19 Tetor, 2017 - 2:11 pm
Aktorët rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar grevën e tyre për ti pezulluar të gjitha shfaqjet në repertor, duke lënë një afat kohorë prej dhjetë ditësh, në mënyrë që të shohin se nëse po reagon Ministria për Kulturë Rini dhe Sporte, në kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me rritje të pagave, shkruan KultPlus.
Aktorët e TKK-së kanë kërkuar që pagat e tyre të nivelizohen me ato të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, dhe një kërkesë e tillë ka koston në vlerë prej një mijë eurove për një aktor.
Ditët tashmë kanë filluar të numërohen deri te këmbanat e grevës, mirëpo nga kabineti i ministrit të MKRS-së, po vlerësohet se aktorët me këtë paralajmërim kanë marë një vendim të njëanshëm.
“Ne jemi takuar me përfaqësues të Sindikatës së TKK-së, por edhe me aktorët, dhe kemi biseduar me ta në shqyrtimin e gjetjes së mundësive legale, për plotësimin e kërkesave të tyre. Por ata kanë marë një veprim të njëanshëm ku edhe kanë paralajmëruar pezullimin e shfaqjeve”, ka thënë për KultPlus, shefi i kabinetit në MKRS, Samir Hoxha.
Një periudhë prej dhjetë ditëve deri në plotësimin e kërkesave të aktorëve, për Hoxhën është shumë afatshkurtër dhe shumë e pamundur, pasi që, sipas tij, MKRS duhet të gjejë harmonizim me Ministrinë e Financave për gjetjen e një zgjidhje.
Ai vlerëson se në bazë të rregullores që përfshinë artistët, numri i performuesve është shumë më i madh, pasi që përfshihen edhe artistë të tjerë, dhe jo vetëm ata të TKK-së. “Në ditët në vijim, ministri Kujtim Gashi do ti takojë përsëri aktorët e këtij institucioni, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, por pa e garantuar atë pagë që e kanë kërkuar. Ne numërojmë mbi 400 krijues sipas rregullores për performues, dhe nëse do të rriten pagat për krejt këtë numër, atëherë është një ngarkesë shumë e madhe për buxhetin”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka thënë se kërkesat e aktorëve të TKK do të adresohen me kohë në Ministrinë e Financave, në fillim të vitit të ardhshëm, dhe sipas tij, vullneti i MKRS-së është që të zgjidhet ky problem./KultPlus.com