28 Dhjetor, 2018 - 8:00 pm
Për nder të 28 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Kinematografisë, Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB organizoi një takim me studentët dhe regjisorin e njohur Isa Qosja.
I njohur për filmat e tij artistik dhe dokumentarë, Qosja sot para studentëve të AAB-së foli për gjendjen aktuale të filmit në Kosovë dhe rajon.
Ai gjithashtu përmendi edhe faktorë të rëndësishëm që e përcaktojnë këtë situatë momentale që sipas tij nuk është në formën më të mirë që ai do donte ta shihte. Ai përmendi edhe disa dallime në mes të kinematografisë të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, sipas tij, kinematografia e Kosovës parësore e ka depërtimin e emocioneve tek shikuesi. Ai gjithashtu shtoi se qëllimi i realizimit të një filmi është të përçojë emocion tek shikuesi.
“Kinemtografia e Kosovës dhe Shqipërisë, ka dallime shumë, edhe pse jemi një vend ka dallime. Ende me duket që atje në film zë vend fjala, ajo që është shprehje e teatrit dhe ata e trajtojnë shumë më shumë fjalën se gjendjen. Ata na thonë shpesh ju i keni aktorë të mirë dhe unë përgjigjem, po i kemi sepse trajtojmë gjendjen, aktorët tanë nxjerrin emocionin”, shtoi Qosja.
Qosja me këtë rast foli edhe për dallimet e kinematografisë amerikane dhe evropiane, duke theksuar se kinematografia amerikane dallon shumë nga ajo evropiane, përmes një faktori shumë të rëndësishëm, e që është narracioni. “Kinematografia amerikane është shumë më narrative, më treguese, më e drejtpërdrejtë, do të thoja argumentuese. Në Amerikë filmi punohet për një qëllim, punohet për publikun”, tha regjisori Qosja.
Tutje, Qosja para studentëve tha se një vend mirë i arsimuar duhet ta kuptojë që njerëzit që merren me art janë njerëz të përkushtuar dhe se duhet mbështetur si në anën financiare ashtu edhe në atë motivuese dhe se duhet të instalohet psikologjia që vendit tonë specifikisht i duhet arti dhe i duhen artistët, sepse vetëm kështu ne do t’ i tregojmë botës që vlejmë dhe dimë të realizojmë filma që konkurrojnë me kinematografitë botërore./KolegjiAAB/ KultPlus.com