13 Qershor, 2021 - 4:58 pm
Emri Naxhie Deva nuk është aspak i panjohur për ata që e duan artin e kulturën shqipe. Njihet si regjisorja e parë te ne, që veç aktrimit e regjisë, do të merret edhe me dramaturgji, lekturë teatri e me përkthime.
Në vitet 50-të të shekullit të kaluar, kur te ne luftoheshin ferexheja dhe prapambeturia ajo ngjitet në Teatrin e Mitrovicës, ku e krijon një ansambël djemsh e vajzash entuziastë, me të cilët, në vitin 1953, teatrin amator e shndërrojnë në teatër profesionist, shkruan KultPlus.
Deva flet në librin e Sanije Gashit – “Ecje nëpër kujtesë”, botuar në vitin 2012-të, kësisoj për Mitrovicën, qytetin e saj të lindjes:
– Mitrovica, kurrë nuk ka qenë e ndarë, dëshiron patjetër të bëjë një shpjegim, ndërsa dëgjohet me vëmendje: qytet me lumenj, me 3 salla kinemaje, me fushë të tenisit, me hekurudhë që nga viti 1874, qytet i Minatorëve të Minierës Trepça.. nga Mitrovica janë edhe personalitetet, figurat e shquara të historisë sonë, si Nexhip Draga, apostull i arsimit kombëtar, Isë Boletini, tribun popullor. Që të dy bashkëpunëtorë të Hasan Prishtinës…
****
– Populli ynë kurrë nuk ka qenë pushtues, por liridashës, çlirimtar. Përpjekjet për kryengritje të pakoordinuara, me peticione, nuk kanë pasur sukses. Për të ardhmen tonë kanë vendosur Fuqitë e Mëdha, fqinjët hegjemonistë dhe mos-uniteti ynë: interesi personal, klasor, partiak.
****
– Eh, amatorët që i kam pasur unë, brezi i Mitrovicës kanë qenë të arsimuar, të gjithë më pastaj janë bërë drejtorë bankash, doktorë shkencash kanë vajtur në diplomaci… Edhe femrat kane qenë të ngritura, ka qenë grup që nuk kanë punuar për para as nuk kanë luftuar për role, kanë qenë entuziastë të disiplinuar…
E lindur në Mitrovicë më 1927, në një familje intelektualësh, u shkollua në Tiranë dhe me aktrim e regji filloi të angazhohet si shumë e re, së pari në Teatrin amator në Mitrovicë, si iniciatore e formimit të këtij teatri e pastaj edhe në Teatrin Kombëtar.
Ajo ishte regjisorja e parë shqiptare pasi kreu një kurs një vjeçar për regji gjatë viteve të pesëdhjeta si dhe magjistroi në shkencat filologjike në Prishtinë.
Deva luajti në dhjetra role kryesore e dytësore në dramën shqipe të Teatrit Kombëtar dhe së bashku me aktoret e para la gjurmë të pashlyer në krijimtarinë teatrore në këtë trevë. Ishte me vite përzgjedhëse dhe lektore e dramave në teatër dhe për angazhimin saj të shumë anshëm u shpërblye me mirënjohje e falënderime. / KultPlus.com