14 Qershor, 2023 - 1:23 pm
Me një interpretim të jashtëzakonshëm, me lëvizje duarsh e këmbësh, e ndryshime të shpeshta në emocionet e fytyrës, gjashtë studentë nga gjenerata e re e koreografëve të Kosovës, i dhanë dritë errësirës që kishte mbuluar teatrin. Studentët arritën të fitojnë zemrat e publikut, e këtë më së miri e vërtetuan brohoritjet e duartrokitjet e panumërta të tyre, shkuan KultPlus.
Mesazhi i shfaqjes shkon edhe përtej të qeshurave të publikut që vini si pasojë e komedisë që interpretuesit e sillnin me aq mjeshtëri. “Megalomania“, ose vetëvlerësimi i tepërt, ishte thelbi i asaj që fshihej përtej sipërfaqësores. Secili nga të gjashtë studentët, prezantuan role e karaktere ndryshe prej tjetrit, por me një synim të përbashkët “etnocentrizmin”, e lartë në mendjet e tyre.
Pas përfundimit të shfaqjes nuk munguan as disa fjalë nga koreografi i kësaj shfaqje, Robert Nuha, për të cilin kjo shfaqje kishte kaluar çdo pritshmëri, përkundër kompleksitetit që di të sjell kjo punë.
“Kjo shfaqje i ka arritur pritshmëritë e mia, madje edhe i ka tejkaluar duke qenë se kompleksiteti që sjell para publikut ky lloj i shfaqjeve që është Dance Theatre, është shumë komplekse, dhe di të jetë shumë sfiduese dhe shumë sfilitëse për interpretuesit”, u shpreh Nuha i cili tutje tregoi se tema e shfaqjes është shumë globale, është shumë aktuale, është ‘Megalomania’ ose jetesa me madhështinë e rrejshme, ose jetesa për hir të falsiteteve, për hir të një jete megalomane e cila, shpeshherë di të jetë edhe e rrezikshme.”
Diçka që të tërheqtë vëmendjen ishin edhe balonat e shpërndarë kudo, e për të cilin, koreografi, Rober Nuha, dha një shpjegim:
“Baloni është objekti, rekuizita dhe gjithçka rreth së cilën ndërtohet krejt shfaqja. Më shumë ka të bëjë me “fryerjen” ku nga përjashta duket e përmbushur, ndërsa përbrenda është bosh. E kjo lidhet edhe me realitetin, ku shpeshherë fjalët i merr era, ndërsa ato që mbesin janë veprat”, përfundoi Nuha.
Pas shfaqjes, e cila shënoi edhe diplomimin e saj, për KultPlus foli Genta Hoxha, e cila ndau emocionet që përjetoi gjatë shfaqjes.
“Kjo shfaqje ka qenë me emocione të mëdha dhe me ushtrime shumë të gjata, deri në tetë orë në ditë. Është shfaqje e cila prek njerëzit që janë bërë të varur nga Instagrami, Facebook-u, përgjithësisht nga telefoni. Kjo është arsyeja se pse kemi përzgjedh për temë të diplomës, pikërisht këtë problem shoqëror”, tha Hoxha e cila më tutje theksoi se kanë punuar për një muaj e gjysmë rresht, duke nisur me prova të lehta, për të ardhur në përfundim, me dalje në skenë.
Për fund, i përfshirë nga emocionet e shumta, foli edhe i diplomuari tjetër, Ibrahim Tusha i cili u shpreh i lumtur për punën e realizuar.
“Po ndihem shumë i qetë dhe i lumtur që kam arritur të mbërrijë në një pikë të fuqishme, në një premierë kaq të vlefshme, e cila ia ka vlejtur për këto 4 vite rresht. Bashkëpunimi me koleg ka qenë shumë i mirë dhe produktiv, përkundër faktit se shfaqja ka qenë e rëndë”, u shpreh Ibrahim Tusha për KultPlus.
Ndërkaq, i’u kujtojmë që balerinët pjesëmarrës ishin Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Qendrim Makolli, Medina Koliqi, Genta Hoxha, Ibrahim Tusha, të cilët njëherit edhe u diplomuan mbrëmë në degën e koreografisë, në kuadër të AAB-së. / KultPlus.com