29 Tetor, 2020 - 11:47 am
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAKT” ka përfunduar mbrëmë me sukses edicionin e XII, shkruan KultPlus.
“MonoAKT” është ndër festivalet e veçanta dhe shumë të suksesshme ndërkombëtare që në përmbajtjen e vet ka tri Festivale: MonoAKT, MonoStripi dhe MonoAKT+.
Juria ndërkombëtare në natën solemne ndau edhe çmimet tradicionale të festivalit.
“MonoStripi” më i mirë u nda për Flaka Latifi dhe “MonoPerformanca” më e mirë shkoi për Donika Zeqiri.
Në konkurrencën kryesore të MonoAKT ndahen dy çmime kryesore të Festivalit MonoAKT:
– Aktorja\Aktori më i mirë i Festivalit MonoAKT: Polya Yardanova, Gabrovo, Bullgari (Ëndërra e Natashës)
– Monodrama më e mirë, Grand Pri e Festivalit MonoAKT fiton shfaqja nga Teatri Nacional i Podgoricës, Mali i Zi, “Orët e fundit të jetës së Njegoshit” interpretuar nga aktori i mirënjohur Slobo Marunoviq.
Këshilli Artistik pos mirënjohjeve për bashkëpunëtor ndau edhe dy Çmime për Vepër Jetësore për artistët eminent: Xhevat Qorraj dhe Miho Gjini dhe “Post Mortum” u nda për doajenin e teatrit Adem Mikullovci. / KultPlus.com