23 Tetor, 2020 - 9:41 am
Suada Qorraj
Kohë më parën, në vitet e hershme të jetës së tij, kishte jetuar në një nga fshatrat e thella të komunës së Obiliqit. ‘Në luftën e fundit në Kosovë na dëbuan nga aty, mua më vranë vëllain përpara se të vija këtu’, ishin këto vetëm disa nga arsyet e njërit nga protestuesit e vetëm që qëndronte përballë Qendrës së Dekontaminimit Kulturor në Serbi, hapësirës ku tashmë pjesëmarrësit e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ kishin filluar që të vinin, shkruan KultPlus.
‘Kosova, UÇK janë ISIS’ dhe ‘Shqiptarët janë terrorista’, ishin vetëm disa nga thirrjet që protestuesi i orëve të para të festivalit bënte përgjatë katër anëve të rrugëve, ku forca të shumta policore kishin krijuar kordone të gjata me qëllim mbrojtjeje. Krahas brohorimave të tij, ai përballë Qendrës së Dekontaminimit Kulturor kishte vendosur pllakata, si shenjë revolte, ku akuzonte NATON për vrasjen e fëmijëve serb, e udhëheqësit e Kosovës kriminel lufte.
Ndonëse protestën e filloi i vetëm, nuk u desh edhe shumë kohë që protestues të shumtë të zinin rrugët kryesore të Beogradit. Teksa këndonin këngë nacionaliste serbe, ata i quanin shqiptarët terrorist e bënin thirrje për vrasje të shqiptarëve.
‘Mbyte shqiptarin – mbyte shqiptarin’, Kosova është pjesë e Serbisë’, ishin vetëm disa nga thirrjet e këngët e protestuesve të shumtë, që kundërshtonin mbajtjen e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’. Kurse për organizatoren e kësaj proteste, Milica Đurđević Stamenkovsk, festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ është krejtësisht politik. Madje ajo ka theksuar se në Kosovë nuk ekzistojnë mbi njëzet mijë femra të dhunuara. Sipas saj janë shqiptarët ata që kanë kryer krime ndaj serbëve.
“Mirëdita, dobar dan’ është krejtësisht politike, s’ka të bëjë fare me artin dhe kulturën sepse në Kosovë vetëm ekziston populli serb dhe bashkësia e shqiptarëve. Kosova është e Serisë, ajo nuk është e njohur ndërkombëtarisht, nuk është e nevojshme të shkelet kushtetuta e Serbisë. Kosova dhe Metohija janë pjesë e Serbisë. Kosovarët janë duke gënjyer që janë mbi njëzet mijë femra të dhunuara, ata madje kanë mbytur serbët e Kosovës”, ka thënë Stamenkovsk.
Sipas saj shqiptarët dhe serbët duhet të komunikojnë mes tyre dhe jo të mbahet një festival si ‘Mirëdita, dobar dan’, që paraqet vetë anën e shqiptarëve për luftën e fundit në Kosovë.
Por, protesta nuk ishte vetëm njëri nga incidentet e para të këtij manifestimi. Nën tingujt e brohorimave dhe thirrjeve kundër ‘Mirëdita, dobar dan’ dhe shqiptarëve, kishte filluar hapja e këtij festivali. Teksa organizatorët po mbanin fjalimet e tyre një nga të pranishmit doli në skenën e improvizuar dhe bënte thirrje që të kthehej në shtëpi, pra në Kosovë. Ai thoshte se me shpërnguljen e detyruar në Serbi atij i ishte vjedhur fëmijëria. Jo shumë gjatë pas këtij incidenti, pjesëmarrësit filluan që të hynin brenda Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, vendit ku do të jepej shfaqja ‘Unë jam vet grua’.
Shfaqja ‘Unë jam vetë grua’ me regji të Kushtrim Koliqit, dhe nën lojën e mahnitshme të aktorit të vetëm i cili luan më shumë se 30 personazhe, Adrian Morina, sjellë historinë tejet të vështirë të spiunes transgjinore gjermane, Charlotte von Mahlsdorf, e cila i kishte mbijetuar regjimit Nazist dhe atij Stasi.
‘Unë jam vet grua’ bazohet në bisedat dhe intervistat e Doug Ëright me transgjinoren gjermane, njëherit tregtaren e antikuarëve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të vitit 1992, të titulluar po ashtu “Unë jam vetë grua”.
Historia e jetës së Charlottes tregohet nëpërmjet një shfaqje të gjatë një orë, e ku aktori i vetëm i kësaj shfaqje luan mbi 30 role. Morina në monologun e dhënë para publikut të mbrëmshëm ka luajtur rolin e babait të Charlotte, rolin e tezes e të dashnorit, miqve të Charlotte, ushtarëve nazistë dhe oficerëve të Stasit. Personazhet shfaqeshin të ngjitur shpinë për shpinë, e ndonjëherë edhe tre personazhe në të njëjtën kohë.
Për regjisorin Koliqi, gjetja e një aktori me komponentët që i duhen shfaqjes ka qenë shumë e rëndësishme për të. Ai ka thënë se ishte pikërisht Adrian Morina ai që posedonte inteligjencën dhe sensibilitetin ndaj temës që trajton shfaqja.
‘Faktikisht komuniteti i artistëve në Kosovë nuk është shumë i madh dhe ne i njohim shumë mirë kastën e aktorëve që i kemi. Kjo është një nga kastet që është shumë vështirë me e gjet një aktorë që ka 4-5 komponentë që kanë qenë shumë të rëndësishëm për mua. Duhet të ketë talentin, mënyrën për ndryshim, duhet të ketë sensibilitetin ndaj temës dhe inteligjencën. Unë mund të përmend edhe dy apo tre emra tjerë, por Adrian Morina është kallëpi i aktorit që i mbulon të gjitha këto kritere që unë kam dashtë me i gjete te aktori”, ka thënë ndër të tjera regjisori.
Koliqi ka shtuar se njerëzit që po kundërshtojnë festivalin janë pikërisht ata që kundërshtojnë edhe çështjen e personave LGBTIQ. Sipas tij kjo është pikërisht arsyeja që ka vendosur që të japin këtë shfaqje pikërisht në këtë festival.
Ndërkaq aktori i vetëm i kësaj shfaqje Ardian Morina ka thënë se nuk është hera e parë që ka luajtur në Beograd. Sipas tij ata tashmë janë mësuar me atmosferën që krijohet në këtë festival, madje ai thotë se beson që numri i protestuesve do të rritet në çdo edicion më shumë.
“Me thënë të drejtën nuk është hera e parë, sigurisht përmbi dhjetë herë kemi luajtur në Beograd në shfaqje të ndryshme. Gjithmonë në ‘Mirëdita, dobar dan’ është kjo atmosferë, dhe turmat e njerëzve po vijnë gjithmonë duke u rritë edhe besoj se krahas rritjes së turmave do të rritet edhe programi. Të luash në Qendrën për Dekontaminim Kulturor është çdo herë kënaqësi sepse ky vend mbanë emrin e një dramaturge, një kritike të artit, një luftëtare të të drejtave të njeriut, dhe njeriu të jashtëzakonshëm” ka pohuar Morina.
Sipas aktorit nuk është e lehtë për publikun që të ketë përballë vetës një shfaqje në gjuhën shqipe e cila përkthehet, e sidomos një shfaqje që ka shumë personazhe brenda. Por, sipas tij në momentin që shikuesit fillojnë që të kapin sensin e shfaqjes atëherë do ta kenë më të lehtë sepse historia e Charlotte është e jashtëzakonshme.
Adrian Morina ka shtuar se pasi ka lexuar tekstin e shfaqjes ‘Unë jam vet grua’ është impresionuar për shkak se teksti ka shumë personazhe. Sipas tij ai nuk ka besuar që do të luaj ndonjëherë një monodramë ngase nuk e pëlqente si zhanër.
“Kur e kam lexuar tekstin fillimisht jam impresionuar për shkak së teksti ka shumë personazhe, ti nuk e lexon si dramë me shumë personazhe dhe nuk duket vetëm dramë e një aktori, andaj kjo më ka nxitur të them menjëherë po. Më pëlqen kjo shfaqje edhe pse në jetën time asnjëherë nuk kam besuar që do të punoj me monodramë sepse nuk më ka pëlqyer si zhanër. Por realisht kjo nuk është monodramë, kjo është një monospektakël”, ka deklaruar aktori.
Krejt në fund Morina ka thënë se nuk beson që pas kësaj shfaqje do të luaj ndonjëherë monodrama tjera, sepse shfaqja ‘Unë jam vet grua’ është e një niveli shumë të lartë. Ai ka deklaruar se është dashuruar me personazhin e guximshëm e të jashtëzakonshëm të Charlottes.
‘Unë jam vet grua’ mbrëmë ngriti sallën në këmbë teksa duartrokitnin për lojën e jashtëzakonshme që bëri aktori Morina për një orë në skenën e Qendrës për Dekontaminim Kulturor.
Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ që ka filluar ditën e djeshme do të vazhdoj deri këtë të shtunë e ku do të zhvillohet debati, si dhe hapja e ekspozitës ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’. Gjithashtu përgjatë këtyre ditëve do të shfaqet edhe filmi ‘Shpija e Agës’ e regjisores Lindita Zeqiraj. / KultPlus.com