3 Prill, 2019 - 9:00 pm
Balerini Sinan Kajtazi, i cili aktualisht është ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, duhet t’i kthejë mjetet me të cilat është paguar për realizimin e shfaqjes “O.Taka”.
Ky projekt përfundoi në Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, për shkak se Kajtazi, sa ishte pjesë e Këshillit drejtues të Baletit Kombëtar, qe i pranishëm kur u votua projekti i tij, transmeton emisioni Express në KTV.
Por, sipas vendimit të Ministrisë, arsyeja pse ai duhet t’i kthejë paratë është shfuqizimi i një rregulloreje.
“Ju duhet t’i ktheni mjetet të cilat i keni pranuar për shfaqjen “Otaka”, sepse sipas rregullores nga e cila ju jeni paguar, e njëjta është shfuqizuar me Rregulloren e Qeverisë nr. 15/2018. Ju lusim që brenda një afati të shkurtër t’i ktheni mjetet në mënyrë që ne, si Ministri, të jemi në respektim të plotë të akteve ligjore”, thuhet në kërkesën e Departamentit të Kulturës që i është adresuar Kajtazit.
Kajtazi, për koreografinë e shfaqjes “O.Taka”, është paguar 1 mijë e 505 euro, derisa në total, realizimi i kësaj shfaqjeje ka kushtuar 4 mijë euro.
Balerini, i cili që nga muaji shkurt i këtij viti është duke menaxhuar Baletin Kombëtar të Kosovës, duke mos dashur ta komentojë kërkesën e Zyrës Ligjore, thotë se Ministria e Kulturës do të duhej ta rishqyrtonte dokumentacionin në të cilin pasqyrohet financimi i shfaqjes “O.Taka”.
Samir Hoxha, shef i kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, thotë se, bazuar në opinionin e Departamentit Ligjor të Ministrisë, Kajtazi duhet t’i kthejë paratë, për arsye se rregullorja me të cilën është bërë pagesa në llogarinë e tij, është shfuqizuar me rregulloren e qeverisë Haradinaj për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës.
Ministria e Kulturës, ditë më parë, e kishte dërguar projektin e shfaqjes “O.Taka” në Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Vendimi që shfaqja koreografike “O.Taka” të jetë pjesë repertorit të rregullt të Baletit Kombëtar, ishte aprovuar në fund të vitit 2017.
“O.Taka” vazhdon të jetë pjesë e repertorit.