‘Monologjet e vrara’ sjellin dhimbjen dhe fjalët e pathëna të grave që janë viktima të Femicidit e dhunës në familje

5 Nëntor, 2024 - 11:53 am

Vjollca Duraku

Performanca “Monologjet e vrara” me regji të Xhemail Avdylit është dhënë mbrëmë premierë në formë të monologjeve të përcjella në sfond me pamje vizuele nga Anisa Ismaili, Rajmonda Ahmetaj dhe Qendresa Loki, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

“Monologjet e vrara” e shkruara nga Qëndresa Loki erdhën si protestë artistike, ndërgjegjësim dhe homazh ndaj të gjitha grave të cilat janë dhunuar, keqtrajtuar, e vrarë nga familja, bashkëshortët dhe individë të caktuar, duke zgjuar te publiku emocione të thella mbi atë se çfarë mund të kenë përjetuar këto gra.

As lotët nuk munguan gjatë performancave artistike të cilat trajtonin dhimbjen fizike dhe shpirtërore të viktimave, që fjalë për fjalë shprehnin vraga të thella të vetë qenies së tyre. Përmes tre monologjeve është shfaqur historia tragjike e Marigona Osmanit e cila është përdhunuar dhe vrarë nga burri i saj, Hamide Magashit- gruaja shtatëzënë që është vrarë nga bashkëshorti në oborrin e QKUK-së, dhe ajo e shumë grave të tjera që përjetojnë dhunë në familje.

Pas performancave emocionuese, në një prononcim për KultPlus, aktorja Anisa Ismaili ka thënë se arsyeja e trajtimit të këtyre temave ka të bëj me përmsat dhe aktualitetin e tyre në shoqëri.

“Këto të gjitha janë raste të vërteta që janë shkruajtur nga Qëndresa.Tekstualisht sot gjithçka ka qenë premierë edhe për mua. Kemi pasur këtë hapësirë sot, dhe kemi ardhur ta realizojmë. Vazhdimisht më thonë pse i realizoni në vazhdimësi këto lloj temash. Mirë do të ishte të realizojmë komedi ndoshta, por këto tema vazhdimisht janë prezente. Janë prezentë prej njerëzve, prej familjarëve që iu ndodhin këtyre grave”, ka thënë aktorja Anisa Ismaili duke uruar që këto të jenë rastet e fundit .

“Ne si artiste e kemi obligim të ngrisim zërin dhe përmes artit të tregojmë se çka ndodh në shoqërinë tonë. Vazhdimisht themi që gruaja është shtylla e familjes, por hajde të tregojmë që njëmend është shtylla e familjes. Të mos ketë raste të tilla, ose të reagohet më shpejtë dhe thjeshtë kjo performancë të jetë e fundit e këtij lloji. Ta bëjmë të ardhmen për komedi për gra të suksesshme, sepse gra të e tilla kemi mjaft në Kosovë”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa, Rajmonda Ahmetaj për shkak të ndjeshmërisë së vet procesit të shtatëzënisë ka thënë se ka përjetuar emocione të papërshkruara derisa interpretonte monologjet e grave shtatëzëna, jeta e të cilave është privuar nga bashkëshortët e tyre.

“E gjithë performanca është e koncentruar në monologje të grave të cilat më nuk ekzistojnë. Për faktin që momentalisht jam shtatzënë, i kam përfaqësuar të gjitha ato gra që janë vra gjatë shtatëzanisë. Ka qenë jashtëzakonisht emocionuese, po rrëqethem kur tash po flas duke e ditur se në çka kanë kaluar deri në atë moment ato. Ndoshta këto performanca të cilat i realizojmë janë shumë pak me atë çka duhet bërë për vetëdijesim të shoqërisë, pasi edhe gjatë kësaj jave që është realizuar performanca ka ndodhur edhe një rast i hidhur i një tjetër vajze”, është shprehur Ahmetaj.

Kurse, Qëndresa Loki e cila ka qenë edhe tekst shkruese e monologjeve është shprehur se nuk ka qenë aspak e lehtë për të krijuar tekste me një tematikë të tillë.

“Edhe vetë teksti në disa raste thotë që “NUK ËSHTË E LEHTË”, vërtetë nuk është e lehtë as për të punuar performanca të tilla, as për të shkruar tekste për performanca të tilla, e lëre më për gra të cilat kanë përjetuar dhimbje të tilla, Nuk është e lehtë! Pjesa ime shpërfaq një grua e cila dhunohet nga dy persona, nga e cila dhunë ajo e gjen edhe vdekjen”.

Lokaj më tej ka thënë se çdo lloj dhune e përjetuar të mos heshtet, por të adresohet dhe të trajtohet nga organet kompetente me urgjencë në mënyrë që të parandalohet hovi i ngjarjeve të tilla të kobshme.

“Çdo fjalë e çdo gruaje që përjeton qoftë dhunë fizike, psikike apo çfarëdo lloj dhune që ajo e përjeton, dhe në qoftëse vetëm një individi ajo ia tregon atë lloj dhune të cilën e përjeton, e lus atë individ kushdo qoftë ai ta flasë me dikë tjetër. Ta drejtojë problemin diku tjetër që ky problem të mos haset në vesh të shurdhër, por të parandalohet dhuna dhe secila vrasje e secilës grua që po ndodh në vendin tonë”, ka thënë Loki.

Ndërkaq, Xhemail Avdyli ka thënë se një performancë e tillë ka qenë një lloje proteste artistike, e cila ka ardhur si formë ndërgjegjësimi për shoqërinë.

“Përmes monologjeve kemi gjetur mënyrën më të mirë për ta emancipuar në një farë mënyre publikun. Të tre monologjet janë të bazuara ndoshta në ngjarjet më tragjike që kanë ndodhur. Kjo lloj performance ka qenë një lloj proteste në formë artistike, duke u munduar që këtë ta sjellim atë se çka do të thoshin tani ato gra të vrara, si do ta përjetonin ato, si do të mund ta thonin ato dhe nuk kanë arritur dot për shkak se janë të vrara”, ka thënë regjisori Avdyli.

Kurse, artistja Arbresha Grabovci-Nixha e cila ka ndjekuar nga afër “Monologjet e vrara” u shpreh se ndihej e nderuar të ketë qenë pjesë e një perforance e cila dhuroi emocione dhe mesazhe të ndjeshme.

“Sonte ishte një nder i madh me qenë pjesë e kësaj performance të tri monologjeve, të tri aktoreve tona të shquara duke filluar nga Anisa Ismailit, Qëndresa Lukut dhe Rajmonda Ahmetaj. Sonte ka qenë një befasi e madhe për mua, për kundër asaj që më dha një emocion për botën e femrave për dhimbjen, për lindjen, për barrën, për dhimbjen fizike dhe shpirtërore, pata një nder t’i dëgjoj këto vargje të cilat janë të shkruara nga Qëndresa Loku, Jam e befasuar nga ky projekt”, ka përfunduar artistja Arbresha Grabovi-Nixha./ KultPlus.com

Të ngjajshme