7 Korrik, 2022 - 10:30 pm
Një shfaqje e një karakteri tepër të veçantë ka ofruar Teatri “A.Z. Çajupi” i Korçës për publikun e qytetit. Rrëfenjat e famshme të Nastradinit, kanë ardhur në një formë tjetër. Nuk ka qenë publiku që ka shkuar në teatër, por anasjelltas. Aktorët kanë vënë shfaqjen nëpër rrugët e Korçës, duke bërë ndalesa në disa pika të rëndësishme të qytetit, si sheshi para Katedrales, Muzeu Arkeologjik dhe Mitropolia.
Aktorët e Teatrit A.Z.Çajupi, janë bërë bashkë me aktorë nga Italia dhe të rinjtë e talentuar të “Rin Show”.
Shfaqja “Në kepucët e Nastradinit”, me tekst e regji të Laura Fatinit, shijohet në lëvizje, dhe do të luhet edhe sot në mbrëmje. Ajo i është bashkuar projektit “Giufà” të një grupi artistësh të rinj italianë. Emrin ky projekt e merr nga versioni sicilian i Nastradinit, një personazh rrëfenjash, që ka jetuar në Turqinë e shekullit të 13-të, por që njihet në të gjithë Ballkanin e më gjerë, me emra të ndryshëm.
Shfaqja “Në këpucët e Nastradinit”, ngjalli shumë interes dhe argëtoi publikun”, është shprehur aktorja dhe njëkohësisht drejtore e Teatrit, Zamira Kita. Ajo i ka ftuar artdashësit, edhe sot, të mblidhen para Katedrales, për të nisur udhëtimin teatror. Shfaqja jo vetëm të argëton, por ka dhe nje mesazh shumë të bukur.
“Mos i ndaloni njerëzit të lëvizin, sepse rrezikoni të ndaloni historitë e tyre dhe kështu ju ndaloni jetën”-tha Kita.
“The Giufà Project”, është një “kuti” krijimesh artistike të zhanreve të ndryshme, dhe multikulturalizmi, që ka synimin të ngrejë ura komunikimi mes kulturave të Mesdheut./atsh/ KultPlus.com