22 Tetor, 2021 - 9:30 am
Është ndarë nga jeta aktorja e njohur shqiptare, Filika Dimo. Lajmin e ka dhënë Teatri “Aleksandër Moisiu” Durrës përmes një postimi në Facebook. “Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të aktores Filika Dimo e cila prej disa vitesh jetonte në Belgjikë” thuhet në postim.
Kujtojmë këtu qe Filika Dimo u lind në Durrës me 1 gusht të vitit 1939. U diplomua në departamentin e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas studimit, ajo filloi të punojë në Teatrin Popullor në Tiranë. Pjesën më të madhe të aktivitetit e ka pasur në Teatrin “Aleksandër Moisiu” ku ka punuar si aktore e roleve kryesore në shumë verpa dramatike krahas aktorëve të tjerë durrsakë si Nikolin Xhoja, Spiro Urumi, Kadri Pirro, Marta Burda, Lazër Vlashi, Gaqo Spiro etj.
Ajo bëri debutimin e saj në kinematografi në vitin 1959 me rolin e vogël të Shpreses në filmin Furtuna. Ajo luajti në 4 filma të tjerë artistikë. Filmi qe e bëri më të njohur dhe më të vlerësuar atë si aktore, është filmi televiziv me 2 seri i RTSH-së “Koha nuk pret”, me rolin e Beatrice Shmid, një rol epokal nga më të realizuarit në kinematografinë shqiptare të roleve me spiunazh, rol i cili ka mbetur në kujtesë për interpretimin brilant. Bashkëshortja e skenografit të madh të Teatrit “A.Moisiu”, Zef Ujkaj./KultPlus.com