Meta kthen sërish ligjin për Teatrin

12 Tetor, 2018 - 9:30 am

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta ktheu sërish për rishqyrtim në parlament, ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë, i cili pësoi ndryshime duke përfshirë hapjen e një gare.

Kjo është hera e dytë që Meta kthen ligjin për Teatrin. Herën e parë ai renditi të paktën 9 çështje të cilat sipas tij përbënin shkelje. Socialistët ranë dakord me dekretin, por pa marrë parasysh vërejtjet e Kreut të Shtetit, përcjell VoA. Nën trysninë e Komisionit europian, ata përfshin hapjen e një gare dhe jo më një procedurë specifike për kompaninë “Fusha”.

Për presidentin Meta, as gara e hapur nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje. Praktikisht gara duket se është e tillë vetëm në letër, pasi kompanitë e tjera përveç “Fushës” nuk do mund të plotësojnë të gjitha kriteret. Në ligj është parashikuar që për zhvillimin e zonës pas Teatrit, kompanitë konkurruese duhet “të kenë nënshkruar marrëveshje me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit”. Por njëri nga këta pronarë është pikërisht kompania “Fusha”. Mjafton vetëm që ajo të mos dëshirojë marrëveshje me ndërtues të tjerë, dhe këta të fundit janë automatikisht të skualifikuar.

Edhe presidenti Meta në tekstin e dekretit shprehet se një parashikim i tillë ligjor cenon drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm, por një proces selektiv konkurrimi./KultPlus.com

Të ngjajshme