Me moton ‘Në emër të Dashnisë’ mbahet parada e parë e krenarisë në Kosovë

5 Tetor, 2017 - 2:32 pm

Më datën 10 tetor do të shënohet parada e parë e krenarisë në Kosovë e komunitetit LGBTI dhe përkrahësve ku do të përcjellët me aktivitetet paraprake të Javës së Krenarisë më datat 06-09 Tetor.

Pas tre marsheve, ky do të jetë viti i parë që mbahet Parada e Krenarisë e cila do të filloj në ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundoi në sheshin “Zahir Pajaziti”. Pas përfundimit të paradës do të mbahet një fjalim në lidhje me ngjarjen dhe do të përfundoj me një koncert të shkurtë. Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është: “Në emër të Dashnisë”. Kjo moto ka për qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët për të treguar që komuniteti LGBTI ashtu si edhe gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin.

Gjithashtu, ftohen institucionet relevante që të angazhohen më shumë në zbatimin e ligjeve, strategjive të parandalimit të dhunës ndaj komunitetit LGBTI dhe ofrimin e shërbimeve në mbrojtjen dhe mirëqenien e viktimave.

Në studimin e kryer nga National Democratic Institute- NDI “Hulumtimi i mendimit publik për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor”, Kosova del të jetë vendi më homofobik në rajon, ku personat e këtij komuniteti janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës. Ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkëngjiten në Paradën e Krenarisë që kjo kauzë të bëhet më e zëshme, në mënyrë që shoqëria jonë të jetë më tolerante dhe pranuese ndaj diversitetit dhe dashnisë.

Organizatorë: Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD Qendra për Liri dhe Barazi – CEL Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut – YIHR Rrjeti i Grave të Kosovës – RrGK Këshilli Rinor Kosovar – KYC Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGj Koalicioni Të Drejtat e Barabarta për të Gjithë – ERAC Programi Univerzitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore Alter Habitus Qendra për Art dhe Komunitet – ARTPOLIS./ KultPlus.com

Të ngjajshme