“Metoda” në regji të Ilir Bokshit, premierë në Teatrin Shqiptar të Shkupit (FOTO)

23 Prill, 2019 - 3:04 pm

F

“Metoda”, në regji të Ilir Bokshit do të jetë premierë në Teatrin Shqiptar të Shkupit.

Do të shfaqet më 25 prill 2019, e enjte, me fillim prej ora 20:00, në objektin e Qendrës Teatrore të Fëmijëve në Çarshinë e Shkupit.

Autor i “Metodës” është Hordi Galceran, ndërkaq luajnë: Luran Ahmeti, Amernis Nokshiqi, Dritëro Ame dhe Fisnik Zeqiri.

Skenografia është realizuar nga Petrit Bakalli, kostumet nga Edlira Qyshka, ndërkaq muzika është kompozuar nga Art Lokaj.

Në veprën “Metoda”, katër aplikantë i nënshtrohen një procesi rraskapitës të përzgjedhjes, për një pozitë pune në një korporatë të madhe. Katër karaktere e natyra të ndryshme, por me përkushtim të njëjtë për të kapur thjesht dhe vetëm një karrige ekzekutive. Kjo vendosmëri e vetëpërmbushjes së vazhdueshme, justifikon veprimet e tyre në detyrimin për t’iu nënshtruar një serie testesh psikologjike me karakter darvinian të përzgjedhjes, të hartuara nga departamenti i burimeve njerëzore të koorporatës punëdhënëse.

Vepra fton publikun afër një pasqyre ku mund të zbulojnë se si ndërtohen grackat e jetës kapitaliste (që ndoshta edhe ka kaluar konceptin e kapitalizmit), kush bie në to e kush kënaqet dhe cfarë duhet bërë për të mos rënë.

Ndodhitë në të cilat përplasen personazhet vijnë mes humorit nga një anë dhe ankthit të vazhdueshëm e ligësisë nga ana tjetër. Të katërt, prezantojnë karaktere të definuar më shumë nga ajo se cfarë fshehin sesa ajo që është e dukshme.

Vecanësia e kësaj vepre qëndron pikërisht në kurthin e zbulimit të ndodhive mes zinxhirit që ngjan si lojë: kush po i bën cfarë kujt dhe pse?; dhe po ashtu në hijeshinë e pasqyrimit të politikës së marrëdhënieve ndërpersonale të cilat qëndrojnë si metafora për papërgjegjësinë e korporatave të biznesit dhe psikologjisë së vrazhdë e të pacipë. / portalb / KultPlus.com

Të ngjajshme