1 Dhjetor, 2018 - 3:54 pm
Alberina Haxhijaj
Në teatrin e AAB-së “Faruk Begolli”, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove mbrëmë në Prishtinë erdhi shfaqja “Nëna dhe fëmija” me regji të Dino Mustafiq, shkruan KultPlus.
Nëna (Ema Andrea) qëndron e ulur në karrige duke shikuar djalin e saj (Matia Llupa) i cili pas 20 viteve ka ardhur për ta takuar. Distanca që kanë dy personazhet vërehet që në fillim. Djali ka ardhur për ta takuar nënën të cilën e ka lënë nën kujdesin e gjyshes e pastaj të babit. I zhytur në mendime në mesin e të cilave edhe pyetja – ndoshta do ishte më mirë sikur të mos kisha lindur fare…?
Nëna flet për shkresa, duke dashur ta bindë të birin se ka arritur diçka në jetë, duke i treguar se nuk mund të jetonte një jetë ku s’do kishte asgjë përveç titullit ‘nënë’, gjersa tregon se çfarë mendon për gratë dhe zbërthen jetën e saj.
Ka shumë tension brenda këtyre dy karaktereve, duke filluar nga një dëshirë për të fjetur në gjoksin e nënës, një mundësi që djali ishte fryt i një shtatzënie të padëshiruar, apo dëshira e saj për të qëndruar dhe pirë një gotë verë.
“Është regjia e Dinos që më ka vënë përballë kësaj sfide”, tregon për KultPlus Ema Andrea, gjersa shton se dëshira e tyre për të punuar së bashku ka ekzistuar kohë më parë.
“Besoj që pika ku ne takohemi është kërkimi pa frikë dhe me guxim. Dino solli këtë pjesë për miliona motive. Ai e do femrën, emancipimin e saj dhe duhet me reflektu pikërisht për fazat që ka kaluar femra gjatë emancipimit të saj dhe mbi të gjitha sepse është një temë për të cilën nuk flitet”, thekson ajo.
Por zgjedhjet që nëna bën në shfaqje janë shumë larg aktores, e për të kjo është më e bukura.
“Mua më pëlqen që të jetoj si artiste sepse me çdo rol me hapen dritare të reja, më hapet mendja dhe çdo herë e më pak i jap të drejtë vetes që të gjykoj. Besoj që kjo është rruga e drejtë drejt lirisë, duke pranuar frikët tua. Pikërisht këtë ka bërë edhe ky rol dhe uroj që çdo krijimtari të shkojë në rrugë të panjohura, në rrugë që janë jashtë kufijve dhe të përditshmes sonë”, thotë ajo.
Në vendet tona ballkanike femra është ose vajzë ose nënë. Nuk i ka të gjitha bashkë, një grua në karrierë, një grua seksi, një grua që bën zgjedhje të tjera. Pikërisht kjo sipas aktores i ka penguar karakterit që ajo luan.
“Kjo është një shfaqje alternative, premiera e së cilës ka qenë në një pub dhe kjo ka qenë një mënyrë për të thënë se nëse e doni artin, atë e bëni kudo. Ishte një sfidë jo vetëm profesionale por le të themi edhe institucionale apo një shembull i mirë për ata të rinj të cilët presin dhe nuk lëvizin. Unë dhe Dino dëshironim të jepnim shembullin që edhe pas 25 viteve karrierë, ti kërkon dhe realizon”, theksoi Ema Andrea për KultPlus.
Përkrah Ema Andreas në këtë shfaqje qëndron aktori Matia Llupa. Një i ri shumë i talentuar i cili fitoi këtë rol përmes audicionit.
Llupa solli një djalë të mbyllur, i cili pas 20 viteve larg nga nëna, pas fjalëve që tha ajo dhe pas diskutimit që u bë, vjen në një moment kur thjeshtë shpërthen. Të gjitha ndjenjat e fshehura të djalit dalin në pah, shpërthejnë dhe ai kalon edhe në një çmenduri që as vetë nuk e kupton.
“Jetën time reale e përshtata jo në atë të marrëdhënies sime me nënën por duke u bazuar në situata të tjera që ndodhin. Kisha frikë të luaja me Emën pasi që e kisha edhe pedagoge edhe çdo herë pyesja veten çfarë nëse gaboj. Djali është introvert, i mbyllur dhe nuk flet, pak a shumë ashtu jam edhe unë. Pra pak a shumë u bazova te këto gjëra të vogla për ta kthyer si ndjesi”, u shpreh ai.
Kritiku, Naser Shatrolli e konsideroi këtë shfaqje mjaft interesante, shumë metaforike, poetike madje edhe dramatike e që prek publikun për shkak të temës që trajton, familjes.
“Shfaqja ka gjetje shume interesante që ndërlidhen me atë ndjenjën dhe problemin e madh psikik që e kanë këto dy personazhe që jetojnë për njëri-tjetrin. Kemi të bëjmë me një familje, një nënë dhe të birin të cilët jetojnë në një jetë të tymosur. Regjisori ka krijuar një teatër të dhomës, atë miniaturën teatrore që krijohet brenda mureve të një shtëpie”, u shpreh ai.
Shatrolli përgëzoi për lojën dhe emocionet që sollën në skenë edhe aktorët. Sipas tij kjo ishte një shfaqje shumë moderne, ku Ema Andrea e krijon një nënë shqiptare por edhe evropiane e amerikane, duke shfrytëzuar shumë mirë edhe këndimin live.
Shfaqja “Nëna dhe fëmija” përfundon me nënën e cila mbetet pa një këpucë duke shikuar nga djali i cili largohet dhe mbetet nën ombrellë në shi. / KultPlus.com