24 Shtator, 2023 - 4:30 pm
Nga: Sinan Gashi
Njeriu që është i tëri talent në vend si mish e kockë, i tëri përkushtim në vend se lakmi, i tëri sakrificë artistike në vend se pushtet, është pa mëdyshje Muharrem Qena.
I nisur një rruge të re jetësore e artistike, të parespektueshme për fillimin, aktori i lindur dhe ambiciozi i pashoq, që ta shpreh mendimin e idetë e veta të ngritura në mesazhe artistike, është i riu nga Mitrovica i viteve 1930, i cili përherë, derisa ia mundësoi shëndeti e mosha, nuk rreshti së dëshmuari se do, se mundet dhe se di ta begatojë jetën e njeriut, atë begati ideore e shijojë që e kishte në qenjen e vet.
Ai nisi rrugën e re, atë të aktorit, atë të artit teatral, që në vendlindje për të bërë shfaqje teatrale, duke tubuar rreth vetes grup entuziastësh dhe duke dëshmuar se ky është një art i ri dhe tejet i nevojshëm edhe për ne në Kosovë. Pas një kohe, ai nisë shkollimin profesional për aktor teatri e filmi në Beograd, për ta ndërprerë vetëm sa mësoi nismat e zanatit, kur dhe do kthehet në Prishtinë, për t’ia vënë themelet teatrit të parë profesionist në Kosovë. Me një grup shokësh tashti të ndjerë, ai krijon adhurimin e shikuesve, të cilët përditë e më shumë aktualizojnë këtë lloj arti. Edhe pse në kushte të rënda dhe nën një përcjellje të regjimit sllav, i cili kontrollonte temat e dramave, ata detyrimisht nisën me drama të përkthyera nga gjuhët e huaja, por që mundësisht të anonin kah vlerat njerëzore e univerzale. Madje edhe regjisorët ishin nga të huajt. Regjisori i parë që inskenoi dramën “Besa” të Sami Frashërit, por edhe shumë pjesë të tjera nga dramaturgjia botërore, ishte Muharrem Qena.
Kronologji e një jete të begatë
Vitet kronologjike të jetë – krijimtarisë së Muharrem Qenës, mund të radhiten këso forme: Më 1930 është i lindur në Mitrovicë, ku kreu shkollën fillore, kurse të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1947 pranohet student në shkollën e lartë të filmit në Beograd. Në kohën zgjatore 1948-1955 ai është në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, edhe si aktor edhe si regjisor. Ai kreu njëkohësisht edhe punën e dramaturgut, për shumicën e dramave të interpretuara, që ishte një intervenim i domosdoshëm për përshtatjen e teksteve të dramave të huaja për kërkesën tonë të mesazheve kombëtare.
Në vitet 1955 dhe 1956 ai kthehet regjisor në Teatrin e atëhershëm profesional Popullor të Mitrovicës, pra për dy sezona. Shfaqjet kulmojnë veçanërisht në rolet kryesore të dy aktorëve talentë të përhershëm: Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit – Qena. Pastaj, pasi mbyllet ky institucion, kthehet në Teatrin e Prishtinës, ku përgatiten edhe dramat: “Besa” e Sami Frashërit, pastaj “Nuk martohem me pare” e Murteza Pezës, “Mërgimtarët”, melodramë e maqedonasit Anton Parov, “Hani në rrugën kryesore” e Anton Çehovit, “Zhorzh d’Andoli” e Molierit, “Zonja me kamielje” e Aleksandër Dyma – Birit, e mjaft të tjera. Këto ishin në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Ai nga viti 1972 deri 1973 punon në Prizren, për teatrin e atëhershëm profesionist. I përgatit nja dy vepra dramatike. Në detyrën e regjisorit punoi edhe në Teatrin e Gjakovës, ku realizoi “Fisheku në pajë” të dramaturgut shkodran Fadil Kraja, e cila edhe ishte realizim për përpunimin e këtij teatri si profesionist. Kishte punuar një kohë edhe në teatrin e Shkupit, si regjisor mysafir.
Vepra që mbeti antologjike dhe që fitoi të gjitha shpërblimet e një festivale, ishte “Erveheja”, e dramatizuar sipas veprës së bejtexhiut Muhamet Kyçykut – Çamit. Edhe pse në pllakatë shkruante se është dramatizuar nga Ahmet Qirezi, gjithsesi ishte intervenimi thelbësor i Muharrem Qenës, i cili me përvojën regjisoriale që kishte, i dinte mangësitë dhe domosdoshmëritë e tekstit në raste.
Në festivalin e teatrove profesioniste të ish-Jugosllavisë, në Novi Sad, në një konkurencë të fortë, të gjitha shpërblimet e mundshme i ishin dhënë kësaj shfaqjeje, edhe për regji, edhe për aktrim, edhe për muzikë, edhe për skenografi. Aktivitetin profesional e përmbylli në TV, atëherë të Pristhinës, si regjisor në redaksinë e dramës, ku përgatiti seriale për fëmijë, dramën “Miu në xhep” të Hivzi Sulejmanit dhe një sërë programesh kulturo-artistike, dokumentare e zbavitëse, kryesisht për programet festivale për vitin e ri.
Muharremi si aktor filmi
Prirja e tij aktoreske, manifestohet natyrshëm dhe tepër me talent jo vetëm në dërrasat e teatrit, por edhe në film. Roli i parë ishte ai i ballistit, në filmin “Kapiten Lleshi”, film në temë nga LNÇ-ja. Më pastaj, në filmat e autorëve të Kosovës, aktivizohet në “Proka” të Isa Qosjes. “Njeriu prej dheu”, “Lepuri me pesë këmbë” të Ismail Ymerit, e disa të tjerë. Edhe pse në role episodike në raste, ai në çdo rast jep shenjat e një aktori të përkushtuar, i cili zbulon talentin dhe përshtatjen natyrshëm me karakterin e personazheve të ndryshëm, natyrisht nga filmi në film. Futet thellë në botën e rolit, për të dhënë me bindshmëri karakterin e tij dhe ngjizjen reale në raport me personazhet e tjerë dhe rrjedhën e ngjarjes në tërësi.
Muzika, një dhunti tjetër natyrore
I binte kitarës që në rini, duke emituar melodi të adhuruara të kohës, nga muzika jonë si dhe ajo e huaja. Po ashtu, gjatë ekzekutimit, edhe nxirrte tinguj që ishin origjinalë, që, më vonë, pasi ua shtonte tekstin, bëhej këngë e lehtë fort e adhuruar nga dëgjuesit. Edhe zëri melodik dhe fort karakteristik, që vështirë të emetohej nga dikush tjetër, bëri që disa nga ato këngë të mbesin hite. Tashti, këto ditë, u bë përurimi i më se njëzet këngëve të tija në një CD, në nis e me “Kaçurrelen” edhe sot aktuale, pastaj me “Shokut”, “Pa ty”, “Lamtumirë, “Kënga e çobanit”, e mjaft të tjera. Ajo që dëshmon përkushtimin edhe këtu, madje, është interpretimi i disa këngëve edhe në dy a tri variante, si me “Kaçurrelja” apo “Lamtumirë”. Ishte edhe koautor në disa nga këto këngë, por kanë ngelur disa interpretime të tjera që nuk janë përfshirë në këtë botim CD-je.
Muharrem Qena dhe Katarina Josipi në një skenë drame
/Muharrem Qena në vitin 1982, në Prishtinë, botoi dramën e vetme titulluar “Bashkëshortët”, e cila që nga titulli na fut në problemin me bashkëkohore dhe më aktual, atë të jetës bashkëshortore në shoqërinë shqiptare, paksa të vonuar. Muharremi, me përvojën e madhe të dramaturgut të veprave të përkthyera për teatër, mandej me përvojën e shumtë të inskenimeve të veprave të huaja dhe asosh origjinale, diti me saktësi se çka kërkon drama si zhanër, duke hedhë edhe talent prej artisti, në digresionet e rënjet e katarakteve emocionale në jetën e bashkëshortëve, për ta mbajtur lexuesin, përkatësisht shikuesin, në ankth deri në fund të përmylljes. Ai po ashtu kishte shkruar tekstin për operetën “Hoxha me tri fletë”, që në bashkëpunim me kompozitorin Rexho Mulliqi mendonin ta realizonin, por vdekja e atij e la përgjysëm projektin. Sido që të jetë, disa nga tekstet e këngëve të interpretuara nga ai dhe këto vepra të botuara, dëshmojnë edhe këtë kahje të dhuntisë krijuese.
Muharrem Qena duke e kënduar “Kaçurrelen” e famshme
Në përmbyllje
Ngase tani ai është në moshë të shtyrë dhe i pamundshëm për të krijuar në çfarëdo lëmie të dëshmuar artistike, mund të themi si rezyme, se Muharrem Qena, aktori, regjisori, këngëtari, dramaturgu, shkrimtari, dha këtë rezultat tashti shifror: Në 200 shfaqje ishte regjisor, në dhjetë drama aktor, luajti në pesë filma, interpretoi më se njëzet këngë të lehta dhe shkroi një dramë e një operetë.
Neve, gjeneratave të tanishme, na la mesazhin se dinte shumë nga sfera e artit, po jeta është e shkurtër për të shkuar deri në fund për të gjitha. Ajo që ishte kulminantja e forcës së tij, përgatiti për aktor dhjetra talentë, që u mungonte shkolla profesionale por kishin talentin. Kështu edhe erdhëm në ditët tona, të shkollave profesionale aktoreske, për teatër, film e regji. /KultPlus.com