29 Mars, 2018 - 11:00 am
Projekti për Teatrin Kombëtar solli debate të ashpra në komisionin e Medias. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u përplas me kryetaren e komisionit Albana Vokshi, e cila herë pas here iu drejtua se po gënjente.
Deputetët e opozitës kërkuan dhe dorëheqjen e ministres së Kulturës, duke e akuzuar dhe për shkatërrimin e qendrës historike të Tiranës. Seanca dëgjimore e zhvilluar në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për projektin e Teatrit Kombëtar nisi me debate dhe pyetje të shumta nga deputetët. Pas një sërë pyetjesh nëse do të shembet Teatri Kombëtar, Vokshi i kërkoi Kumbaros të japë dorëheqjen, duke e quajtur atë të paaftë.
“Je e paditur, jep dorëheqjen”, iu drejtua Vokshi Kumbaros.
Por ministrja e Kulturës refuzoi të dorëhiqet, duke pohuar se godina e Teatrit Kombëtar ka shfaqur shumë herë probleme dhe shembje të pjesë të ndryshme.
“Nuk e jap dorëheqjen. Unë flas për dokumente zyrtare. Kryeministri shpreh vullnetin politik për një godinë të denjë teatri. Mënyra si do të ndërtohet, do të jetë rezultat i procedurës ligjore. Do të ndërtojmë teatër të ri, sepse teatri për të cilin flasim është në kushte skandaloze”, tha ministrja Kumbaro.
Po ashtu ajo iu referua dhe një studimi të Institutit të Ndërtimit ku thuhej se godina e teatrit nuk plotëson asnjë kusht bashkëkohor. Ndërkohë, dorëheqjen e ministres Kumbaro e kërkoi dhe deputeti i PD Luçiano Boçi, i cili i tha se teatri po prishet për një arsye qesharake, për faktin se nuk është “monument kulture”.
“Ministria e Kulturës është institucioni që ndjek procedurat. Duhet patjetër iniciativa juaj për të ndërhyrë. Unë kërkoj dorëheqjen tuaj. Një qeverisje duhet të realizojë objektivat e saj duke respektuar ligjin. Ose jepni urdhër të ndalohen menjëherë punimet, ose largohuni. Ju po prishni teatrin për të rregulluar termin, meqë thoni se nuk përkon termi ‘monument kulture’. Si u falsifikua planimetria? A do e dërgoni çështjen në Prokurori?Ju gënjeni”, tha Boçi.
Në përplasjen me ministren e Kulturës kryetarja e Komisionit i përmendi Kumbaros dhe reagimet e specialistëve të ndryshëm në mbrojtje të teatrit, qëndrimin e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë apo dhe Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Por për këtë të fundit ministrja tha se nuk e njihte, nuk i dinte ekspertët. “Kush Forumi? Nuk i njoh ekspertët”, tha Kumbaro.
Por në vitin 2015 ishte po vetë Kumbaro që falenderonte Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë në hapje të Konferencës “50 vjet studim dhe restaurim i trashëgimisë kulturore shqiptare”.
“Dua të veçoj Cultural Heritage Without Border, për punën, pasionin dhe bashkëpunimin që kemi pasur dhe për të cilin angazhohem se do e vijojmë po aq të suksesshëm sa deri tani. Forumin për mbrojtjen e trashëgimisë, Shoqatën e arkitektëve , etj”, pohonte Kumbaro në tetor të 2015. Akuzat e deputetëve Në vijim të debateve në komision, kryetarja e komisionit e akuzoi Kumbaron se po shkatërron vlerat e trashëgimisë.
“Si mundet ju të mbroni ligjin e trashëgimisë kulturore kur ju po shkatërroni vlerat e trashëgimisë qëllimshëm. Raportoni këtu për atë që po bëni apo doni të bëni për shkatërrimin e teatrit”, tha Vokshi.
E pyetur disa herë nga kryetarja e Komisionit, nëse godina e Teatrit Kombëtar do të shembet për t’i lënë vendin projektit të ri me kullë të prezantuar nga kryeministri, Kumbaro tha se bëhet fjalë për një projekt-koncept, i cili është ende në fazën e shqyrtimit.
“Kompania private ka propozuar një projekt, një koncept dhe këtë koncept jemi duke e shqyrtuar. Jemi pikërisht në këtë fazë”, tha Kumbaro. Ndërkohë që kryetarja Vokshi iu drejtua ministres Kumbaro me fjalët se Studimi i Universitetit të Barit që ishte prezantuar më herët nuk thoshte në asnjë fjalë që teatri të shembej, përkundrazi duhej ndërhyrë. Qëndrimi i ministres ishte i ndryshëm nga ai i kryeministrit. “Teatri do shembet, sepse është jashtë çdo lloj standardi”, u shpreh kryeministri Rama më 12 mars.
“Kë të besoj unë, Kryeministri tha do shembet, ti thuaj jo. O ai është i çmendur, o ti je e çmendur”, tha Vokshi, shkruan SotNews.
E ndjerë e fyer, Kumbaro braktisi komisionin pas 5 orë debate. “Unë e ndërpres këtu!” pohoi ministrja. Pas ikjes së Kumbaros, Komisioni vendosi që çështja e Teatrit Kombëtar të mos mbyllet këtu, por që ministrja e Kulturës të thirret në një tjetër seancë dëgjimore./ KultPlus.com