22 Mars, 2018 - 11:40 am
Sot janë mbushur plotë 83 vite nga vdekja e aktorit të madh Aleksandër Moisiu . Aleksandër Moisiu, i lindur në Shqipëri por që ishte larguar nga aty kur ishte 19-të vjeçar, arriti suksese në fushën e aktrimit në Vjenë, ku u angazhua në shumë role në teatër.
Sot pas 83 vitesh nga vdekja e tij, është publikuar një fotografi ku shihet sargu me trupin e pajetë të Aleksandër Moisiut para se të digjej në krematorin e Vjenës më 23 Mars 1935, shkruan KultPlus.
Kjo fotografi e marrë nga arkivi i Vjenës, është publikuar nga studiuesi i Aleksandër Moisiut, Pjetër Logoreci i cili pas pak ditësh në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, do të hapë ekspozitën me fotografi dhe dokumente të papara më herët të Aleksandër Moisiut.
Ndërkohë, që ka publikuar fotografinë me sargun dhe trupin e pajetë të Aleksandër Moisiut dhe që po afron dita e hapjes së ekspozitës së tij për këtë aktor të madh shqiptar, Pjetër Logoreci ka bërë thirrje që edhe shteti shqiptarë të ndërtoi shumë shpejt Muzeun Aleksandër Moisiu.
“HOMAZH. .. sot 83 vjet ma parë, në Vjenë, vdiq aktori Aleksandër Moisi. Ky është sargu me trupin e tij, para se të digjej në krematorin e Vjenës, me 23 Mars 1935… …Pushoftë në paqë…Nderim emrit dhe veprës tij… Shpresoj që shteti shqiptar të ndertojë Muzeun Aleksandër Moisiu! Foto nga arkivi i Vjenës”, ky është shkrimi nga Pjetër Logoreci, në 83 vjetorin e vdekjes së aktorit të madh./ KultPlus.com