23 Prill, 2018 - 10:30 pm
Nga autorja Marsha Norman, shfaqja “Natën ma” riktheu Ema Andrean si regjisore, në sallën e Teatrit Metropol të Tiranës me premierën këtë fundjavë për publikun.
Premiera, aktoret Ilire Vinca dhe Egla Ceno në rolet kryesore, u prit ngrohtë dhe me duartrokitje të shumta nga publiku. Shfaqja i dhuroi publikut që kishte mbushur sallën një përzierje emocionesh, lot, të qeshura, përqafime dhe përgëzime.
Vepra tregon fatin e një nëne, Telma 50 vjeçe dhe bijës së saj Xhesit, 30 vjeçe. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thotë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik.
Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale, që do të vijë nën konceptin ndryshe të Andreas, e cila njihet për zgjedhjen ndaj veprave të forta, transmeton Ata.
Në role kryesore interpretojnë aktoret Ilire Vinca dhe Egla Ceno. Është hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën e një teatri në Tiranë, ndërsa më parë është vënë në skenën e Prishtinës. E shkruar nga skenaristja amerikane Marsha Norman më 1983, kjo dramë ka fituar Pulitzier dhe është nominuar për çmime të rëndësishme.