1 Maj, 2018 - 11:30 am
Në kuadër të fushatës “Për Bekimin” edhe Teatri Rom i Prizrenit i bashkëngjitet komunitetit artistik të Kosovës në nismën për ta lehtësuar shërimin e artistit dhe regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.
Teatri Rom i Prizrenit i cili funksionon që nga viti 1989, ka vendosur që monodramën “Panta Rhei” nga sezoni i kaluar ta performoj edhe një herë për hir të Bekim Lumit dhe kështu të dëshmoj se artistët janë më të bashkuar se kurrë për ta ndihmuar njëri-tjetrin.
Për hir të qasjes ndaj publikut, monodrama “Panta Rhei” do të performohet në gjuhën shqipe. Kjo do të jetë hera e parë që ky teatër performon shfaqje në një gjuhë tjetër (pos romishtes).
Të gjitha biletat e shitura (çmimi i së cilës do të jetë 1€+) do i dedikohen Bekim Lumit.
“Panta Rhei” ndërlidhet me shprehjen e filozofit grek Heraklit, që do të thotë “gjithçka rrjedhë” dhe pasqyron rrugëtimin e romëve gjatë kohës. Shfaqja e prezantuar shtjellon çështjen e persekutimit të romëve gjatë perandorive dhe udhëheqësve të ndryshme.
Në rol kryesor të Dellthanit, shfaqja “Panta Rhei” qëllim kryesor ka promovimin e mirësive dhe vlerave që romët ia dhanë shoqërisë. Duke i shëtitur shikuesit në dhomën e tij, Dellthani ekspozon zejet e romëve falë të cilave edhe mbeten gjallë.
Farkataria, si zeje dominante, dëshmon shkathtësinë e romëve për përpunimin e hekurit, që konsiderohet edhe të jetë arsyeja kryesore që romët i shpëtuan vrasjeve të shumta që kishin për cak eliminimin e tyre nga vendet ku jetonin. Elementet e bujqësisë janë poashtu të ekspozuara në dhomën e Dellthanit, i cili me krenari shpjegon se romët ishin dhe ende mbeten bujq të vyeshëm.
Përveç këtyre, edhe instrumentet muzikore janë pjesë përbërëse e shfaqjes e cila me ekspozimin e vlerave tjera shtesë të romëve (litarë, karrocë, sanduk për pastrimin e këpucëve, rroba të nënës së tij etj.), ka për qëllim vetëdijesimin e popullatës për të mirat e këtij populli me të cilat kontribuoi në mirëqenien e shoqërisë.
Sidoqoftë, Dellthani tregon se i gjithë ky kontribut gjatë gjithë kohës ka hasur në vesh të shurdhër dhe se romët vazhdimisht janë poshtëruar. E keqja është se kjo ende mbetet prima facie!./KultPlus.com
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10156315497138491&set=gm.145108723004482&type=3&theater