31 Maj, 2019 - 8:08 pm
Alberina Haxhijaj
Dita e tretë e festivalit “Mirëdita, dobar dan” filloi me debatin dhe promovimin e antologjisë së dramës bashkëkohore nga Kosova “One flew over Kosovo theater”, shkruan KultPlus.
“One flew over Kosovo theater” është një koleksion i dramave të përzgjedhura nga autorë shqiptarë nga Kosova, të realizuara qysh nga periudha e bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi më 1999 e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008. Gjatë kësaj periudhe, rruga e gjatë drejt pavarësisë është përshkruar, nga bojkoti civil deri në rezistencën e armatosur nën regjimin shtypës intensiv të Sllobodan Millosheviq, pasuar nga përdorimi i taktikave diplomatike.
Në këtë antologji janë botuar dramat: “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nga Jeton Neziraj, “Gishti”nga Doruntina Basha, “Bodrumi” nga Ilir Gjocaj, “Vrasja e një mushkonjë” nga Xhevdet Bajraj, si dhe “Kafeneja në udhëkryq” nga Visar Krusha.
Në promovim të kësaj antologjie në Beograd i pranishëm ishte edhe vet Krusha i cili theksoi rëndësinë që ka ky festival pasi që ofron mundësi bashkëpunimi në mes të shkrimtarëve dhe artistëve nga këto dy vende.
“Unë jam kthy në Kosovë nga mesi i qershorit në vitin 1999 dhe kemi fillu në shtator me u mbledh studentë. Atëherë kam qenë në vitin e katër dhe si rezultat i studimeve më është dashur të shkruaj një temë diplome kështu që atëherë ka ardhur si ide prej profesorit që të shkruaj diçka për gjithë atë hallakamë që po ndodhte. Edhe sot pas 20 viteve e kam shumë problem me shkru prapë për përjetimet e asaj periudhe. Ideja për dramë ka ardhur përmes serialit ‘Alo-Alo” ku situata e atëhershme kthehej në një mënyrë më komike”, tha ai.
Krusha theksoi se e kishte më të lehtë të krijonte situata komike në atë kohë sesa të mendonte seriozisht pasi që sipas tij ishte e vështirë të mendoje seriozisht dhe të sillje një dramë me kontekst më serioz. Drama “Kafeneja në udhëkryq” është inskenuar më parë në Teatrin Kombëtar të Shkupit.
Krusha po ashtu tregoi edhe për situatën e skenës teatrore në Kosovë dhe sipas tij një nga problemet kryesore është problemi financiar i cili nuk do të duhej që të ekziston në mënyrë që artistë dhe personat të cilët krijojnë shfaqje të merren me çështje të krijimit dhe jo me probleme të tilla themelore, në mesin e të cilëve është edhe struktura ligjore.
Shkrimtarja dhe aktivistja Ana Iskoviq u shpreh se është interesante sesi teatri është një tregues i asaj që po ndodh dhe i asaj që do të ndodh. Sipas saj kjo arrihet që të shihet edhe nëse analizohet repertori i teatrit edhe në Serbi më parë kur në fokus ishte ndjena kombëtare.
“Sa i përket dramave në këtë antologji ajo që është fasionuese në lidhje me to është drejtpërdrejtësia që shihet në këto drama”, theksoi ajo. IIskovic po ashtu bisedoi edhe për situatën e skenës teatrore në serbi. I pranishëm ishte edhe regjisori serb Stevan Bodroza i cili bisedoi për bashkëpunimet e tij me regjisorë shqiptarë dhe rëndësinë që kanë bashkëpunimet e tilla.
Dramat e botuara janë përzgjedhur nga Jeton Neziraj dhe Saša Ilić. Libri u krijua si pjesë e shkëmbimit letrar midis skenës serbe dhe asaj të pavarur të Kosovës, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar POLIP, i cili që nga viti 2010 është organizuar nga Qendra Multimedia nga Prishtina dhe LINKS nga Beogradi. / KultPlus.com