
Se çfarë materiale ka nga Pavaroti e që publiku ende nuk i ka parë, Pirgu thotë se ka shumë xhirime me kamerë personale, të cilat do të selektohen në një kohë kur do ti vijë momenti, edhe pse, sipas tij, kujtimet me të janë përfshirë edhe në dokumentarin për Pavarotin, duke përfshirë takime, intervista dhe pjesë të tjera të rëndësishme. “Dp të merrem me ato materiale në një moment kur të kem kohë, por njëherë duhet të vijoj rrugëtimin tutje”, thotë Pirgu.
Por nëse edhe Saimir Pirgu është duke i pasuar këshillat te solistët e rinj, sikurse ka vepruar Pavaroti me të, Pirgu është më i rezervuar në këtë pikë. Ai mendon se nganjëherë një këshillë nuk mund të jepet në momentin e duhur, dhe mund të ketë një ndikim negativ, dhe mu për këtë çështje ai është shumë i kujdesshëm me të rinjtë.
“Ndryshe është me ata që jam afër në projekte, sepse është kontakt i përditshëm, dhe shumë shpesh mund edhe të jap ndonjë këshillë, por një këshillë me të rinjtë nuk mjafton me vetëm një takim, dhe po nga ai takim ta bësh të duhurën”, thotë Pirgu.
Tenori Pirgu, po ky tenor që ka shkëlqyer në shumë skena botërore, shumë shpesh ka rastisë që ta ndajë skenën me artistë shqiptarë, dhe këto paraqitje ai i vlerëson si një mrekulli.
“Edhe nëse do të donim, nuk do të arrinim që këto paraqitje ti bëjmë bashkë, sepse për rolet vendosin teatrot, dhe po teatrot na përzgjedhin. Dhe kur rastis që në një projekt të zgjidhen dy artistë shqiptarë, kjo është një mrekulli”, thotë Pirgu, i cili ka ndarë shumë shpesh skenën me Ermonela Jahon, Marigona Qerkezin, Elbenita Kajtazin, e sikurse që ka pas edhe kombinime të tjera ku kanë performuar mbi dy artistë shqiptarë nëpër teatro të botës.
Dhe një jetë e tërë nëpër botë, qytetar rezident në Itali dhe shumë kontakte me të huajt, ndodhë që artistët të ndjenjë edhe në palcë të qenit i huaj dhe për këtë fakt, Pirgu thotë se italianët janë më të vështirë në këtë pikë.
“Ka shumë raste, sepse racizmi ka nuanca të ndryshme. Ta zëmë, në Vjenë asnjëherë nuk jam ndjerë si huaj, përderisa në Itali po. Ndonëse shteti i Italisë është shteti që i kam dedikuar edhe jetën time, dhe kam investuar artistikisht po në këtë shtet, mendoj se është shteti më i vështirë për ti bindë artistikisht. Është si një arenë mes luanëve, nëse je i zoti, mund ta kapërcesh”, thotë Pirgu.
Dhe sapo e mendon se një artist si puna e Saimir Pirgut e ka karrierën si vaj, sepse ka shkelë teatrot më të mëdha të botës, ai e thotë të kundërtën. “Sa më shumë ngjitesh, konkurrenca bëhet edhe më e madhe. Është e përditshme, është evidente. Dhe kur e mendon se gjërat janë duke shkuar shumë mirë, bëhet më keq akoma”, thotë Pirgu i cili edhe këtë pjesë e akcepton, sepse sipas tij vetëm konkurrenca e bën më reale jetën e artistit.
Megjithatë, tenori Pirgu vlerëson se tashmë ka vënë në binarë rrugëtimin e tij prej tenori, punë që përpos asaj shpirtërores, vazhdon ti sigurojë edhe të mira materiale dhe një jetë të mirë, ai vazhdon të jetë në kërkim të së bukurës skenike, dhe se sipas tij, në këtë profesion, vetëm ata që kalojnë 30 ose 40 vjet karrierë skenike, tek atëherë mund edhe të kuptohet vlera e tyre artistike. “Për këtë arsye vazhdoj të them se unë jam tej A-ja. Ende është e largët rruga për të lënë diçka pas. Ky është prioriteti im”, thotë Pirgu, që vazhdon ta ketë në zemër artistin shqiptar Gaqo Çako, që sipas tij, Çako ishte një artist i madh po i pa fat, sepse lindi një një periudhë të vështirë të Shqipërisë, dhe se sipas tij, nëse do të ishin rrethana tjera, ai do të ishte një artist i tjerave përmasa. / KultPlus.com