27 Mars, 2019 - 8:00 pm
Alberina Haxhijaj
Sot në Kosovë, sikurse edhe në çdo vend tjetër të botës është shënuar Dita Botërore e Teatrit. Kjo ditë shërben edhe si një vetreflektim për të parë gjendjen e teatrit por edhe mundësitë e pafundme të cilat ai i ofron. Për të shënuar këtë ditë, KultPlus ka biseduar me disa regjisorë, shfaqjet e të cilëve janë realizuar në teatrot të cilat veprojnë në Kosovë, duke përfshirë këtu Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Oda, Teatrin Dodona, por jo vetëm.
Regjisori Florent Mehmetaj për KultPlus është shprehur se në këtë Ditë Botërore të Teatrit do të kishte dëshiruar që në të ardhmen Teatri Shqiptar të ketë vendin, funksionin dhe vlerën që i takon në shoqëritë tona respektive.
“Përpara se ta listojmë edhe teatrin si një aktivitet të kohës së lirë, do të duhej të ndaleshim e të reflektonim për rolin e artit dhe teatrit në veçanti në shoqëritë tona. Shoqëritë e emancipuara kultivojnë të bërit teatër (dhe forma tjera artistike) për të kultivuar vetë shoqërinë, për të kultivuar qytetarinë, për të ngritur kualitetin e jetës së qytetarëve, duke i dhënë jetës shoqërore një zë kritik, një rishqyrtim, vlerë të shtuar dhe emancipim e ngritje të vetëdijes kolektive e shoqërore”, është shprehur ai.
Sipas regjisores Zana Hoxha Krasniqi, 27 marsi duhet të na shërbejë për të kujtuar që artistët teatrorë dhe publiku janë banorët e përkohshëm të Universit Teatror.
“Teatri është universi ynë paralel, ku artistët krijojnë momente të një realiteti artistik dhe unik që të krijuar nga gërmimet më të thella të shpirtrave tonë. E pikërisht në ditët më të errëta, ky realitet teatror na lejon që të jemi të ndryshëm, të lirë shpirtërisht dhe mentalisht dhe të bashkuar në krijimet tona”, tha ajo për KultPlus.
Në anën tjetër dramturgu dhe regjisori Naser Shatrolli u shpreh për KultPlus se do të donte që sot ti zë mëngjesi aktorët, regjisorët dhe komunitetin kulturor duke llafosur për rrjedhën e skenës teatrore, përderisa teatri do të ishte ç’ lodhje e madhe shpirtërore.
“Krijuesit teatror sot do të kenë një motiv të fort për tu takuar diku me njëri-tjetrin nëpër kthinat e xhepave të një kafeje të vogël teatrore, për të pirë një gorë birrë, një kafe të gjezves, ku do të diskutonin shtruar – ku jemi ne karshi botës dhe a na vetmjafton këtu ku jemi sonte! Do doja që sot ti zë mëngjesi aktorët, regjisorët, komunitetin tonë, duke llafuar për rrjedhën e skenës teatrore, përderisa teatri do të ishte ç’lodhje e madhe shpirtërore për këdo që flet me gjuhën e skenës parasegjithash. Andaj, në këtë ditë botërore, le të shkarkohen artistët nga bateritë e rutinitetit të tyre ditor – le të vishen me shije, dhe pak para mbrëmjes, të marrin një taxi – le ti thonë atij – na dërgo të lutem në teatër, meqë ka premierë botërore ne Teatër! Ky do të ishte mesazhi im për mbarë universin artistik! Urojmë në emër të shfaqjes – premierë botërore “Fabrika e Kukullave” e cila sonte jepet para para publikut të Prishtinës – Kosovës, enkas për të shënuar këta datë shenjtëruese, e kudo ndodhur në botën e moderuar por dhe në vende ku ka më pak teatër e mundësi për të frymuar kjo aromë e pashterrshme që quhet teatër”, u shpreh ai.
E në këtë Ditë Botërore të Teatrit, regjisori Ben Apolloni u shpreh se do të dëshironte që vendi jonë të kuptonte rëndësinë e madhe që ka teatri.
“Teatri, si institucioni më i vjetër kulturor që ka krijuar njeriu, e që vazhdon të jetë institucioni kulturor më i rëndësishëm edhe në kohën tonë, shpresoj që edhe në vendin tonë të fillojë e të kuptohet rëndësia e tij! Shpresoj që iniciativat për themelimin e teatrove nëpër qytete si Kaçaniku, Fushë Kosova, Kamenica, Suhareka… të jetësohen! Teatri është simbol i qytetërimit të një vendi dhe uroj që të qytetërohemi sa më parë edhe ne”, u shpreh Apolloni për KultPlus.
Shënimi i Ditës Botërore të Teatrit është iniciuar në Kongresin e 9-të Botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror (INT) të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, ndërsa që nga viti në vijim ai shënohet me datën 27 mars, datë kjo kur është hapur sezoni i “Teatrit të Kombeve” në Paris. Instituti Ndërkombëtar Teatror është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese./ KultPlus.com