11 Shtator, 2017 - 4:12 pm
Sarandë Selimi
Tashmë është rezervuar data për nisjen e rrugëtimit të 47-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ky festival edhe pse sipas organizatorëve nuk mori mbështetjen e duhur nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, padyshim që do vazhdojë të mbahet duke e ditur rëndësinë e tij në Kosovë dhe duke e pasur parasysh se ky është një ndër festivalet më të vjetra në vend.
Atëherë kur ishte ndarë buxheti i MKRS-së, duke shpalosur projektet që do të përkrahen për vitin 2017-të, këtij festivali kjo ministri i dha vetëm 3 mijë euro, para këto që Fatmir Hyseni, i pati thënë MKRS-së, t’i mbajë për vete sepse nuk mjaftojnë në mbulim të festivalit.
KultPlus ka biseduar me drejtorin e Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj – Fatmir Hyseni, i cili njëherësh është edhe organizator i festivalit.
“Festivali i teatrove në këtë vit e ka edicionin e 47-të dhe fillon më 21 tetor. Është e vërtetë se MKRS ka ndarë vetëm 3 mijë euro për këtë vit, dhe mendoj se ky është një vendim i gabuar duke marrë parasysh rëndësinë e festivalit dhe peshën që ka në artin skenik jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet shqiptare. Ne nga Ministria e Kulturës kemi kërkuar që ky Festival të jetë edhe pjesë e trashëgimisë shpirtërore, por përgjigje nuk kemi marrë. Kam deklaruar se ato 3 mijë euro Ministria mund ti mbajë për vete. Me këto mjete nuk mundesh as shpërblimet e Festivali ti mbulosh. Mirëpo, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj si çdo vit ka barrën kryesore buxhetore dhe me ndihmën edhe të sponsorit Raiffesen Bank besoj se do ja dalim që Festivali të vazhdojë më tutje”, tha fillimisht për KultPlus Hyseni, duke vazhduar tutje të tregojë se Festivali i Teatrove ka traditën e cila vazhdon rrugëtimin me një publik të shkëlqyeshëm, dhe pikërisht kjo i detyron organizatorët që ky festival të ketë përmbajtje cilësore nga gjitha trevat shqiptare.
“Besoj se këtë vit teatrot kanë bërë punë të mirë dhe Festivali varet kryesisht nga puna e po këtyre teatrove. Ne jemi në punë e sipër dhe po mundohemi që të kemi risi në Festival, me ndonjë punëtori të arteve skenike për të rinjtë, pasi që mbi 50 për qind e publikut është moshë e re”, pohoi Hyseni.
Sivjet në edicionin e 47-të të këtij festivali, do të prezantohen gjithsej shtatë shfaqje konkurruese dhe ndonjë shfaqje mysafire. Shfaqjet pjesëmarrëse sikurse edhe viteve të kaluara do të jenë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Hyseni tregon se ka shumë shfaqje të cilat janë duke i seleksionuar e të cilat njëherësh mund të shfaqjen në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj.
Krejt në fund të kësaj bisede, Fatmir Hyseni u shpreh jo fort i kënaqur me punën nëpër teatrot e qyteteve të Kosovës në përgjithësi, jo vetëm në Ferizaj. Ai tha se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione.
“Besoni se Teatri jo vetëm në Ferizaj, por edhe në Kosovë, është në gjendje mjaft të vështirë, duke e parë situatën ekonomike e politike në vend. Kur kësaj i shtohet edhe moszbatimi i Ligjit për teatrot, atëherë mund të themi se teatrot për momentin janë duke mbijetuar si institucione. Arti në Ferizaj ka më shumë iniciativa dhe bëhet punë më shumë se në shumë Komuna tjera, e kjo falë insistimit të krijuesve dhe vullnetit të tyre për të bërë art”, përfundoi Hyseni. / KultPlus.com