22 Janar, 2018 - 9:02 pm
Gjatë jetës së tij, Sllobodan Millosheviqi, ndau popujt në Ballkan. E tani, 12 vjet pas vdekjes gjatë gjykimit të tij për krime lufte, i fuqishmi i dikurshëm i Serbisë pritet të ndajë sërish ata – kësaj here si karakter i një shfaqjeje.
Millosheviqi nisi një valë të nacionalizmit popullist për t’u ngritur në pushtet në Beograd më 1989 teksa komunizmi po binte në mbarë Evropën lindore, e më pas e udhëhoqi Serbinë në një dekadë luftërash në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.
I quajtur nga nacionalistët serbë si mbrojtës i tyre kundër kroatëve katolikë dhe boshnjakëve e shqiptarëve të Kosovës myslimanë, Millosheviqi u ofendua si diktator brutal nga Perëndimi dhe përfundimisht, pas një fushate bombarduese të NATO-s më 1999, humbi pushtetin dhe përfundoi në gjykim për krime lufte në Hagë.
Një shkrimtare me bazë në Beograd, Jelena Bogavac, tani ka shkruar një shfaqje e cila do të luhet nga serbë të Kosovës në Graçanicë që përpiqet të portretizojë kompleksitetin e plotë të një njeriu që ende fajësohet në Ballkan për vdekjet dhe vuajtjet e dhjetëra mijëra njerëzve.
“Fillimisht kemi dashur të bëjmë një shfaqje për të treguar tregime personale të serbëve të Kosovës në të ’90-at, por derisa po i bënim intervistat e kuptuam se gjithçka ishte e ndërlidhur me një emërtues të përbashkët – Millosheviqin”, tha për Reuters Bogavac, që e shkroi shfaqjen, transmeton Koha.net.
“Në shfaqje po prezantojmë kronologjinë e ngjarjeve që përfundojnë në Hagë”, thotë ajo gjatë ushtrimeve për shfaqjen e saj në Beograd.
Njeri familjar
I quajtur “Ngritja – Shou i Slllobodanit”, shfaqja është një mjuzikël që përqendrohet më shumë në marrëdhënien e tij personale me bashkëshorten e tij të fuqishme Mirjana, vajzën e tij Marija dhe djalin e tij Marko sesa në politikë, sipas skenarit të papërfunduar që e ka parë Reuters.
Në një skenë ai ngushëllon të bijën e tij për shkak të gjendjes së dobët financiare të radio-stacionit të saj, dhe në një tjetër ai i thotë Markos që e mos tejngroh ujin në pishinën familjare.
Pjesa e fundit e shfaqjes – gjykimi i tij në Hagë, ku ai vdiq nga një sulm në zemër më 2006 – pritet të përfundohet.
Shfaqja nuk pritet të kënaq shqiptarët që përbëjnë shumicën në Kosovë, që shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 2008 në një hap që ende nuk është njohur nga Serbia apo nga 40,000 serbë që ende jetojnë në Kosovë, transmeton Koha.net.
Rreth 800,000 shqiptarë u dëbuan dhe rreth 10 mijë të tjerë u vranë nga forcat e Millosheviqit në vitet e ’90-ta.
“Askush nuk do ta ndryshojë historinë me një shfaqje”, thotë Naser Shatrolli, regjisor e skenarist.
“Nuk ka rëndësi se çfarë thotë shfaqja. Millosheviqi është kriminel, tiran, që shkatërroi rajonin e Ballkanit, jo vetëm shqiptarët, dhe kështu do të mbetet dhe askush nuk do ta ndryshojë këtë”./ KultPlus.com