2 Tetor, 2020 - 10:43 am
Në kabinetin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në mungesë të Vlora Dumoshit, zv.ministri i Kulturës, Engelbert Zefaj ka ndarë çmimet vjetore për teatër, shkruan KultPlus.
Zv.ministri Zefaj u shpreh se ndjenë kënaqësinë të jetë në mesin e kontribuuesve të teatrit dhe të ndaj çmimet për laureatët e vitit, duke i përshëndetur ata edhe në emër të ministres Dumoshi, e cila nuk mund të ishte prezente për shkak të takimit të dy qeverive Kosovë-Shqipëri.
Juria profesionale e cila vendosi emrat e fituesve për këtë vit përbëhej nga: Marigona Bekteshi, Agim Selimi, Seadet Beqiri, Jeton Ahmetaj dhe Zethane Bahtiri.
Në emër të jurisë fjalën e mori kryetarja, Marigona Bekteshi për të kumtuar emrat e laureatëve teatrorë.
Çmimi për vepër jetësore iu dha regjisorit Luan Daka, për të cilën Bekteshi u shpreh: “Ky çmim i ndahet artistit Daka duke u bazuar në kreativitetin e thellë, inovacionin dhe origjinalitetin që ai përfaqëson në fushën e artit dramatik si në teatër, film, televizion dhe radio”.
Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, me 3 vota pro dhe 2 kundër, ju nda Drita Begollit për shfaqjen “Erveheja”, për të cilën juria theksoj se ishte një vepër aktuale, reale, me koncept, thellësi dhe nivel të lartë artistik.
Elmaze Nura për shfaqjen “Koprraci” u vlerësua me çmimin vjetor për regjinë më të mirë, për të cilën juria u shpreh se Kosova ka zënë vend në festivale të ndryshme përmes saj.
“Si në rrafshin ndërkombëtar edhe në atë vendor sukseset e shfaqjes janë arritur falë regjisurës së mirë”.
Çmimi vjetor për aktorin më të mirë, juria kishte vendosur t’ia dhuroj Adrian Morinës për rolin e tij në shfaqjen “Unë jam vetë grua”.
“Në këtë shfaqje aktori ka sjellur rrëfime të shkëlqyeshme të trans-gjinorit dhe Adrian Morina përmes karakterit të tij unik solli në skenë një rol të kompletuar”, shprehi vlerësimin e jurisë, kryetarja Marigona Bekteshi.
Pas dy propozimeve të jurisë, çmimi vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar iu dha qendrës “Multimedia”, për prezantimin e Kosovës në fushën e artit, për festivalet prestigjioze e ndërkombëtare.
Laureatët morën çmimet e tyre një nga një, duke filluar nga Qendra “Multimedia” e deri te çmimi kryesor për regjisorin Daka, teksa prezent nuk ishte aktori Adrian Morina.
Elmaze Nura pasi falënderoj jurinë theksoj se “Të vlerësohesh nga shteti yt, njerëzit, artistët, kolegët tonë është një nder, emocion i veçantë”.
E vlerësuar nga juria për shfaqjen më të mirë, Drita Begolli u shpreh se ndjehet e lumtur që pas 40 viteve karrierë e fitoj këtë çmim.
“Në këto momente më keni bërë më të lumtur dhe keni begatuar jetën time e të familjes sime, çmimet janë më të rëndësishme kur vinë nga populli yt”.
Në anën tjetër fituesi i çmimit kryesor, Luan Daka nisi fjalimin e tij duke thënë se artistët janë të ndjeshëm si fëmijët dhe kjo ndjeshmëri rritet edhe më shumë me kohën.
“Këto vitet e fundit artistët janë dëshmuar me vlera të shkëlqyera artistike si brenda edhe jashtë vendit, kjo na bën krenar të gjithëve”, vazhdoj regjisori Daka.
Artistët falënderuan jurinë dhe Ministrinë për përzgjedhjen e tyre, duke shpresuar që teatri të gjallërojë përherë./KultPlus.com