25 Shkurt, 2021 - 10:54 am
Nga Aurenc Bebja
“Radiocorriere” ka botuar, me 6 qershor 1936, në faqen n°42, homazhin ekskluziv të aktores italiane Wanda Capodaglio-Campo për Aleksandër Moisiun, me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes se talentit me origjinë shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Moisiu nga Wanda Capodaglio-Campo
Burimi : Radiocorriere, 6 qershor 1936, f.42
Aktori i madh Aleksandër Moisiu, i cili vdiq në Vjenë vitin e kaluar, u kujtua në radio nga Wanda Capodoglio-Campo, aktorja jonë që ishte në krah të tij në atë që do të ishte faza e fundit e aktivitetit të tij artistik. Ne botojmë përkujtimin pasionant, të cilin aktorja e tha me thjeshtësi të admirueshme, e tradhtuar nga emocioni i saj intim aq i thellë, meqenëse aktori i madh ishte shumë i pranishëm në shpirtin e saj.
“Në përvjetorin e parë të vdekjes së tij, ata që, si unë, patën fatin të jetonin pranë tij, ta admironin, ta donin për cilësitë e tij të shumta, nuk mund të mos ndiejnë mirënjohje të thellë për Inspektoratin e Teatrit Italian që dëshiroi të nënvizonte këtë datë, duke kujtuar këtë figurë të madhe të zhdukur në mënyrë të parakohshme.
Unë e takova në qershor të vitit 1933 në Milano, kur ai erdhi për herë të parë në Itali për të recituar “Legjenda e Secilit (e të gjithëve)”. Dëshira për t’iu afruar këtij aktori të njohur, i cili për vite me radhë kishte mbushur Evropën me lavdinë e tij, më kishte shtyrë të kërkoja një pjesë të misterit të Ugo Hoffmansthal-it. Kur u gjenda në praninë e Moisiut, në skenën e Teatrit Lirik, përshtypja ime e parë ishte e habitshme: e kisha imagjinuar për interpretuesin e shumë klasikëve, për dishepullin e Reinhardt-it, një figurë imponuese, një zë bubullues, diçka heroike në çdo gjest, dhe përkundrazi ai m’u shfaq një krijesë krejt tjetër: flokëverdhë (bjond), i hollë, i përulur, naiv, me një maskë shumë të lëvizshme, dy sy të mëdhenj të qetë dhe depërtues, nga ku shkëlqente mundi (vlimi) i brendshëm.
Gjatë provave ai menjëherë zbuloi se ishte një maestro i madh; ai dinte se si të gjithë të ndiheshin mirë, për të gjithë kishte gati fjalën që bindte, sugjerimin që duhej, duke u shprehur me një ndrojtje dhe një ngrohtësi në të njëjtën kohë, që të bindnin. Të gjithë i jemi përkushtuar menjëherë: në mbrëmjen e parë të gjithë kemi qenë entuziastë dhe të lumtur me suksesin që solli interpretimi i tij. Mbrëmje e paharrueshme.
Kisha e Sant’Ambrogio-s në Milano, me arkitekturën e saj që arrin lartësitë e bukurisë me një thjeshtësi të mrekullueshme, u identifikua në mënyrë të admirueshme me përfaqësimin e parë të “Legjendës së Secilit” që Aleksandër Moisiu dha në gjuhën e tij amtare italiane. Atë mbrëmje u duk se dridhja e thënies së tij për herë të parë në gjuhën që nuk kishte mundur ta mbyllte (burgoste) brenda tij, u bashkua me madhështinë e zhveshur të oborrit ambrosian, në një harmoni prekëse.
Dhe artisti u prek nga ky kthim në të cilin shpirti i tij prej fëmije njohu fjalët e gjuhës së tij. Fjalët e para të thëna në agimin e jetës me lutjet e para. Ndoshta ky ishte tërmeti që dridhej në Pater noster-in e tij, si jehona e dashur e një pastërtie që nuk harrohet.
Ai më tha atë mbrëmje: “Nëna ime do të ishte kaq e lumtur. Dëshira e saj e fundit ishte që unë të recitoj në italisht. Ia pata premtuar, dhe sot më në fund munda ta mbaj premtimin”.
Nëna e tij ishte italiane, ndërsa babai shqiptar. I lindur në një Trieste të përçarë dhe i rritur në një mjedis me intelektualitet ndërkombëtar, ai nuk mund ta ndiente veten si një qytetar i një toke të vetme. Ai kishte mbetur i tillë gjatë gjithë jetës së tij i lidhur vetëm me atdheun e madh të artit. Derisa Italia e Musolinit, duke rrezatuar mendimin dhe doktrinën e rinisë së tij të re në botë, pushtoi papritmas edhe Aleksandër Moisiun, duke krijuar tek ai nevojën e brendshme për të ardhur mes nesh, e cila iu zbulua atij si emocion i papritur i një riatdhesimi. Dhe e tillë ishte në fakt, sa që ai ndjehej shumë italian dhe me këtë entuziazëm të natyrshëm, pas suksesit të Milanos, ai donte të bënte një turne artistik në të gjithë gadishullin. Kush nuk e mban mend pasazhin e tij triumfal me “Kufomën e gjallë” dhe me “Hamletin”?
Sepse arti i Moisiut në thelb kishte karakteristikën krejtësisht moderne të zvogëlimit (reduktimit) të shpirtit të personazheve, madje edhe të mbingarkuar nga sinteza ose të mbuluar nga simboli, në shpirtin e thjeshtë dhe spontan të njeriut.
Ishte fytyra intime, e fshehtë dhe, për këtë arsye, e butë, e shkëputur, pothuajse e ngathët e njerëzve që ai ju paraqiste, për të na dhënë të vërtetën më autentike. Moisiu artist dhe njeri ishin identikë në të gjitha aspektet. Personazhet që ai preferonte (luante) mbartnin gjithnjë diçka prej tij. Ai dëgjonte vetëm diktatet e zemrës dhe ndihej i qetë në shpirtrat e shqetësuar dhe të munduar. Ai nuk ishte aspak një borgjez : injoronte urdhrat, gjithçka në të ishte fantazi dhe temperament i egër. Ai urrente pedantrinë, njerëzit e ftohtë, të ndërlikuar, intelektualë, por pa shpirt. Jashtëzakonisht zemërgjerë, mund të thuhet mirë se dora e tij e djathtë injoronte atë që jepte e majta. Ai i përçmonte paratë. Ai ishte i prirur drejt të përulurve dhe të varfërve dhe askush nuk iu drejtua zemrës së tij kot.
Ai kishte besim te shpirtrat e mëdhenj, te poetët e mëdhenj: Dante, Shekspiri, Gëte. Mbi të gjithë, ai adhuronte Michelangelo-n. Ai ishte gjithashtu një njohës shumë i mirë i muzikës dhe zëri i tij ishte muzikor, i pagabueshëm, plot melankoli dhe trishtim. Ai e zbukuroi jetën për të gjithë: dhe përjetësisht i dashuruar në fjalët e poetëve, ai kërkoi vargjet me të cilat i bëri të dridheshin zemrat e dëgjuesve. Romeo afroi dhe rrethoi të gjitha Xhulietat me krahët e tij të ndezur (të ngrohtë); Hamleti, melankolik, meditues i thellë, zhvlerësonte njerëzimin; një Hamlet me një ndjeshmëri gati femërore; një Hamlet italian i cili dukej një i burgosur i shqetësuar i atmosferës nordike shekspiriane: Jedermann vdiq si një njeri i cili papritmas shikon kotësinë e jetës vetëm për t’u tërhequr në fund, kur thotë në një mënyrë të paimitueshme Pater noster-in. Ai këndoi, duke folur dhe ajo këngë ishte bërë një formë e shprehjes shumë personale që i dha atij një fytyrë të veçantë.
Pasi pushtoi (fitoi) atdheun e tij, ai kishte krijuar një entuziazëm të ri pune: propozoi të kryente një program të gjerë klasik për këtë vit, kishte lidhur një kontratë të rëndësishme me Amerikën e Jugut, ku duhej të shkonte me Kompaninë tonë për një kurs recitimi në italisht.
Gjithashtu për këtë turne ai dëshironte që përveç Shkëlqesisë së Tij Luigi Pirandello-s, i cili ia kishte besuar një nga veprat e tij, autorë të tjerë italianë të shkruanin për të. Ai kishte pranuar me gëzim të luante në një film personazhin enigmatik të Lorenzino de Medici. Ai ishte caktuar të luante Savonarola-n e Rino Alessi-t në Maggio Fiorentino.
Vdekja shkatërroi gjithë këtë entuziazëm të realizimit; por ai sigurisht u ngushëllua nga lajmet për shtetësinë italiane shumë të dëshiruar dhe të marrë përfundimisht.
Fatkeqësisht, ky lajm arriti në Vjenë në prag të katastrofës. Mjekët, për ta ruajtur nga një emocion i dhunshëm (i fortë), këshilluan që pacientit të mos i tregohet menjëherë; por kur e gjithë shpresa humbi, çaste para fundit, gruaja e tij donte t’i thoshte se ëndrra e tij e fundit ishte realizuar. Fytyra e zymtë e Aleksandrit të varfër u shndërrua, një dritë e tërë e pushtoi, ai dukej sikur po qetësohej, pastaj në një psherëtimë ai murmuriti: shumë vonë… shumë vonë!… Ai dremiti, pastaj erdhi deliri gjatë të cilit ai vazhdoi të murmuriste fjalët italiane, pasi që nga fillimi i sëmundjes së tij ai kishte folur vetëm në gjuhën tonë, mbase ndihej ngadalë të rikthehej një fëmijë… dhe fjalët e tij të fundit, para se të vdiste ishin: Venecia, Venecia e bukur… e bukur… kështu në vizionin e atdheut, të rizbuluar dhe kaq shpejt të humbur…, u shua ky shpirt i madh i një artisti shumë të veçantë, i një poeti të skenës, i një njeriu thellësisht të mirë.”
WANDA CAPODAGLIO CAMPO