Muradije Muriqi dhe Mejreme Berisha vlerësohen me Çmimin për Vepër Jetësore në fushën e teatrit

27 Mars, 2023 - 2:29 pm

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka shpallur Muradije Muriqin dhe Mejreme Berishën fituese të Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në Fushën e Teatrit për vitin 2022, shkruan KultPlus.

Ky çmim iu dha aktoreve nën arsyetimin e angazhimit dhe karrierës së gjatë skenike, profesionalizmit, disiplinës, si dhe kontributit të madh për zhvillimin e teatrove të Gjilanit dhe të Gjakovës.

Ndërsa Çmimi Vjetor për Aktoren më të Mirë në fushën e Teatrit, iu dha aktores Ilire Vinca me shfaqjen  “Babai dhe Babai”. Ky çmim iu dha aktores për performancën dhe esetikën ekspresive në mishërimin e personazhit, për shkak të kompleksitetit të karakterit në dramën familjare mbi personat e pagjetur, si dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në portretizimin e rolit të Sarës.

Çmimi Vjetor për Shfaqjen më të Mirë në fushën e Teatrit për vitin 2022, iu dha Qendrës Multimedia me shfaqjen “The Handke Project”.

Nën arsyetimin e inskenimit jolinear dhe trajtimin e materies së dendur dramaturgjike, si dhe pasqyrimin mbresëlënës ndaj shkrirjes së kufijve të dramës familjare dhe fatit social të zonave urbane-drejtë një dehumanizimi global, iu dha Çmimi Vjetor për Regjinë më të Mirë ju dha regjisorit, Fatos Beisha, për shfaqjen “Pornography”.

Kurse Çmimi Kombëtar për Prezantim të Suksesshëm Ndërkombëar në fushën e Teatrit iu dha Teatrit të Qytetit të Gjilanit, për shembullin e suksesshëm të prezantimit ndërkombëtar nëpër festivale të rëndësishme të teatrit të Evropës Qëndrore.

Në fund të ceremonisë për ndarjen e cmimeve fjalën e mori Mejreme Berisha e cila i falënderoi bashkëpunëtorët për të cilët tha se puna e saj pa ta do të ishte e pamundur.

‘I jam mirënjohëse shtëpisë time teatrore, kolegëve të mi, pa të cilët puna ime do të ishte e pamundur. Jam shumë e lumtur sot që pikërisht në kupolën e shtetit, ku punohet për kulturën e gjithëmbarëshme në çdo lëmi, vlerësohem sot për rrugën e gjatë, të lodhshme por edhe shumë të bukur’, është shprehur Berisha.

Fjalë falënderuese pati edhe fituesja tjetër e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, Muradije Muriqi.

‘Faleminderit të gjithë atyre të cilët më kanë përkrahur gjithë këto vite, falminderit publikut’, ka shtuar Muriqi.

Ndërsa aktorja Ilire Vinca, çmimin e fituar tha se u dedikon familjarëve të përsonave të pagjetur të cilët që 24 vite po jetojnë paqen e hidhur mes dhimbjes dhe shpresës për të vërtetën.

‘’E kundërta e luftës nuk është paqja por është arti’  dhe pikërisht kështu ndoshta festohet ky përvjetor, dita botërore e teatrit. Duke e pasur parasysh që e kemi një detyrë si artistë dhe sidomos me rolin që jam vlerësuar, e kam pasur një detyrë shumë të vështirë që fiks pas një muaji do të jetë dita e të pagjeturve dhe unë këtë cmim ua dedikoj familjarëve të 1600 personave të pagjetur të cilët jetojnë me paqen e hidhur mes dhimbjes dhe shpresës për të vërtetën’, ka thënë aktorja Vinca.

Pjesëtarë të jurisë vlerësuse ishin: Luan Jaha, Agon Myftari, Drita Begolli, Kumrije Hoxhaj dhe Alban Beqiraj, i cili edhe foli në emër të jurisë dhe shpalli fituesit për Çmimet Kombëtare në Fushën e Teatrit.

Ndërsa Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku u shprehu mirënjohje shtetërore komunitetit teatror për punën e madhe të cilën e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve.

‘Për nderë të Ditës Botërore të Teatrit shfrytëzoj rastin të shprehë mirënjohjet tona shtetërore, institucionale, gjithë komunitetit teatror të Kosovës, për punën e madhe që kanë bërë jo vetëm gjatë vitit 2022, por edhe për punën më herët dhe punën që po e bëjnë edhe tash’, ka thënë Çeku.

Përndryshe sot në botë shënohet Dita Botërore e Teatrit./KultPlus.com

Të ngjajshme