3 Maj, 2022 - 6:30 pm
Monologu “Më pyesin ku je” riktheu për dy net rresht para publikut, çiftin e artistëve Albert Dedja dhe Dardana Berdyna. Teatri në Durrës shprehet se i nisur me një instalacion në shkallët e qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” e për t’u spostuar më pas në skenën e teatrit, monologu autobiografik trajtoi temën e eksodit dhe pikëpyetjet ekzistenciale të të gjithë atyre që kanë kapërcyer kufijtë e vendlindjes.
“Çifti i artistëve nga Shijaku u ngjit për herë të parë pas 31 vitesh në skenën e teatrit, ku ata nisën karrierën e tyre artistike. Një Dardanë këmbëzbathur që me monologun e saj ndërveproi me publikun në sallë, me pjesën e shkuar vite më parë në italisht nga bashkëshorti i saj Alberti.
“Çfarë rruge kemi përshkuar? Çfarë kemi dashur, çfarë kemi mbajtur? Cilët kemi qenë dhe cilët jemi bërë?”, janë disa nga pyetjet që Dardana ngre në monologun e saj”, thuhet në faqen e institucionit teatror.
Artistët Dardana Berdyna dhe Albert Dedja janë çift në skenë edhe në jetë. Ata jetojnë edhe punojnë në Itali, ku kanë ngritur atje edhe kompaninë e parë teatrale shqiptare “La quarta parete”.
Teatri “Aleksandër Moisiu” shprehet më tej se kjo performancë monolog, që merr shkas nga historia e tyre personale kërkon që të provokojë një reflektim kolektiv mbi konceptin e lirisë, të lirisë në fillim të viteve ’90, kur ata u nisën si shumë shqiptarë të tjerë drejt vendit fqinjë, por të lirisë së ditëve të sotme.
Monologu “Më pyesin ku je”, pjesë shkruar nga Alberti dhe interpretuar nga Dardana, është i ndërtuar mbi një koncept teatral, ku një miks formash artistike ndërthuren dhe zhvillohen në trasformim të vazhdueshëm, nëpërmjet filtrash paralelë, hapësirash fizike, metaforike dhe simbolike. Çifti Berdyna-Dedja u lindën në Shijak.
Pas diplomimit të Akademisë, Dardana si aktore e Alberti si skenograf, ata nisën punë në teatrin “Aleksandër Moisu”./diasporashqiptare/ KultPlus.com