25 Janar, 2019 - 12:30 pm
Radha ishte për nikoqirin, Teatrin e Qytetit të Gjilanit, që u prezantua me shfaqjen dinamike, komedinë “I vetëm në banesë”, me tekst të Avni Shkodrës, në regji të Natyrë Kallabës, e me kastën e aktorëve: Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Emine Toska, Safete Mustafa, Njomëza Kalaveshi dhe Tringa A. Hasani.
Ajo çfarë iu prezantua publikut kishte të bënte me personazhin Artanin, një skenarist serialesh, që mbetet i vetëm në banesë, pasi Blerina, gruaja e tij, shkon në një seminar.
Kështu, ai fillon të shkruajë skenarin e tij të radhës duke i krijuar personazhet, që të gjitha femra, por që ato fillojnë t’i shfaqen në skenë, natyrisht ashtu siç i konceptonte ai në skenarin që shkruante. Por, ato herë ishin reale, e herë pjellë e imagjinatës së tij.
Ato gra, që Artani i sillte në banesë, fshehtas nënës, e cila e vizitonte shpesh edhe në imagjinatën e tij, e përballin këtë skenarist me një sfidë, në mes të dëshirës për flirtim dhe të qëndruarit besnik ndaj gruas së tij.
Tutje, ky skenarist serialesh humb sensin e realitetit, duke e komplikuar edhe më shumë situatën, pasi karakteret që i vinin në mënyrë fiktive dhe me situata absurdi, e sillnin atë në situata emocionale, ku si përfundim përjeton vdekjen përkatësisht vrasjen nga secili personazh.
Postierja numër 69, shërbëtorja, psikologja, vaska, abazhurët, pasqyrat, telefoni, laptopi, picat, xhointi… audiencës i servoheshin me një qasje konceptuale bashkëkohore, të përcjella me koreografi, lojë dhe këndim.
Edhe loja e Albanit si kryepersonazh, por edhe e aktoreve, Mejremes, Eminës, Safetës, Njomëzës dhe Tringës, në momente të caktuara, por sidomos në pjesën e fundit, sollën emocione te publiku i pranishëm, të cilin e bënë për vete, e nga të cilët, në fund, u shpërblyen edhe me duartrokitje.
Ata të cilët u angazhuan që shfaqja të ishte në tërësi e plotë, pra edhe me elemente tjera përbërëse për një shfaqje, ishin edhe: Bekim Korça – skenografia, kostumet dhe koreografia, Florim Gagica – muzika, Fatmir Halili – dritat, Raif Haziri – inspicient dhe organizator, Suad Berisha – rekuizitat, si dhe treshja, Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti – realizatorë të skenografisë.
Përndryshe, në mbrëmjen e radhës, në natën e tretë, në skenën e Teatrit të Gjilanit do të ngjitet, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, i cili do të sjellë shfaqjen “Kreonët e Ballkanit”, me autor dhe regji të bërë nga Enver Petrovci, duke e begatuar kështu edhe më shumë, këtë Festival të Dramës Shqipe, që ka edhe karakter garues.