3 Maj, 2019 - 2:14 pm
Drejtori i Teatrit Profesionsit të Qytetit të Gjilanit sot ka bërë një vit punë në rolin e drejtorit të këtij institucioni kulturor, dhe nëpërmjet një statusi në facebook ai ka kujtuar komentet e njerëzve kur kanë kuptuar që po e synon pozitën e drejtorit, e deri më sot, ku sipas tij, teatri i qytetit vlerësohet të jetë një ndër teatrot më të organizuara në Kosovë. Më poshtë e keni reagimin e plotë të Zymberit.
Sot janë bërë saktësisht 1 vjet prej kur e mora drejtimin e Teatrit të Qytetit të Gjilanit.
“Mos të paça borxh ku je tu shku! E pse n’teatër, bre? Llugë ki me i pas puntë! Ska pare, ska vullnet, fukarallëk! A po i vjen era myk hala? Në mujsh veç at’ vllagën më ia hjek, sen tjetër mos bo! A po marrin rroga? A hala me borxhe qashtu, a?”
Këto janë vetëm disa prej shprehjeve që i kam marrë herën e parë, para se të filloja punën si drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, e të cilat kishin të bëjnë me gjithçka përveç vlerave e krijimit të artit.
Sot, Teatri ynë, është ndër teatrot me produktivitetin më të madh kultuor në Kosovë, e them pa modesti, dhe ndër teatrot me numrin më të madh të vizitorëve . Është teatri i parë i qytetit që ka krijuar repertoarin ose kalendarin mujor të shfaqjeve dhe që e ka mbajtur e vazhdon ta mbajë atë edhe sot, për çdo muaj. Kemi themeluar Teatrin Magjik të Fëmijëve. Pjesëmarrës në afro 10 festivale të teatrove për 12 muaj. Janë 5 premiera të realizuara brenda 12 muajve dhe mbi 200 repriza të shfaqjeve tona. Ndër teatrot që ka marrë vëmendjen dhe përkrahje financiare të projekteve të tij nga programe të ndryshme ndërkombëtare si psh: Platforma Kulturore 2019 dhe Culture for Change / Kultura për Ndryshim, etj. Bashkëthemelues me teatrot tjera të qyteteve të “Asociacionit të Teatrove Publike të Kosovës”, i cili ishte ndër promotorët kryesor të rregullimit të gjendjes financiare të teatrove të qyteteve dhe funksionon si zë dhe mekanizëm i përbashkët i teatrove të qyteteve.
A e kemi pas vështirë?
Aspak.
Sepse mbrapa nesh kanë qenë dhe janë një ekip fantastik i njerëzve me të cilët
punoj dhe të cilët më kanë mbështetur vazhdimisht në çdo ide dhe plan tonin.
Falemnderit të gjithë aktorëve dhe gjithë punëtorëve teknik të Teatrit të Qytetit të Gjilanit për besimin.
Vazhdojmë së bashku. Deri në fund. A kemi edhe shumë punë? Shumë. Shumë. Ama, vërtetë shumë. Por, do t’ia dalim. Bashkë./KultPlus.com