30 Maj, 2019 - 12:31 pm
Alberina Haxhijaj
Çdo vit festivali “Mirëdita, dobar dan” tregon se ka një mundësi bashkëpunim në mes të Serbisë dhe Kosovës. Arti është universal të paktën gjatë ditëve sa zgjatë ky festival i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 6-të, shkruan KultPlus.
Në kohën kur marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kosovës janë në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit, artistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë po arrijnë që të komunikojnë me njëri-tjetrin duke u fokusuar në shkëmbimet kulturore, por njëkohësisht duke diskutuar edhe të kaluarën por me vizion drejt një të ardhme stabile për të dy vendet. Qëllimi i këtij festivali tashmë është bërë i qartë.
Festivali synon që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e theksoi edhe Fiona Jelici, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në hapje të festivalit.
“Misioni i këtij festival është shkëmbimi kulturor dhe artistik në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Është një mundësi që qytetarët e Beogradit ti njohin muzikantët, aktorët, dhe artistët, përfaqësues të artit modern dhe të skenës letrare në Kosovë. Sidoqoftë “Mirëdita, dobar dan!” Është më shumë se kaq është një hap drejt stabilitetit të dialogut dhe bashkëpunimit në mes të dy popujve”, tha ajo duke ju kërkuar të pranishmëve që të mbajnë një minutë heshtje për dramaturgun Petrit Imami, i cili ndërroi jetë më 20 maj.
Mirëpo barrierat që këto shtete kanë mes veti vërehen akoma në këtë festival. Pjesëmarrësit nga Kosova janë të parët të cilët e vërejnë këtë, gjersa kontrollohen në pikëkalimin kufitar Merdare, nga policia e Serbisë, nëse ata kanë simbole të shtetit të Kosovës të cilat nuk lejohen që të hyjnë në Serbi. Mirëpo ata besojnë në qëllimin e festivalit, dhe kjo e bënë gjithë punën më të lehtë, sidomos për faktin se miqtë e tyre në Serbi edhe këtë vit, si viteve të kaluara u bëjnë ballë protestuesve serbë të cilët janë kundër këtij festival.
Zërat e protestuesve dhe thirrjet e tyre anti-shqiptare, gjersa mbajnë fotografi të cilat sipas tyre shfaqin krimet që shqiptarët kanë bërë ndaj serbëve bëhen edhe më të mëdha kur fjalën në hapje të festivalit e marrin shqiptarët. Por, sipas Kushtrim Koliqit, nga organizata jo-qeveritare Integra nga Kosova i gjithë mundi për organizimin e këtij festivalit ia vlen.
“Është shumë e vështirë të organizosh një festival por është edhe më e vështirë të organizosh një festival të tillë i cili organizohet në një ambient shumë toksik për shkak të marrëdhënieve politike në mes të dy vendeve. Dëshiroja që të falënderoj të gjithë që besojnë në festival, në idenë e tij, në ne dhe siç mund ta shihni edhe ata që duan të na bllokojnë nuk mund të na ndalojnë, sepse besojmë në vlerat e festivalit dhe kjo është e rëndësishme”, tha ai.
Vlerat që ka ky festival dhe mundësitë që ofron për bashkëpunim kulturor i theksoi edhe drejtoresha e organizatës Iniciativa Qytetare nga Serbia, Maja Stojanovic.
“Nuk është qeveria ajo që e sjellë stabilitetin, jemi ne përfaqësues të Shoqërisë Civile nga të dy vendet, të rinjtë nga Kosova dhe Serbia, kjo skenë kulturore dha një shansë për të bashkëpunuar që do të sjellë stabilitet, kjo është çfarë stabiliteti nënkupton dhe ky stabilitet do të jetë diçka që do të vazhdojë edhe me tej”, theksoi ajo.
Hapja e festivalit e bëri video-instalacionin “Le të bëjmë dashuri” nga artisti Shkumbin Tafilaj. Në ekranin i cili ishte i shtrirë në tokë vëreheshin shkrime nomade, ndërsa herë pas herë shfaqeshin fjalët “Le të bëjmë dashuri” në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe. Ekrani ishte i rrethuar me dhe, dhe sipas artistit Tafilaj, e gjithë vepra është e bazuar në historinë e të dy vendeve.
“Ajo që është shumë e rëndësishme është që të jetohet në paqe me dashuri dhe me respekt për njëri tjetrin dhe ky ishte motivi mbi veprën. Pastaj, vepra është zhvilluar në këtë koncept si videoinsatalacion i cili hyn në kategorinë e veprave post moderne përfshinë detaje shumë të rëndësishme të historisë sonë. Dheu, sjellë tokën e që është një mallkim për të dy palët pasi që synojmë territoret e njëri-tjetrit duke harruar që territori mund të shfrytëzohet e të jetohet edhe përmes një platforme tjetër që mundet me qenë dashuria e jo lufta”, theksoi Tafilaj, vepra e të cilit si detaj solli për publikun edhe alfabetin e Elbasanit.
Dita e parë e festivalit u përmbyll me shfaqjen e filmit “Nëntor i ftohtë” të regjisori Ismet Sijarina. Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.
Prezantimi i këtij filmi u përcjellë me duartrokitje të shumta nga publiku të cilat e befasuan edhe vet regjisorin. “Nuk e prisja këtë”, tha Sijarina gjersa tregoi tutje se ka pasur dëshirë që të tregojë atë që ka ndodhur para fillimit të luftës, pasi që shumë pak në kinematografinë shqiptare i kushtohet vëmendje kësaj periudhe dhe më shumë viteve 98-99.
“Filmi jonë siç e patë është për fillimin e viteve të 90-ta. Është një histori e pa treguar të cilën menduan që duhet për ta ndarë edhe me të tjerët. Siç e patë kemi dashur që fundin ta lemë të hapur pasi që filmi nuk përfundon në fund të tij, ai nuk përfundon as kur ne të dalim nga salla pasi që kemi dashur që publiku të flasë për filmin dhe për atë se çfarë ka mundur që të ndodh edhe kur të dal nga salla në mënyrë që ata të mund të bëhen pjesë e filmit. Në të vërtetë as unë si regjisor nuk e di se çfarë ka ndodhur me Fadilin, por ka mundur që ti ndodh çdo gjë, ishin kohë të këqija”, theksoi ai.
Sonte në natën e dytë duke filluar nga ora 18:00 do të mbahet debati dhe promovimi i librit “ Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, ndërsa në ora 20:00 do të shfaqet filmi “Ferdonia”./ KultPlus.com