18 Maj, 2018 - 7:42 pm
Erjola Azizolli
“Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit”, novela e dramaturgut të famshëm francez Eric Emmanuel Schmitt, ka mbërritur për publikun beratas mbrëmjen e djeshme nëpërmjet mjeshtërisë së Mirush Kabashit, i cili e ka përshtatur si pjesë teatrale.
Nëpërmjet monodramës së realizuar me mjeshtëri të lartë interpretative, Kabashi mbajti të mbërthyer publikun beratas që kishte mbushur sallën e Qendrës së Kulturës.
“Mesazhet e bashkëjetesës dhe tolerancës mes komuniteteve të ndryshme fetare, që transmetohen nga kjo monodramë, janë kaq shumë të nevojshme për shoqërinë tonë, e cila po kalon këto momente të vështira”, u shpreh Mirush Kabashi pak përpara nisjes së shfaqjes në një konferencë.
Si një teatër të madh e ka cilësuar qytetin e Beratit aktori i madh i skenës dhe teatrit shqiptar Kabashi, i cili është gati të interpretojë mbi urën shekullore të “Goricës” Apologjinë e Sokratit.
Po nga ky qytet Kabashi u shpreh dhe në lidhje me çështjen e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, për të cilën tha se “jo vetëm që nuk jam dakord, por ka nevojë për të ndryshuar një ligj të deformuar, i cili është më i keq se në kohën e diktaturës”.
Shfaqja e kësaj monodrame në Berat u mundësua nga Bashkia e Qytetit dhe fondacioni “Gazmend Toska”, dhe pasi ka prekur disa nga skenat e qyteteve kryesore në vend, mbërriti në qytetin muze. / KultPlus.com