28 Maj, 2018 - 2:43 pm
Përplot 15 herë, publiku në Tiranë e ka shijuar dramën “Natën ma”, me tekst të Marsha Norman e me regji të Ema Andreas. Salla e Teatrit Metropol në Tiranë, për 15 herë kishte mbushur ulëset për të parë lojën e Ilire Vinces dhe Egla Ceno. Ndërsa për të 16-ën herë, kjo shfaqje erdhi në skenën e Teatri Oda, në kuadër të Festivali FemArt, i cili ka nisë që nga e premtja në kryeqytet.
Kjo dramë me tekst të shkrimtares amerikane Marsha Norman, ka fituar Çmimin Pulitzer në vitin 1983. E gjithë ngjarja zbërthehet brenda një dite por që akumulon historitë e një jete të tërë. Të pathënat akumulohen në një ditë, në të cilën Xhesi kishte vendosur ta mbyllte vet kapitullin e jetës së saj.
Telma një grua e thinjur rreth të 50-ve që vjen përmes rolit të Ilire Vinces, nuk është se kishte qenë e kënaqur me jetën e saj, në një martesë ku dashurinë nuk e kishte zënë kurrë në gojë. Për burrin e saj, as tash pas vdekjes së tij nuk ndjen dhimbje përveçse neveri. E bija e saj Xhesi që vjen në rolin e aktores nga Shqipëria, Egla Ceno është një grua 30-vjeçare që ka lënë prapa një martesë të dështuar e duket sikur ka kohë që jeton mes depresionit kronik e nuk gjen as edhe një arsye që ta mbajë të gjallë në këtë botë. Një nënë që nuk del nga lëvozhga e jetës dhe Xhesi një grua që nuk pranon më të jetoj në këtë lëvozhg.
E gjithë shfaqja zhvillohet në një skenografi që i ngjan një dhomë të ndenjes, brenda mureve të errëta të shtëpisë, ato orvaten nga njëri skaj tek tjetri mes bisedash, pyetjesh e akuzave edhe ndaj vetes. Muzika është ajo që ia shton dramaticitetin edhe më shumë fjalëve të aktoreve. Ishte kjo përballja e fundit e Xhesit me mamanë Telman. Për Xhesin vendimi i saj tashmë kishte arritur në një destinacion ku nuk kthehet më mbrapa as nga të qarat e as nga lutjet e mamasë. E vetmja gjë që i kërkon nënës së saj është ndihma për të vdekur. Telma mes fajit shprehet se ajo në shansin e vetëm, nuk ia arriti ta bind Xhesin që të jetojë. Xhesi para se të ik në dritën e errët, e vesh nënën në fustanin e zi e ia mëson fjalët që duhet t’ua kumtoj të tjerëve për këtë fund. “Natën, ma”, është fjalia e fundit që dëgjohet për t’i parapri një klithme të rëndë të Telmas që tanimë duhet të vazhdoj jetën e vetme.
Ilire Vinca e cila këtë shfaqje e kishte luajtur për 15 herë në Teatrin Metropol, tha se mbrëmë është ndjerë për herë të parë si mysafire në Prishtinë. Pjesëmarrja e saj në dy ngjarje të FemArt thotë se e ka bërë që të ndihet si pjesë organike e këtij festivali.
“Për mua që të jem mysafire në shtëpinë time ishte një ndjenjë që nuk ndodh shpesh. Kalimi në një skenë tjetër, për aktorët është gjithnjë një sfidë dhe një premierë e re sa herë që ne e ndërrojmë ambientin. Për mua ishte kënaqësi që ta hap Festivalin me “Trojanet” dhe menjëherë më pas të jem pjesë me një shfaqje komplet natyrë tjetër. Kjo më ka bërë që të ndihem si pjesë organike e FemArtit”, u shpreh Vinca për KultPlus.
Për Vincen e cila është nga Prishtina kjo ishte një ndjenë e veçantë për miqtë dhe të afërmit këtu, të cilët nuk kanë arritur që ta shohin shfaqjen në Tiranë. Ajo tha se kjo dramë në skenë i nxjerrë të pathënat të cilat shpesh janë të pranishme në çdo familje. Ajo thotë se këtë shfaqje e ka përjetuar në mënyrë të veçantë falë partneres së saj në skenë Egla Ceno, regjisores Andrea dhe mikpritjes së Teatrit Metropol në Tiranë.
“Shpesh nënat i mbajnë sekretet në familje duke menduar që kështu i mbrojnë fëmijët e tyre, kështu që mendoj se kjo komunikon me secilin nga publiku. Shumë shpesh tragjeditë në jetë ndodhin sepse mundohemi të mos i themi të vërtetat apo kur thuhen tashmë është tepër vonë”, u shpreh për KultPlus aktorja Ilire Vinca.
Për aktoren nga Shqipëria, Egla Ceno jetësimi i këtij roli për të 16-ën herë në skenë ishte lumturi, sepse siç shprehet ajo e shikon duke jetuar personazhin edhe dy orë të tjera para se të vriste veten. Ajo tha për KultPlus se dha dhe mori shumë nga ky rol.
“Ishte kaq e vendosur që do e bënte vetëvrasjen sa askush nuk mund të bënte asgjë për t’i ndërruar mendjen. Një personazh si Xhesi nuk simulohet. Më vjen mirë që ajo përdori trupin tim për të folur, jetuar, për të celebruar jetën dhe vdekjen. Nga letër e shkronja e pash të merrte jetë, e pash të kujdesej për mua po aq sa unë u kujdesa për të. Të rrish me dhe për Xhesin në skenë është humane, drithëruese dhe profesionalisht një eksperiencë e mrekullueshme. I dhashë dhe i mora shumë”, tregoi Ceno.
FemArt, po vazhdon sot me programin e tij të ngjeshur, duke sjellë para publikut shqipfolës ngjarje nga më të ndryshmet që kryefjalë e tyre është gruaja./ KultPlus.com