8 Nëntor, 2018 - 5:20 pm
Aktori shqiptar Mentor Bajrami luan në Operën e Cyrihut në një shfaqje operistike të realizuar nga një regjisor rus i cili po mbahet në arrest shtëpiak në Moskë.
Në premierën e operës “Cosi fan tutte” të Mozartit që është shfaqur në Operën e Cyrihut, për të cilën është bërë zhurmë gjithandej nëpër botë për shkak se vjen si produkt i regjisorit rus, Kirill Serebrennikow, i cili po mbahet në arrest shtëpiak në Moskë, luan edhe aktori i ri shqiptar, Mentor Bajrami, shkruan albinfo.ch.
Për Mentorin duket të jetë Zvicra, vendi i ëndrrave. Ai, nga një i ikur i luftës së fundit në Kosovë, është bërë një aktor në “Opernhaus” të Cyrihut.
Sapo ka përfunduar shkollën e aktrimit në European Film Actor School EFAS në Cyrih, ai është bërë jo rastësisht pjesë e kësaj vepre operistike, por jo që ishte shqiptar nga Kosova.
Regjisori ka vizituar Maqedoninë për të marrë motive shqiptare për shfaqjen
Opera “Cossi fan tutte”, e cila ndërthur magjinë e muzikës, intrigën dhe mashtrimin dashuror, këtë herë regjisori rus e sjell me një koncept të ri, me motive krejt shqiptare nga rajoni i Maqedonisë.
Për të qenë pjesë e operës së kompozuar nga Mozarti, mbi libretin e Lorenzo Da Ponte, Mentori kishte marrë pjesë në audicionin e hapur sikur të gjithë aktorët tjerë. “Për mua është krenari të luaj në një nga kryeveprat e Mozartit, nga e cila mund të mësojnë të gjithë të dashuruarit. Pjesëmarrjen time në këtë rast e bën edhe më të veçantë fakti se në këtë inskenim ndërthuren motivet shqiptare nga Maqedonia. Regjisori rus kishte vizituar Maqedoninë për të sjellë skenografinë dhe kostumet e realizuara në Cyrih, të cilat janë tipike shqiptare”, bën me dije për albinfo.ch Mentor Bajrami.
“Sekreti i jetëgjatësisë së veprës është në magjinë e muzikës mozartiane, në historinë e mprehtë dhe intrigante të një basti të rrezikshëm”, flet ai më tutje për këtë vepër operistike dhe tregon se si ishte bërë pjesë artistike e saj. “Takova një shok të studimeve, i cili më tha se po bëhej një audicion në `Opernhaus`. Aplikova menjëherë online. Për mua ishte normale dhe më ftuan të paktën në audicion. Temperamenti i shqiptarëve më ka ndihmuar të plotësoj rolin e kërkuar nga komisioni i shfaqjes”.
Mentori pranohet në një konkurrencë të fortë
Mentori kishte marrë vesh pas një jave se qe pranuar për të aktruar në këtë shfaqje operistike botërore, që po përgatitej për herë të parë në Opernhaus. Sigurisht, nuk ishte pak që në mesin e 50 aktorëve të përzgjidhet si njëri ndër 3 më të mirët. “Kjo ishte diçka shumë e madhe. Sidomos po të mendosh se po ndodhte menjëherë pas përfundimit të shkollimit të aktrimit. Loja në këtë operë është ëndërr e secilit aktor. Pastaj nuk është rol dytësor, por bën pjesë në mesin e roleve kryesore. Është një nga dyert që më janë hapur në botën e aktrimit”.
Mentori, para kësaj, kishte luajtur në shumë shfaqje dhe reklama gjatë studimeve. Në njërën prej tyre “Miss Julie” i ishte dashur të mësonte përmendësh tekstin prej 72 faqesh, thotë aktori që nuk është ende ndonjë emër shumë i njohur për opinionin e këtushëm. Prishtinasi kishte bërë video satirike në Youtube, të cilat i sollën krejt rastësisht famë të papritur në Zvicër.
Kishte filluar me videot në Youtube
Gjithçka thotë të ketë filluar me kamerën e parë digjitale me të cilën Mentor Bajrami zbuloi brenda vetes aftësinë për të aktruar. Videot që i kishte postuar krejt rastësisht në Youtube, për shkak se llaptopi i tij nuk kishte vend, pas një kohe ishin shpërndarë gjithandej dhe njerëzit në rrugë filluan ta përshëndetnin.
Në rolin kryesor ishte ngjitur në skenë të filmit që në moshën 17 vjeçare për të vazhduar deri më sot në role të vogla e të mëdha. Mentori ka luajtur deri tash në disa filma dhe reklama në televizione të ndryshme.
Kishte provuar më herët të regjistrohej në aktrim por nuk ishte pranuar pastaj i ishte kthyer detyrimisht zanatit të shitësit.
Mund të ushqehesh një jetë të tërë ëndrrat për tu bërë i famshëm, por mjafton një çast magjik për ta kapur rastin. Këtë e dëshmon rasti i Mentorit. Ai kishte tentuar të bënte një shkollë aktrimi në Amerikë, por për shkaqe financiare kishte hequr dorë. Për t’iu rikthyer sërish provimit të fatit në European Film Actor School EFAS në Cyrih, ku, më në fund ishte pranuar dhe kishte diplomuar pas 3 vitesh.
Derisa thotë se për çdo ditë vijnë lajmet e mira për kinematografinë kosovare, Mentori ka bërë publike për albinfo.ch në këtë intervistë se i është bashkuar kastit të serialit “O sa mirë”, edicioni për diasporë. Por ai nuk ka treguar rolin duke e lënë suprizë për publikun.
Kishte ndjekur gjatë gjithë kohës, madje e ka edhe idhull, aktorin Jim Carrey, yllin e komedisë amerikane, ndërsa pëlqen aktorin kosovar Mensur Safqiun. Në Zvicër thotë se preferon aktorin zviceran, Bruno Ganz.
Mentorin mund ta ndiqni nga afër në skenën e “Opernhaus” më 13, 21, 28 nëntor 2018, në shfaqjen operistike “Cosi fan tutte” të Mozartit.
Luan edhe në serialin “O sa mirë”
Mentori ka bërë publike për albinfo.ch në këtë intervistë se i është bashkuar kastit të serialit “O sa mirë”, edicioni për diasporë. Por ai nuk ka treguar rolin duke e lënë suprizë për publikun. /KultPlus.com