12 Mars, 2025 - 2:59 pm
Krijimtaria e aktores që theu të gjitha tabutë e kohës
Nga Isak N. Bilalli
Mejreme Berisha, nuk është thjesht një emër i përveçëm, respektivisht një punonjëse, e cila ka shërbyer një kohë të gjatë në një institucion kulturor, por një figurë emblematike që ka bërë shërbesë jetësore, të realizuar me shumë pietet në avancimin e vlerave kulturore në Teatrin e Qytetit.
Në teatër, ajo mbahet si një nga aktoret më të spikatura, me një arsenal të gjerë rolesh të interpretuara, e cila me dashurinë e saj, për skenën, ka arritur te konsiderohet si ikona e Teatrit të Qytetit. Aq sa është aktorja më e dalluar e teatrit, Mejremja është grua – simbol e qytetit të Gjlanit, që fushëveprimtarinë e saj e ka zhvilluar në shërbim te avancimit kulturor në çfarëdo lloj aktiviteti artistik që kanë organizuar institucionet kulturore komunale, rajonale dhe kombëtare ndër dekada.
Kjo është aktorja që theu të gjitha tabutë dhe klishetë e kohës dhe, duke qenë e tillë me specifikat e veta, është dëshmi e gjallë e përballjes direkte e të resë me të vjetrën, krijimtaria e së cilës, ndjek një nga rrugëtimet më të vështira dhe më sfidueset që një femër artiste mund te përballet. Këto lloj sfidash dhe vështirësish, në kohën e tashme, konsiderohen më të drejtë si jo-imagjinare, marrë për bazë stigmatizimin dhe paragjykimet që kanë dominuar në kohën kur Mejremja filloi dhe vendosi emrin e saj në listën e krye-kontributorëve të teatrit e të artit në Gjilan. Ishin vitet e rinisë së saj, vite të cilat Teatri i Qytetit po konsolidohej dalë nga dalë duke grumbulluar rreth vetes regjisorë, aktorë e dramaturgë Gjilanas që ishin shkolluar dhe kishin krijuar përvojë në shkollat dhe teatrot Jugosllave të kohës. Atë botë, vitet ’70-ta, kishte një mungesë të theksuar për aktorët femra, kohë në të cilën Mejremja merr guximin për t’ dal stuhive te kohës përballë krejt e vetme. Ne atë interval kohor ajo mori guximin t’i bashkohej plejadës se artistëve që shtruan themelet e shtëpisë që quhet teatër, por mos të harrojmë që përfshirja e saj ishte tabu temë e veprim për shumicën absolute, sepse në atë ishte e paimagjinueshme që një femër të gëzonte integritet profesional në shpalosjen e vlerave artistike në skenë.
Ne këtë kontekst, pyetjen qe ia adresova aktores Berisha, për hir të së vërtetës, m’u desh ta drejtoja me një dozë abiguiditeti dhe kurreshtje se si ka arritur te guxojë si 17 vjeçare të ndjek ëndrrën për t’u bëre aktore teatri? Ajo m’u përgjigj me një fjali, duke zbërthyer thjesht dhe bukur narracionin që unë prisja të ishte i gjatë: Jo të gjithë e kuptojnë rrugën që ndjek, mos e kthe kokën qe t’ju japësh shpjegime atyre qe nuk të kuptojnë…
Ishte sentenca e mësipërme zgjidhja e të gjitha zgjidhjeve, përgjigje që në vetvete ngërthen, para së gjithash dashurinë dhe pasionin e fortë që Mejremja e ka pasë dhe vazhdon ta ketë për teatrin, skenën, artin, të bukurën, për të cilën nuk e kurseu asnjëherë kontributin e saj, sado i vogël të ketë qenë, pavarësisht roleve që i janë besuar.
Me tutje Mejremja shpjegon me shumë modesti se dikush duhej thyer akullin dhe duhej mbytur paragjykimet me qëllimin e vetëm qe teatri dhe aktivitetet artistike, të ishin shtylla kurrizore e zhvillimit kulturor të shqiptarëve. Ne këtë kontekst ajo shpjegon që kishte edhe vajza të tjera të guximshme që ndiqnin të njëjtën ëndërr si: Xhevahire Murtezi, Shpresa Vokshi, Bedrije Rexhepi e të tjera, të cilat vinin me një elan dhe me një dashuri të pakushtëzuar për skenën, të cilat tok lanë gjurmë në zhvillimin e artit e teatrit në Gjilan. Pa përjashtim, Mejremja kishte miqësi, kolegialitet dhe afrimitet me të gjithë, por bashkëpunimi me Xhevahiren, e cila u nda nga jeta në pikun e karrierës, është cilësuar si nga duetet potenciale më të bukura që i bashkonte pasioni i madh për skenën.
Rrugëtimi profesional i Mejremes, dëshmon që ajo u formësua duke u bëre shtyllë kurrizore e teatrit, trajektore që shpeshherë ka prekur kufijtë e të pamundurës. Ky rrugëtim, duhet që në njëfarë forme të admirohet dhe vlerësohet si kontribut ekzemplar që meriton të ngritet deri në nivelet e falënderimit më të lartë shtetërorë. Për ta përshkruar, karrierën jetësore të Mejremes, është shumë e domosdoshme të ndalemi për të kuptuar arsyet apo shkakun kryesor se pse dhe si Mejremja arriti të prek majat e suksesit në karrierë, respektivisht kush e ndihmoi të arrinte këtu ku është sot?
Personi për të cilin flasim është profesor Nagip Berisha, bashkëshorti i Mejremes, një intelektual, piktor i kompletuar, artist, edukator e humanist, që ishte katalizatori dhe frymëzuesi që në çdo instancë e mbështeti të shoqen. Nuk mund të mos e takoja profesor Berishën dhe të merrja përshtypjet e tija për karrierën e së shoqes për shumë arsye; së pari, kam qenë nxënës i tij dhe kam ushqyer gjithmonë konsideratën maksimale si një nga mësuesit dhe pedagogët më të shquar të kohës dhe, së dyti, kureshtja për të mësuar formulën se si ky çift ka arritur t’i jap aq shumë kulturës Gjilanase.
Mejremja, në sytë e profesor Berishës, vazhdon të jetë dashuria e tij e jetës, e dashuruar njëlloj në artin dhe skenën, plot talent dhe ambicie për t’i dhuruar publikut sa me shumë art e kulturë. Ai ndjen një zbrazëtirë sa i përket karrierës së Mejremes, sepse me fillimin e trazirave të shpërbërjes së Jugosllavisë, karriera e saj u gjet në udhëkryq sepse institucioni, ku ajo punonte, u gjend në një formë paralize. Mejremja dhe e gjithë plejada e aktorëve të teatrit, nuk mund të krijonin lirshëm dhe ishin të shtyrë të vepronin në rrethana mbijetese, sepse shfaqjet teatrale kërkonin angazhim gjithëpërfshirës jo një lloj siç është krijimtaria në pikturë që mund të shprehesh individualisht.
Me pas, krahasova shënimet e marra nga Merjemja dhe rezultonte e njëjta gjë: Mejremja pohonte që pa profesorin nuk mund të imagjinohet një arritje e tillë artistike, sepse i shoqi, përveç se ishte bashkëshort i veçantë ështe para se gjithash një artdashës i madh, tek i cili prevalon respekti dhe mirëkuptimi human. Kjo relatë unike përkon si një histori e bazuar në ngjarje të vërtetë që mbase nesër të jetë një love story për të dëftuar këtë histori dashurie e një çifti që i bashkoi më shumë dashuria për artin dhe në shërbim të artit.
Si e filloi Mejreme Berisha rrugëtimin për t’u bërë figure emblematike e Teatrit të Qytetit?
Shkëndijat e para të dellit dhe guximit artistik të saj, dallohen që në adoleshencë të hershme nga mosha 12-13 vjeçare, kur Mejremja ishte figurë e pazëvendësueshme si recitatore e dalluar në nivel konkurrimi ndër shkollash dhe kompeticionesh letrare në Komunë.
Recitimi i bukur, të shprehurit artistik në poezi, potenciali i saj interpretativ, e bënë që artdashësit e kohës ta shihnin Mejremen me një të ardhme të ndritur, por askush nuk pandehte se ajo do bëhej pjesë e trupës së teatrit aq shpejt dhe aq natyrshëm. Historia e përfshirjes se Mejremes në teatër dhe realizimi i rolit të saj të parë, lidhet me përpëlitjet e regjisorit Muharrem Shahiqi në vitin 1976, i cili atë botë po vinte në skenë shfaqjen “Dasëm në Lufte” të autorit Minush Jero. Bartëse e rolit kryesor të femrës ishte Xhevahire Murtezi, e cila krahas roleve në teatër, ishte edhe anëtare eminente e ansamblit të valleve dhe në kohën kur duhej të jepej premiera e shfaqjes ishte paracaktuar gjithashtu pjesëmarrje e ansamblit në Rusi të cilën pjesëmarrje valltarja Murtezi duhej doemos ta ndiqte. Kjo përplasje në agjendë e kishte vënë në siklet të madh regjisorin Shahiqi, i cili nuk kishte pasë alternativë tjetër përveç se ta ftonte Mejremen që ta zëvendësonte rolin kryesor, respektivisht ta punonte rolin një recitatore që nuk kishte shkelur asnjëherë në skenë. Guxim i pashoq i regjisorit dhe i aktores së re, të cilët, së bashku në afat rekord realizojnë këtë sfidë enigmatike që në njëfarë forme ishte bileta hyrëse përmes portës së madhe për Mejremen, e cila natyrshëm mori tagrin si aktore meritore në Teatrin e Qytetit.
Kjo nuk është histori e zakonshme, ku një regjisor bën një zëvendësim të aktores dhe vihet në repertor shfaqja që është planifikuar, sipas një plan-programi të rregullt, por këtu është fillimi i një historie të pazakontë, në të cilin, artistja e re Mejreme Berisha, me këtë rol përfaqëson Kosovën në kompeticionin e teatrove në nivel Republikan në Kullë të Vojvodinës të kohës dhe shpërblehet me medaljonin e artë. Aspak e rëndomtë dhe as rastësore që kjo vajzë e re Gjilanase të stoliset me rolin e parë në skenë me mirënjohje nga nivelet më të larta artistike te kohës ne ish Jugosllavi. Falë këtyre arritjeve madhore, ajo zë vend si punonjëse e rregullt ne vitin1980, si aktore me kohë të plotë në Teatrin e Gjilanit aktivitet që vazhdon ta ushtrojë edhe sot.
Nga roli i parë, ajo nuk iu nda asnjë moment teatrit.
Për Mejremen, aq sa ka qenë mbresëlënëse mënyra e rrufeshme, se si ajo i bashkohet trupës së teatrit po aq frymëzues dhe i paharruar mbetet roli i parë, të cilin ajo e realizoi duke e cilësuar si më të veçuarin, në karrierën e saj. E gjitha kjo, lidhet me atë momentin kur artisti del në skenë për herë të parë dhe mbështillet me një magji që shoqërohet nga një aure e gjatë – e gjithë jetës në skenë.
Ajo vazhdon ta ndjejë magjinë që vetëm skena ia dhuron artistit, ndjenjën e mahnitshme duke filluar nga roli i parë dhe në çdo rol tjetër, ndjenjë e pa-përshkruar që artistit të vërtetë asnjëherë nuk i ndahet kjo aure.
Jeta në skenë dhe për skenën, ka edhe anën tjetër të medaljes që krahas ndjenjës së pa-përshkruar të krenarisë e madhështisë, është një nga detyrat më të zorshme që mund t’i ngarkohet njeriut, sepse duhet të lexosh brendinë e karakterit dhe ta pasqyrosh në skenë në dimensionin dhe thellësinë e duhur. Për ta servuar mesazhin, tek publiku në kohërat e më hershme ka pasë censurim të fortë dhe diktim nga lart që pushteti i asaj kohe ka ngulmuar në burgosjen e mendjes dhe mbajtjes peng të zhvillimit kulturor të shqiptarëve dhe për ta hequr qafe këtë lloj prange është dashur punë e madhe në teatër.
Sa ishte e vështirë të realizojë role në të shkuarën?
“Puna në teatër, është tejet e vështirë. Në vartësi të kohërave, shumë shpesh provat e tavolinës i mbanim në kushte të vështira me një ngrohëse që të ngrohte njërin krah por merdhiheshe nga pjesa tjetër, e kur punohej mizanskena sikur ishte pak më mirë sepse edhe lëvizje në skenë” ishte një përshkrim shumë domethënës që e shkoqita nga biseda me të, rrëfenjë, e cila dëfton dimensionin e vështirësive që ajo dhe aktorët janë përballur me kushte ekstreme për të prodhuar diçka që publiku e shijon për një orë a pak më shumë.
Mejremja, kujton me nostalgji që ato kohëra të vështira, në të cilat ajo dhe e gjithë plejada e aktorëve kanë punuar me pasionin më të madh në botë, gjithmonë me ambicien dhe qëllimin e përbashkët madhor në krijimin e një trupe të dinjitetshme dhe profesioniste që mbron vlerat letrare e kombëtare.
Askush, nga kjo kastë aktorësh, nuk ka pasë ambicie personale për t’i bërë promocion vetes si aktor/e më i dalluar se tjetri, por qëllimi ishte i përbashkët, që avancimi artistik të ishte në shërbim të një evolucioni kulturor dhe, këtë objektiv e ka arritur Mejremja bashkë me trupën e Teatrit te Qytetit, duke u bërë të dalluar në nivel krahinor, republikan e federativ të kohës. Kur jemi tek të arriturat e institucionit, Mejremja kujton me mallë dhe nostalgji të theksuar rolin e saj respektivisht shfaqjen “Princi i hijeve” të Teatrit të Gjilanit, shfaqje, e cila mori pothuajse të gjitha çmimet në festivalin e teatrove të ish Jugosllavisë. “Në atë kohë është punuar me pasion shumë të madh, gjithmonë me ambicien se do të realizohet objektivi madhor dhe në… “Teatri i Gjilanit” ia arritëm së bashku të jemi referencë e arritjeve më të mëdha profesionale të kohës”, pohon Mejremja.
Që nuk iu nda asnjë moment teatrit e skenës dëshmon historiografia e saj, por tejet interesante dhe e pazakontë është dalja në skenë e saj në shfaqjen “Certifikata e kurorezimit” me 07 mars të vitit (?) vetëm tre ditë pasi lind fëmijën e saj. Ky rast dëfton forcën e saj të pazakontë si dhe vullnetin për të realizuar zotimet e saja të dhëna. Po aq sa është frymëzuese kjo histori, është edhe inspiruese për gjithë ata artdashës e kolegë që e njohin Mejremen në mënyrën, se si ajo i bashkon dy dashuritë e saj: familjen dhe skenën në shërbim të artit dhe të së bukurës. Në këtë kontekst, nuk mund të lihet pa u elaboruar shfaqja/diadrama “Nata e Elverit”, ku ajo luan me të birin Kreshnikun në të cilën shfaqje gjejmë një mishërim artistik dhe emocional të një nëne që në skenë nxjerr në sipërfaqe nuanca të thella dashurie për të birin (e skenës). Publiku dhe kritika e ka vlerësuar lart realizimin e kësaj shfaqje, në veçanti për faktin se me këtë rol, Kreshniku diplomon në Akademinë e Arteve, Prishtinë, por Mejremja e kujton si rol me barrë të shumëfishtë, në të cilin kryqëzoheshin sfidat dhe arritjet familjare, në të cilën cilësi duhet të kujdesesh më fort për partnerin në skenë se sa për veten. Për me shumë, thelbi i shfaqjes prek kufij të paprekshëm në të cilën trajtohet edhe vrasja si formë e shprehjes së dashurisë për t’i shpëtuar vdekjes, përgjegjësi skenike që është shumë e rendë për t’u realizuar, e cila mishërohet me emocione të forta.
Role nga me te ndryshmet qe lënë gjurme te pashlyera
Mejreme Berisha, i takon llojit te aktorëve që ka pasë fatin të luaj role nga më të ndryshmet dhe i është përshtatur sikur specifikës së karakterit, por edhe moshës. Si e re, ka luajtur shumë role të plakave dhe, edhe në moshë të madhe, ka arritur shumë sukses të realizojë role të të rejave në moshë. Ky universializëm është mundësuar nga fakti se Mejremja ka pasë dhe e ka aftësinë e transformimit të plotë në skenë, për të cilin fenomen ajo shprehet se “Artisti duhet të konformohet në skenë në vartësi të rolit që duhet ta luaj”.
Kur jemi te varietetet e roleve, është me interes për ta theksuar për publikun të përmendet një nga shfaqjet kryevepër të saj, monodrama “Vdekja e një mbretëreshe” e realizuar në dy etapa të ndryshme, ta quajmë historike, ku jepen vështrime të ndryshme perceptive, referuar momentumeve. Kjo shfaqje është realizuar ne vitin 1998 (periudhë në vigjilje të luftës) nën regjinë e Hajdar Paçaradës dhe më pas ështe realizuar sipas konceptit regjisorial të Muharrem Sylejmanit ne vitin 2006.
“Vdekja e një mbretëreshe”1998, e punuar në kushte ekstreme reprezaljesh psikologjike dhe vuajtjesh njerëzore i është servuar publikut si forcë e motiv për të vazhduar me rezistencë, është pritur me ovacione të forta nga publiku, nëpër sallat e improvizuara nëpër fshatra të Gjilanit si një thirrje për bashkim e rezistencë, të cilën vetëm Mejremja ka ditur ta shpalos me shumë dinjitet.
Por, në mënyrën e vet, tekstit i njëjtë “Vdekja e një mbretëreshe” i 2006-shës, ka arritur të përcjell mesazhin e kohës që të jetë një thirrje dhe reflektim në njohjen e vujatjeve shekullore që ka përjetuar populli ynë. Të dy këto mesazhe të forta, të etapave të ndryshme, Mejremja ka arritur t’i përcjell në mënyrën më brilante të mundshme, për të cilën punë ajo stoliset dy herë:
-Në vitin 1998, si aktorja më e mirë ne Festivalin “Flaka e janarit” më 1998 dhe
-Në vitin 2006 çmimi special për interpretim në Festivalin Ballkanik të Teatrove në Korçë.
Mejreme Berisha, gruaja e hekurt e teatrit
Për aktoren e Gjilanit viti 2022, ishte një nga vitet më të vështira të jetës së saj, vit i një tërmeti të madh jetësor dhe vit i një përplasje titanike me sëmundje që Mejremja si në çdo përballje, arriti të mposht suksesshëm. Arsyeja e elaborimit nuk është e karakterit informativ pa shkas por është e nevojshme të trajtohen shkaqet e mirëfillta të kurës që ajo ka përdorur gjatë trajtimit që nga faza fillestare deri tek trajtimi kimioterapik.
Shumica e njerëzve, me diagnozë të ngjashme, lënë gjithçka anash dhe merren vetëm me trajtim mjekësor, por Mejremja ka bërë të kundërtën. Gjatë kohës kur diagnostifikohet ishte e përfshirë në dy projekte teatrale madje në role jo episodike: në shfaqjen “Gënjeshtër pas gënjeshtre” të regjisores Sevdije Ajeti dhe në diadramën e Shkelzen Berishës, me të cilët arriti dakordësinë që të vazhdonte punën pa pushim vetëm se të ngadalsohej ritmi i punës për shkak të terapisë që shkaktonte lodhja e rraskapitjes të vazhdueshme.
Me besimin në Zot, Mejremja ka ndjekur provat dhe vetëm ditën kur ka pranuar kimioterapinë, ka pushuar, ndërsa të nesërmen ka qenë prezente në prova. Vullneti dhe dashuria për jetën dhe për teatrin, ishin kura qe ajo të mposhtte këtë sëmundje të rëndë. “Në asnjë moment nuk mendoja për pasojat e sëmundjes, sepse mendjen e kisha në shfaqje dhe i kisha dhënë komandën e duhur trurit tim që unë do punoja në këto shfaqje një soj siç kam punuar në çdo projekt teatral ”- Shprehet ajo, duke qenë e bindur që Zoti ishte me të dhe puna është ilaç i gjithçkaje.
Mejremja vazhdon të punojë dhe jetojë në teatër, edhe pse mosha dalëngadalë po i afrohet pensionimit ajo nuk mendon të përkalojë në publik për të parë shfaqje por do të vazhdojë të qëndrojë në skenë për të na dhuruar më shumë emocione si aktore tashme e pa-zavendësuar. / KultPlus.com