15 Dhjetor, 2017 - 3:30 pm
Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhaj, me regji të regjisores Elmaze Nura, javën tjetër vjen premierë në Teatrin “Dodona”, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Kjo shfaqje vjen nën interpretimin e aktores Aurita Agushi, ndërsa është kooproduksion me Teatrin “Dodona”. Kjo monodramë zhvillohet në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, ndërsa paraqet një personazh me emrin Nora, e cila duke u përpjekur që të jetë vetvetja përballet me konfliktet e brendshme e të jashtme, me vetveten e me të tjerët. Ajo për dhjetë vite përpiqet ta ruaj dashurinë për njeriun e jetës së saj i cili kishte qenë një disident dhe i burgosur politik. Është letra e lamtumirës ajo që e sjellë Norën në situata kritike, të skajshme psikologjike e jetësore.
Sot gjatë një konferencë për media, autori i kësaj shfaqje Besim Rexhaj theksoi se kjo monodramë është pjesë e një trilogjie me titullin e përbashkët “Vorbulla”, të botuar në vitin 2011 ndërsa tregoi ideja e këtij projekti ka qenë shumë e mëhershme.
Kurse regjisorja Elmaze Nura tregoi se ideja e këtij projekti daton që në kohën kur ajo ka qenë studente në Fakultetin e Arteve, ndërsa theksoi se kjo monodramë prek thelbin e qenies njerëzore.
“Në ditët e sotme rrallë shohim një triologji në mënyrën se si e ka filluar profesori Besim, qysh atëherë kam qenë e njoftuar me stadet e punës, me inspirimin e tij dhe me mënyrën e punës së tij. Jam shumë e lumtur që kam hyrë në këtë projekt i cili jo vetëm që prek thelbin e qenies njerëzore por edhe thelbin e relacioneve ekonomike-sociale, familjare dhe emocionale, dhe kjo si dramë, mua më ka dhënë shumë material që unë ta trajtoj se si unë e kam parë këtë dramë dhe e kam trajtuar në një formë pak më ndryshe se realizimet e tjera, mirëpo unë kam insistuar deri në fund që kjo dramë të jetë në versionin tim”, tha regjisorja Nura.
Regjisorja Nura po ashtu tha se një zhanër të vështirë siç është monodrama ka përzgjedhur aktoren Agushi, për shkak se këtij roli i duhet kapacitetit i saj aktoresk dhe intelektual, të dëshmuar edhe në bashkëpunimet e më hershme. Vetë aktorja Aurita Agushi tregoi sot se kjo është monodrama e saj e parë, dhe e cilëson si një nga “fushëbetejat” e saj më të vështira.
“Nuk është se nuk kam dashur të bëj më herët një monodramë, por kur e vendos t’i nënshtrohesh monodramës, gjithmonë kam menduar se kush do të jetë ai ose ajo regjisore që do të më udhëheq në këtë fushëbetejë. Mendoj që erdhi koha e duhur, me njerëzit e duhur që ta provoj vetën edhe në monodramë. Bazuar në bashkëpunimet e tjera me regjisoren, unë mund t’i dorëzohem asaj me sy mbyllur, sepse ajo gjithmonë ma garanton rezultatin dhe suksesin tim si aktore”, tha aktorja Agushi.
Kurse në emër të Teatrit “Dodona”, Valdet Rama tha se ndihet i lumtur që kjo shfaqje do të punohet për publikun e këtij teatri, duke vazhduar kështu t’u ofrojnë atyre kënaqësinë e veprave të mëdha nga profesionistë të mëdhenj. Muzika e kësaj shfaqje është e realizuar nga Memli Kelmendi, ndërsa koreografia nga Agnes Nokshiqi, me skenografi të Majlinda Kelmendit e kostume të Samka Ferrit, kurse ndriçimi nga Skënder Latifi. Premiera e kësaj shfaqje vjen më 20 Dhjetor, duke filluar nga ora 19:30/KultPlus.com