29 Tetor, 2019 - 3:00 pm
Këtë të enjte në Prishtinë nis edicioni i dytë i Showcase-it Teatror të Kosovës.
I organizuar nga Qendra Multimedia, kjo ngjarje këtë vit fuqizohet me bashkëpunimin e Qendrës Multimedia me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit të Gjilanit dhe teatrin “Adriana” në Ferizaj, shfaqjet e të cilave do të inskenohen gjatë Showcase-it teatror.
Ky edicion do të sjellë në Kosovë edhe rreth 40 mysafirë ndërkombëtarë: selektorë festivalesh ndërkombëtare, kritikë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë e dashamirë të teatrit.
Në kuadër të Showcase do të performohen 8 shfaqje teatrore në produksion të Qendrës Multimedia, Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe teatrit “Adriana” në Ferizaj.
Përveç shfaqjeve, në këtë ngjarje do të organizohen edhe dy panele diskutimi dhe sesione promovuese të produksionit teatror të Kosovës me qëllim të rrjetëzimit të artistëve.
Një risi e madhe këtë edicion është ardhje e aktorit të njohur francez me origjinë shqiptare, Rexhep Mitrovicës, i cili gjatë Showcase-it do të lexojë e diskutojë mbi “Inkuizitorin e madh” së bashkë me aktorin po ashtu të njohur Arben Bajraktarin. Kjo ngjarje në Prishtinë vjen si bashkëpunim me kompaninë teatrore Liria në Paris, ndërsa është kuruar nga Simon Pitaqaj. / KultPlus.com