MKRS: “Arrëthyesi” lartëson artin e baletit kosovar

18 Dhjetor, 2023 - 10:59 am

Mbrëmë është dhënë premierë shfaqja Arrëthyesi”, interpretuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Orkestra e Filhamonisë së Kosovës.  

Shfaqja “Arrëthyesi” shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për këtë vit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në rrjetet sociale ka vlerësuar lartë këtë performancë, duke vlerësuar se “Arrëthyesi” mbrëmë ka lartësuar artin e baletit kosovar.

Nën koreografinë e Ilir Kernit dhe në bashkëpunim me artistë ndërkombëtarë, dy akte në tri skena të kompozitorit Çajkovski, u portretizuan me profesionalizëm të jashtëzakonshëm nga balerinët. Kjo është premiera e katërt e këtij viti nga BKK, e cila i shtoi një dimension të ri skenës artistike.

Të pranishëm në shfaqje ishin zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, drejtorë e përfaqësues të institucioneve kulturore, deputetë të Kuvendit të Kosovës, figura të tjera të njohura nga politika dhe arti, si dhe artdashës të shumtë. / KultPlus.com

Të ngjajshme