27 Mars, 2021 - 12:00 pm
Suada Qorraj
Nën tingujt e muzikës që luante lehtazi krah për krah fotografisë së tij dhe familjarët që tashmë gjendeshin aty pranë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës filloi dhe nderimi për jetën, e humorin që dhuroi për dekada me radhë, aktori Rasim Thaçi – Cima.
Dhimbja e madhe që kishin familjarët, nuk arritën ta fshihnin dot, gëzimi dhe krenaria që ju dha gjatë tërë jetës, sot ishte bërë bashkë me ta. Ashtu plot forcë, prisnin miqtë, kolegët, e të gjithë ata që e deshën e jetuan me humorin e tij edhe në kohërat kur ligësia kishte trokitur në derën e gjithsecilit, shkruan KultPlus.
Për vite punuan e gëzuan së bashku, prandaj dhe sot s’kishte si të mungonte, për t’ia dhënë lamtumirën e nderimin, mikut, atij që Treshi Përsheshin e la me shtyllën e fundit. Për Sevdai Radogoshin – Qumilin, miku i tij nuk ka vdekur, jo për sa kohë që ai jeton në zemrat e popullit, ngase ai ju dha hare në kohërat më të errëta të vendit.
“Sot u nda fizikisht miku jonë, artisti i madh i skenës, artisti i popullit u nda fizikisht por do ta kujtojmë për jetë e mot. Ai nuk ka vdekur, as ai e as Leci, ata do të jetojnë në zemrat e popullit se bënë shumë për popullin në kohën më të vështirë, këtë popull të vuajtur e bënë me qeshë. Kush ka qëndruar me Cimën, e ka njohtë atë. Njerëzit e mëdhenj si Cima lindin në 100 vjet – një”, tha mes dhimbjes Qumili
Por, nuk ishin vetëm kolegët, miqtë ata që nderuan aktorin që la gjurmë në humorin shqiptar. Homazheve ju bashkangjitën edhe politikan të shumtë, e krerë të shtetit. Ndër ta ishte Kryeministri i vendit, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Glauk Konjufca, Vlora Dumoshi e shumë të tjerë.
Ushtruesi i detyrës së Presidentit Glauk Konjufca tha se Rasim Thaçi – Cima ishte pjesë e pandashme e familjeve tona për dekada më radhë, sepse ishte e pamundur të prisje vitin e ri pa musafirin e pashmangshëm.
“Jemi mbledhur për të ja dhënë lamtumirën e fundit artistit të shquar të popullit tonë, artistit të humorit do të thoja, Rasim Thaçit – Cimës. Rasim Thaçi ka qenë faktikisht pjesë e pandashme e familjeve tona për dekada me radhë sepse sidomos për ne që jemi të lindur në vitet e 80-ta ka qenë e pamundshme me e pritë vitin e ri e Rasim Thaçi mos me qenë musafiri jonë i pashmangshëm”, pohoi Konjufca.
Tutje ai ka shtuar se Rasim Thaçi nuk do të harrohet kurrë sepse në kohërat e okupimit ai ishte aty për popullin.
“Ai ka bërë një humor që ka qenë shumë i veçantë, ai na ka shoqëruar dhe na ka dhënë buzëqeshje në kohën e zymtësisë dhe okupimit. Prandaj do të mbahet mend gjithmonë, do të nderohet e do të kujtohet nga populli jonë. Humori i ditëve të sotme është që bëhet nga humoristët e rinjë është i ndikuar prej asaj që në fund të viteve të 80-ta bënin Treshi Përsheshi”, përfundoi Glauk Konjuca.
Ndërkaq kryeministri Kurti tha se si fëmijë është rritur me homorin e Cimës dhe se vonë e kishte kuptuar se ai quhej Rashim Thaçi.
Tutje ai ka shtuar se i ndjeri mund të ketë qenë edhe i pakënaqur por gjithherë ka qenë i gëzuar.
“Ai mund të ketë qenë ndonjëherë i pakënaqur dhe i palumtur por ka qenë gjithherë i gëzuar. Për shkak të kësaj mënyrë të jetesës së tij plot gëzim, vdekja e tij përveç se e parakohshme, na ngjan edhe e pabesueshme. Vendosëm lule të freskëta për këtë lamtumirë të fundit kur ne përkulemi me nderime dhe mall për Rasim Thaçi – Cimën”, ka thënë Kurti
E pranishme për homazhet, nderimet dhe lamtumirën e fundit ishte edhe ish ministrja e Kulturës, tashmë deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Dumoshi.
“Është një humbje e madhe për Kosovën ka qenë një artist një aktor i veçantë i cili na ka sjellë shumë gëzime në kohë të pa kohë që kemi kaluar si Kosovë. Është për keqardhje që nga viti i kaluar e deri më sot kemi humbur një plejadë të rëndësishme të cilët kanë dhënë kontribut për kulturën e Kosovës”, deklaroi Dumoshi.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe para fotografisë së vendosur në Teatrin Kombëtar të Kosovës për të nderuar aktorin Rasim Thaçi.
Abdixhiku tha se lajmin për vdekjen e aktorit të madh Cimës e mori me pikëllim të madh, duke potencuar se pandemia morri me vete artist të shumtë.
“Me pikëllim kemi marrë lajmin për vdekjen e aktorit të madh të popullit Cimën i cili ka qenë gjithmonë yll i skenës në Kosovë, ka qenë yll i familjeve tona, ka qenë njeri që na ka dhënë buzëqeshjen në kohët më të vështira. Ky vit i pandemisë ka marrë shumë artist nga ne prandaj ndajmë dhimbjen për një largim të një aktori kaç të madh të skenës sonë. Familjes, bashkëpunëtoreve dhe gjithë Kosovës i shprehi ngushëllime”, ka thënë ai.
Rasim Thaçi – Cima lindi në Vukovc të Drenicës. Cima në të kaluarën kishte qenë pjesë e klubeve të njohura vendore si Flamurtari e Prishtina.
Pikërisht në vitet e 80-ta Rasim Thaçi së bashku me Sevdai Radogoshin – Qumilin dhe Ibrahim Krajkovën – Lecin, formuan Treshi Përsheshin, treshen humoristike, që ndonëse herë pas here ndanin rrugët, fati gjente mënyrën e tij për ti bërë bashkë përballë ekraneve.
Rasim Thaçi – Cima vdiq dje në moshën 71 vjeçare pas një beteje disa ditore me Covid 19. Kurse varrimi do të bëhet në fshatin e lindjes, në Vukovc, prej orës 13:00./ KultPlus.com